English

Presidenti homazhe para regjisorit të ndjerë, Hysen Hakani

Tiranë, 9 shkurt, NOA – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nderoi sot me homazhe jetën dhe veprën e regjisorit të shquar të kinematografisë shqiptare, Hysen Hakani, i cili u nda nga jeta dje. Kryetari i shtetit kreu kështu n mesditë homazhe në Teatrin Kombëtar, ku pasi vendosi një kurorë me lule dhe u përul me respekt e nderim para trupit të pajetë të regjisorit dhe nënshkroi Librin e Ngushëllimeve, u shprehu ngushëllimet e sinqerta familjarëve të të ndjerit Hysen Hakani për humbjen e njeriut të tyre të dashur dhe njëkohësisht të kësaj figure të ndritur të kinematografisë shqiptare. Presidenti Topi u shpreh edhe para mediave të pranishme në vlerësim dhe respekt të jetës dhe veprës së Hysen Hakanit.

“Së pari, dëshiroj të shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e regjisorit Hakani! Të shpreh këtë brengë që na shoqëron në mënyrë të vazhdueshme duke përcjellë nga bota jonë reale njerëzit, të cilët kanë vendosur themelet e artit dhe të kinematografisë shqiptare! Hysen Hakani ishte njëri prej tyre dhe padyshim, përveç vlerave të veçanta si artist, ai ka marrë një notë të lartë qytetarie, duke lënë në memorien e kombit dhe në memorien tonë arritjet e kombinimit të vërtetë që ekziston midis atij që është njeri në radhë të parë dhe e dyta, të një artisti të madh”, u shpreh ai.

n.e/NOA

KOMENTE