English

Presidenti: Unë, jo pjesë e sherreve politike

Tiranë, 9 shkurt 2011, NOA – Presidenti i Republikës Bamir Topi ka reaguar sot pas akuzave nga mazhoranca që erdhën pas ngjarjeve të 21 janarit se ai nuk mund të bëhet pjesë e sherreve politike dhe e debateve mes forcave politike, pasi ai flet vetëm në emër të qytetarëve dhe interesave të tyre dhe jo në emër të partive politike. “Jam ushtar i paepur i drejtësisë”, deklaroi Kryetari i Shtetit duke theksuar se ai do t’i qëndrojë betimit të tij duke mbështetur të gjithë ata që janë të pakënaqur si nga pozita dhe nga opozita, pra mbështetës i popullit.

Duke iu përgjigjur ndërkaq politikës, Presidenti Topi theksoi se “Të gjithë kontaktet e mia si President kanë qenë dhe do të mbeten institucionale, dhe vazhdoj ta them, një parandalim i akteve të dhunës është 100 herë më i vlefshëm se akuzat e ashpra”, bëri me dije Presidenti.

Duke iu referuar ngjarjeve të rënda të 21 janarit ai risolli në vëmendje se ai mbrëmjen e 20 janarit ishte takuar me ambasadorët e vendeve të BE-së dhe se po atë mbrëmje duke parë tensionin e rënduar politik vetë Kreu i shtetit citoi deklaratën e tij të dhënë në mbrëmjen e 20 janarit, ku ai kishte deklaruar se “Në çdo moment edhe në këto çaste që po flasim edhe atëherë kur tensioni mes palëve është i lartë të gjithë aktorët politikë duhet të gjejnë qetësinë, që të vendosin ekuilibrin dhe të dialogojnë për interesat e popullit dhe të vendit”.

Presidenti Topi i akuzuar edhe si palë në puçin e shtetit të 21 janarit me argumentin se ai nuk ndërhyri dhe se nuk iu përgjigj thirrjes në Komision, zoti Topi iu rikthye deklaratës së tij të dhënë në pasditen e 21 janarit, kur ai në një deklaratë të shpejtë pas precipitimit të situatës kishte theksuar se “Presidenti i Republikës bën thirrje për qetësi e maturi. U bëj thirrje të gjithë aktorëve politikë të ulin dhe qetësojnë demonstruesit dhe të vënë në vend qetësinë. Presidenti u bën thirrje aktorëve politikë të ulen në tryezën e dialogut dhe të nxjerrin para ligjit përgjegjësit, pasi Shqipëria ka nevojë të shterrojë plagët e jo t’i shtojë ato” citoi më tej Presidenti Topi deklaratën e tij.

Në reagimin e tij Presidenti Topi i bëri thirrje politikës të respektojë institucionet e pavarura, sikundër është edhe Presidenti, duke sqaruar se Presidentit nuk mund t’i kërkohet të ndërhyjë në institucionet e pavarura, pasi këtë nuk ia lejon Kushtetuta”.

“Presidenti nuk mund të bëhet pjesë e debateve të ashpra politike, pasi ai qëndron mbi palët, dhe nuk duhet të bjerë në gjuhën e partive politike, që hera herës edhe banalizohet pas debateve të ashpra”, argumentoi Presidenti i Republikës.

Kreu i Shtetit bëri me dije se “Lufta bëhet ndaj institucioneve të pavarura, pasi edhe ndërkombëtarët kanë theksuar që politika duhet të rregullojë gjuhën e akuzave, por kurrsesi të mos respektojë institucionet të pavarura”.

Presidenti theksoi se puna e tij si presidenti është tërësisht transparente, ashtu edhe takimet që ai bën, të cilat janë tërësisht institucionale dhe brenda parametrave kushtetues.

Sa i përket zgjedhjeve, Presidenti Topi bëri me dije se ka deklaruar në të gjitha daljet e tij publike u ka bërë thirrje partive politike t’i kthehen dialogut institucional dhe jo të akuzojnë njëra-tjetrën mediatikisht.

Ndërsa i pyetur në lidhje me kërkesën e Komisionit hetimor që ai të dëshmonte për ngjarjet e 21 janarit, Presidenti Topi bëri me dije se ai u shpreh i gatshëm të dëshmonte, por duke mos shkelur Kushtetutën, para do të dëshmonte vetëm në respekt të saj.

“Unë kam një asistencë juridike, dhe kam thënë se pranoj të dëshmoj siç e parashikon Kushtetuta. Presidenti do të respektojë gjithnjë Kushtetutën, pasi në rast se ai do të bëjë diçka jashtë kornizës kushtetuese atëherë ai ka gabuar, dhe Presidenti e ka të mirëpërcaktuar detyrën e tij në Kushtetutën e vendit”, siguroi Presidenti i Republikës.

“Mesazhi im konstant është thirrje për dialog, pasi ky është mesazhi që jep Kryetari i Shtetit, duke uruar që të rikthehet në normalitet jeta politike në vend, pasi shqoqëria ka nevojë për qetësi dhe normalite”, tha Presidenti Bamir Topi.

Sa i përket hetimit të 21 janarit ai uroi që drejtësia të japë drejtësi, duke nënvizuar kështu se do të respektojë gjithnjë institucioneve të pavarura.

mit/NOA

KOMENTE