Tiranë, 9 shkurt 2011, NOA – “Pas Ilirit, radhën e ka Saliu, i cili edhe bllokun e pisët të korrupsionit e ka edhe më të madh se Iliri”, deklaroi sot nga selia rozë deputetja socialiste Ermonela Felaj, e cila në vijim të thirrjeve të opozitës për demonstratën e radhës në 18 shkurt, theksoi se është pikërisht kjo arsyeja pse në 18 shkurt shqiptarët do jenë më të shumtë se kurrë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Në vijim të akuzave ndaj ish-zëvendëskryeministrit Ilir Meta, deputetja e PS-së duke iu referuar deklaratave të mbrëmshme të Ilir Metës për video-përgjimin Meta-Prifti tha se “dje ai që trafikoi 80.000 votat në 28 qershor, për të trafikuar paratë e shqiptarëve me bllokun e interesave të pista në dorë, doli i trembur se e vërteta po i del sheshit”.
Sipas Felaj, Ilir Meta një ditë më parë padashje dhe pakuptuar konfirmoi dora vetë vërtetësinë e pamjeve të videos duke dhënë publikisht edhe provën e pakundështueshme për kapjen e shtetit nga korrupsioni qeveritar të kthyer sikundër tha ajo, në sistem.
Deputetja socialiste i bëri thirrje kreut të LSI-së të ruajë qetësinë e të mos dalë më në ekrane për të shqetësuar shqiptarët, por të presë i qetë heqjen e imunitetit për t’i lënë vend drejtësisë të hetojë dhe zbardhë korrupsionin e publikuar në video.
“Fotografia e fundit që historia do mbajë mend për Ilir Metën, është ajo me bllokun e korrupsionit në dorë, duke ndarë paratë e pista të korrupsionit, dhe këtë nuk mund ta ndryshojë dot sado të mundohet të bëjë të ndershmin në konferenca shtypi”, tha deputetja socialiste Ermonela Felaj.
mit/NOA