Tiranë, 9 shkurt 2011, NOA - Presidenti i Republikës Bamir Topi zhvilloi homazhe pranë trupit të pajetë të regjisorit të kinematografisë shqiptare, Hysen Hakani, i cili ndërroi jetë një ditë më parë në moshën 79-vjeçare. Presidenti Topi i shoqëruar nga anëtarë të Kabinetit të tij presidencial gjatë homazheve në Teatrin Kombëtar vendosi një kurorë me lule dhe u përul me respekt e nderim para trupit të pajetë të regjisorit.
Kreu i shtetit nënshkroi edhe Librin e Ngushëllimeve, ku u shprehu ngushëllimet e sinqerta familjarëve të të ndjerit Hysen Hakani për humbjen e njeriut të tyre të dashur dhe njëkohësisht të kësaj figure të ndritur të kinematografisë shqiptare.
Në prononcimin e tij të shkurtër për mediat, Presidenti Topi theksoi se “Shpreh këtë brengë që na shoqëron në mënyrë të vazhdueshme duke përcjellë nga bota jonë reale njerëzit, të cilët kanë vendosur themelet e artit dhe të kinematografisë shqiptare. Hysen Hakani ishte njëri prej tyre dhe padyshim, përveç vlerave të veçanta si artist, ai ka marrë një notë të lartë qytetarie, duke lënë në memorien e kombit dhe në memorien tonë arritjet e kombinimit të vërtetë që ekziston midis atij që është njeri në radhë të parë dhe e dyta, të një artisti të madh”, vlerësoi Presidenti.
Regjisori Hysen Hakani njihet si regjisori i filmit të parë shqiptar, “Fëmijët e saj” i realizuar në vitin 1957.
Ai është nderuar me çmimin “Mjeshtër i Madh”, ndërkohë që i ka dhuruar kinemasë shqiptare filma të tillë si “Debatik”, “Toka jonë”, “Njësiti gueril”, “Cirku në fshat”, “Një ndodhi në port”, “Lundrimi i parë”, “Plaku dhe hasmi” etj, si dhe një sërë filmash dokumentarë.
mit/NOA