English

Topi-Kantrimen: Nuk jam më i një pjese por i tërë popullit

Tiranë, 9 Shkurt 2011 NOA - Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot Zv/ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe për Azinë, Tomas Kantrimen, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë.

Takimi dhe biseda mes Kreut të Shtetit shqiptar dhe funksionarit të lartë të administratës amerikane u përqendrua në situatën politike të krijuar në Shqipëri, ku në mënyrë të veçantë u trajtuan zhvillimet më të fundit pas 21 janarit. Në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksander Arvizu. Presidenti i Republikës, pasi vlerësoi lart marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona mike dhe aleate dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e ndihmesën e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara, e njohu Zëvendësndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Tomas Kantrimen me qëndrimin e tij institucional të shprehur publikisht edhe gjatë konferencës për shtyp të dhënë sot në mjediset e Presidencës.

Zyra për shtyp e Topit tha se “kryetari i Shtetit ritheksoi se tashmë po përjetojmë një moment tepër vendimtar, kur drejtësia shqiptare duhet të dëshmojë përpara qytetarëve të këtij vendi integritetin e saj profesional dhe moral, zotësinë për të hetuar, gjykuar e marrë vendime e pavarur nga presionet dhe ndikimet politike. Presidenti nënvizoi se e vërteta dhe dhënia e drejtësisë janë nevojë dhe domosdoshmëri, madje sot më parësoret për t’i rikthyer qytetarëve shqiptarë besimin tek shteti dhe tek institucionet e tij të pavarura, tek respektimi dhe zbatimi i ligjit dhe të qenit të të gjithëve të barabartë në këtë pikë pa asnjë lloj dallimi”. “Ky do të ishte një kontribut thelbësor në rrugën për zgjidhjen e kësaj krize të pashembullt që pikësëpari duket se ka marrë peng shpresën e shqiptarëve jo vetëm për kapërcimin e saj, por dhe të alternativave që do iu ofrohen atyre nga forcat politike për të projektuar të ardhmen”, - u shpreh Presidenti Topi. Gjithashtu, në këtë takim, Presidenti i Republikës shprehu edhe një herë vullnetin dhe angazhimin e tij maksimal që, në frymën dhe respekt të Kushtetutës, të japë kontributin e tij institucional në funksion të rivendosjes së dialogut politik e konstruktiv mes palëve për gjetjen e një rrugëdaljeje sa më të shpejtë nga kjo gjendje dhe, për më tepër, pa pasoja për të ardhmen euroatlantike të Shqipërisë dhe të qytetarëve shqiptarë. “Si, President i Republikës, nuk i takoj më një pjese. I takoj, së pari qytetarit, dhe e gjithë veprimtaria ime shndërrohet në institucionale në respekt të ligjeve dhe të interesit kombëtar”, - ritheksoi edhe në këtë takim Presidenti Topi. Nga ana e tij, Zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Tomas Kantrimen, shprehu kënaqësinë e veçantë për këtë takim me Presidentin Topi duke vlerësuar rolin e tij institucional dhe konstruktiv në këtë situatë të vështirë për Shqipërinë dhe duke çmuar lart përkushtimin e Kreut të Shtetit për t’i shërbyer popullit shqiptar dhe kushtetutës. Gjithashtu Kantrimen theksoi pozicionin e njohur të Shteteve të Bashkuara lidhur me nevojën për një zgjidhje sa më të shpejtë të krizës, rivendosjen e dialogut politik, një hetim tërësor, profesional dhe të ekuilibruar, që do të vërtetonin funksionimin e shtetit të së drejtës, qëndrueshmërinë e institucioneve të pavarura kushtetuese si dhe demokracinë funksionale të një vendi anëtar të NATO-s.

e.t/NOA

KOMENTE