Prishtinë, 9 shkurt, NOA - Zv/kryeministri dhe njëkohësisht, ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, mori sot një letër falënderimi nga shefi i Misionit të EULEX-it në Kosovë, Xavier de Marnhac, për gatishmërinë e autoriteteve shqiptare për të bashkëpunuar në zbardhjen e çështjeve të ngritura në raportin e hartuar nga Dick Marty.
Nëpërmjet kësaj letre, sigurohet se EULEX është autoriteti i duhur dhe kur ka prova të mjaftueshme për të besuar se janë kryer aktivitete kriminale do të fillojë hetimin përkatës.
Ndër të tjera, në letër theksohet se EULEX inkurajon Martin për t’u dhënë autoriteteve të prokurorisë së EULEX- it çdo informacion ose provë, të cilat mund të hedhin dritë mbi akuzat e ngritura në këtë raport.
“Më 17 Janar 2011, një delegacion i Prokurorisë Speciale (SPRKL) i përbërë nga prokurorë të EULEX-it dhe të Kosovës zhvilluan një takim me Prokuroren e Përgjithshme të Shqipërisë. EULEX dhe Shqipëria kanë shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar në zbardhjen e çështjeve të ngritura në raportin e z. Marty”, përfundon letra në fjalë.
n.e/NOA