English

Unioni i Gazetarëve të Korçës: Dënojmë thirrjet e konsullit grek

Tiranë, 9 shkurt, NOA – Në kundërpërgjigje të deklaratave të konsullit grek të bëra publike pak ditë më parë për regjistrimin e minoritetit grek të Korçës, ka reaguar edhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë me seli në këtë qytet.

Përfaqësuesit e tij deklarojnë se shprehin indinjatën lidhur me thirrjet antishqiptare dhe cilësimet që venë në dilemë identitetin tonë kombëtar.

“Këto deklarata të ardhura në mënyrë personale nga një përfaqësues diplomatik synojnë të cenojnë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Deklaratat e konsullit grek të Korçës janë në kundërshtim dhe në shkelje flagrante të konventave ndërkombëtare dhe tentojnë të prishin marrëdhëniet mes dy popujve”, citon deklarata e tyre.

Duke shtuar se në reagim të këtyre deklaratave, Unioni i Gazetarëve të Korçës, deklaron se do të bojkotojë çdo veprimtari të iniciuar prej këtij individi.

“Theksojmë se, si përfaqësues mediatikë do të distancohemi përmes këtij bojkoti nga të gjitha veprimtaritë që ndërmerren nga ky individ. Në emër të këtij unioni apelojmë që kësaj thirrje t’i përgjigjen të gjitha mediat, jo vetëm ato lokale por edhe kombëtare”, përfundon deklarata në fjalë.

n.e/NOA

KOMENTE