Përkrahës të WikiLeaks bëjnë jo rrallë aksione protestuese duke paralizuar faqet e internetit të institucioneve amerikane, që kanë bllokuar paratë e mbledhura për Wikileaks-in. Kështu pasojat nuk janë më vetëm politike.
Kush kërkonte në fillim të muajit dhjetor që të përdorte kartat e kreditit Visa dhe Mastercard nuk e kishte të mundur të lidhej deri tek serveri. Institucionet financiare bllokuan paratë e dhuruara për WikiLeaks-in. Përveç kësaj hakerat u futën në faqen e internetit të grupit protestues „Anonymous“ dhe e bllokuan atë. Ky grup kishte inskenuar edhe një telefonatë ankese.
Disa orë faqet e internetit mbetën offline. Dëme në biznes nuk pati, mendon David Robertson, botuesi i revistës së sektorit të shërbimit të kartave të kreditit „Nilson Report": "Visa dhe Mastercard janë sisteme globale pagesash. Sulmet nuk kanë efekt mbi funksionalitetin e këtyre rrjeteve kaq të mëdha." Por, edhe nëse ndikimi afatshkurtër mbi biznesin, nuk ka qenë i madh, aksione të tilla lenë pas efektet e tyre, thotë avokati nju jorkez, Robert Heim.
Pas sulmeve online rritet kujdesi
Firmat amerikane janë bërë më të kujdesshme dhe kanë paguar para për të gjetur dhe për të mbyllur boshllëqet në sistemin e sigurisë. Sepse në lojë nuk janë vetëm bilancet por edhe imazhi: "Sidoqoftë, është rritur kujdesi. Firmat e kanë të qartë se nëse veprojnë politikisht, atëherë kjo ka pasojat e veta. Për të mos folur për sulmet mbi faqet e internetit, më i rëndësishëm është efekti publik. Ata duhet të argumentojnë për aksionerët dhe konsumatorët pse veprojnë politikisht."
Ndërkohë që në Evropë debati i WikiLeaks-it vazhdon të jetë aktual, organizatës i kushtohet pak rëndësi në mediat amerikane. Robert Heim thotë se kjo ndodh në konstrast të madh me reagimet e menaxherëve dhe të firmave në aktivitetet e brendshme të tyre. Ata janë të shqetësuar për mangësitë në sistemin e të dhënave dhe në sistemin e sigurimit të tyre. Por ata nuk e thonë këtë për të mos i dhënë material për të sulmuar aktivistëve.
Bankat amerikane nën presion
Aktualisht, nën presion ndodhen bankat e mëdha amerikave. Themeluesi i WikiLeaks-it, Julian Assange ka bërë të ditur se do të publikojë „dokumenta të brendshme të një banke të madhe amerikane". Pak pas daljes së kësaj fjale, aksionet e "Bank of America", ranë me pesë përqind. Në një intervistë, Assange flet i kënaqur për nervozitetin e krijuar tek bankat: "Nëse organizatat që kanë bërë keqpërdorime vuajnë, sepse kanë bërë keqpërdorime, dhe viktimat marrin dëmshpërblimin, atëherë është kënaqësi të marrësh pjesë në të", - citon radio Dojçe Vele.
WikiLeaks mund të kontribuojë pozitivisht
Avokati Robert Heim ka punuar vetë një kohë të gjatë për Autoritetin Kontrollues amerikan SEC. Ai nuk mendon se organizata si WikiLeaks mund të ndikojnë në shpërbërjen e kontrolleve ekonomike, por ai mendon se ato mund të japin një kontribut të rëndësishëm: "SEC ka bërë të ditur se kërkon të kontrollojë faqen e internetit të WikiLeaks-it, për të parë nëse dokumentat që janë bërë të ditura se do të publikohen dëshmojnë vërtet për aktivitete të paligjshme të Bank of Amerika. Nëse po atëherë do të ketë një gjobë të madhe."
Nga ana tjetër edhe protesta e aksionistëve nuk mund të nënvleftësohet nga pikëpamja ekonomike: "Në vitet tetëdhjetë ka patur protesta të mëdha kundër firmave që patën bërë biznese me Afrikën e Jugut, në kohën kur aty sundonte apartejdi. Kjo pati ndikim të madh dhe bëri që qeveria të bëhej transparente të demokratike." Në këtë kuptim WikiLeaks dhe Co. janë ekuivalentet e tyre në shekullin e 21-të.