English

Zgjedhjet e 8 majit, nën hijen e tensionit PD-PS

Tiranë, 9 Shkurt 2011 NOA/DW - Ani Ruci - Ndonëse skadon afati ligjor për reformimin e kodit elektoral, situata nuk është e pashpresë, vlerëson eksperti për çështjet elektorale në Shqipëri Kristaq Kume.

Afatet ligjore për të reformuar kodin elektoral ekzistues dhe për të konstituuar nga KQZ-ja emrat e anëtarëve në komisionet zgjedhore zonale kanë skaduar. Kjo tregon se subjektet politike në Shqipëri nuk po e zbatojnë rekomandimin e parë të OSBE/ ODIHR-it: vënien e interesave të qytetarëve shqiptarë për mirëqeverisje dhe institucione legjitime mbi interesat e tyre politike.

Por Kristaq Kume, Drejtor i Institutit shqiptar për Sistemet e Zgjedhjeve thotë për programin shqip të DW-së se situata nuk është e pashpresë.

Rekomandim kryesor i vëzhguesve të OSBE/ODIHR pas rezultatit të kontestuar nga opozita e majtë të zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009 ishte amendimi i disa neneve të Kodit Elektoral ekzistues.

Për shkak të mosmarrëveshjeve të thella politike mes maxhorancës së djathtë qeverisëse dhe opozitës së majtë pas atyre zgjedhjeve, ky amendim nuk u realizua. A mund të bëhen zgjedhjet lokale me kodin ekzistues elektoral, qe në njëfarë mase solli krizën e thellë politike, që ende vazhdon në Shqipëri?

“Zgjedhje mund të bëhen me kodin aktual që ka Shqipëria. Ky Kod është produkti më i mirë legjislativ i deritanishëm. Kjo nuk do të thotë që nuk ka nevojë për t'u amenduar në nene të ndryshme të tij, të cilat sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it duhet të jenë më të qarta. Megjithatë kodi ekzistues elektoral përbën një bazë ligjore për të zhvilluar zgjedhjet lokale të 8 majit. Natyrisht do të ishte shumë mirë që ky kuadër ligjor të amendohej për një vlerësim pozitiv të procesit të ardhshëm zgjedhor dhe për plotësim të rekomandimeve ndërkombëtare.” thotë Kristaq Kume, Drejtor i Institutit për sistemet zgjedhore, ish kryetar i KQZ.

Proces i dështuar zgjedhor pa komisionerë nga të dyja palët

Nëse Shqipëria mund të shkojë në zgjedhjet lokale të 8 majit me Kodin ekzistues, pa e amenduar atë dhe pa zbatuar kështu këto rekomandime ka një pengesë tjetër që rrezikon zhvillimin e zgjedhjeve lokale. Subjektet politike, kryesisht ato të opozitës nuk kanë dërguar në KQZ propozimet e tyre për komisionerët zgjedhorë. Afati ligjor për dërgimin e tyre skadoi të martën (08.02.2011). Prania e OSBE-së që asiston dhe monitoron proceset zgjedhore në Shqipëri, bëri të ditur të martën (08.02.2011) se nga 66 komisione zonale të administrimit zgjedhor janë ngritur pjesërisht vetëm 12 syresh. Kjo situatë ka ngjalluar shqetësimin e kësaj organizate ndërkombëtare dhe ka nxitur kreun e saj , ambasadorin Wollfarth t'i bëjë sërish apel partive politike të dërgojnë pa humbur kohë propozimet e tyre në KQZ, pasi kjo përbën edhe detyrim të tyre ligjor.

“Mosplotësimi i këtij detyrimi ligjor vë në pikëpyetje të gjithë punën që duhet bërë për përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme dhe dërgon një sinjal jo pozitiv për qëndrimin politik që kanë aktualisht subjektet politike, që mund ta zhvillojnë më tej gjatë procesit zgjedhor. Pra, është një sinjal që mund të lexohet as më shumë dhe as më pak si shprehje e vullnetit të munguar politik për të marrë pjesë në procesin zgjedhor. Nëse këto komisione nuk konstituohen nga KQZ-ja atëherë krijohet një situatë e tillë ku 50% e komisioneve zonale të mos kenë numrin e nevojshëm për të marrë vendime, pra zgjedhjet nuk mund të realizohen dot pasi është e pamundur që të bëhet një proces zgjedhor në mungesë të administratës zgjedhore, që ka detyrimin ligjor për ta administruar këtë proces zgjedhor. Kjo do të thotë që procesi zgjedhor të mos realizohet” vë në dukje z. Kume.

Kjo ndodh pasi Kodi zgjedhor aktual parashikon ngritjen e një administrate dypalëshe, që do të thotë: në gjysmën e komisioneve të nivelit të dytë shumicën vendim marrëse e ka maxhoranca e djathtë dhe në gjysmën tjetër shumicën vendim marrëse e ka opozita. Nëse një gjysëm nuk plotëson detyrimin ligjor, atëherë nuk është i mundur zhvillimi i procesit zgjedhor. Dhe përgjegjësia për këtë bie mbi partitë politike.

Interesat e zgjedhësve dhe partitë politike

Por ka edhe një palë tjetër veç partive politike pa të cilën nuk mund të ketë proces zgjedhor. Kjo palë janë zgjedhësit, qytetarët populli, e drejta e tij për të votuar. Çdo proces zgjedhor është në fund të fundit shprehje e vullnetit të zgjedhësve për atë që do ta qeverisë në nivel politik apo lokal, që nuk duhet penguar nga situatat politike.

“ Zgjedhjet janë për popullin. Pavarësisht se produkti i tyre, dhënia e mandatit për të qeverisur janë forcat politike që e marrin këtë mandat për të qeverisur.” thotë Kristaq Kume.

Dritë në fund të tunelit

Edhe pse afatet ligjore kanë skaduar ende ka shpresë që procesi zgjedhor për zgjedhjet lokale të 8 majit të mos dështojë. Burime zyrtare nga KQZ thanë për DW se situata nuk është pa rrugëdalje. Të njëjtin mendim ka edhe eksperti i sistemeve zgjedhore, Kristaq Kume. “ Klasa politike dhe Shqipëria ka ende energji për të realizuar ndërtimin e një shoqërie mbi kriteret demokratike, në themel të të cilave qëndrojnë zgjedhjet, qofshin të përgjithshme apo lokale. T'i kundërvihesh kësaj do të thotë të dalësh jashtë sistemit. Ajo forcë që bën këtë bën vetëm një vetëvrasje politike. Besoj se pavarësisht nga situata e tensionuar politike një zgjidhje do të gjendet.”

KOMENTE