English

Athina: Minoritetin grek e shohim vetëm si urë bashkëpunimi

Ky lajm është pjesë e paketës së shërbimeve për abonentët. Nëse doni të pajiseni me një emër përdoruesi dhe fjalëkalim që të përfitoni lajmet ekskluzive dhe shërbimet e tjera të Agjencisë NOA, dërgoni një kërkesë tek pr@noa.al

Athinë, 10 Shkurt 2011 NOA/ Ervin Tirana - Ne e shikojmë minoritetin etnik grek ne Shqipëri, si një urë miqësie midis dy popujve. Është e rëndësishme që edhe nga pala shqiptare, pakica kombëtare greke të perceptohet ashtu siç e konsiderojmë ne, një urë miqësie dhe bashkëpunimi.

Këto pohime i ka bërë sot në Athinë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Jorgos Delavekuras gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë.

Në këtë konferencë për media, z.Delavekuras pohoi se autoritetet greke e kanë monitoruar reagimin e mediave shqiptare lidhur me deklaratat e konsullit grek në Korçë i cili pretendoi për VorioEpir dhe për zhdukje të drojës për të shfaqur të drejtën sipas tij të të qenit grekë me kombësi apo dhe me shtetësi.

Për më tepër, Delavekuras ka bërë dhe një apel ndaj mediave dhe gazetarëve: “Ju nuk duhet të qëmtoni shkaqe për të fryrë situatat në mënyrë që të krijohet reagim”, duke nënkuptuar se mediat s’duhet t’i fryjnë të tilla deklarata që ata të mos bëhen shkak incidentesh mes vendeve.

Më poshtë vijon deklarata e plotë e bërë sot nga z.Delavekuras:

“Ne kemi ndjekur në shtypin shqiptar një debat të gjerë që ka nisur atje, lidhur me disa deklarata. Meqenëse nuk dua që të ketë keqkuptime dhe duhet të jetë i qartë se kush është pozicioni i Greqisë në këtë çështje, dua t’ju them se ne e shikojmë minoritetin etnik grek ne Shqipëri, si një urë miqësie midis dy popujve. Respektimi i plotë i të drejtave të tyre dhe zbatimi i angazhimeve dhe detyrimeve të palës shqiptare janë një barometër i marrëdhënieve tona dypalëshe, por edhe test për kursin evropian të Shqipërisë.

Çështjet e pakicave kombëtare greke shihen nga Greqia në kuptimin modern të mbrojtjes së të drejtave të minoriteteve sipas detyrimeve përkatëse ndërkombëtare dhe angazhimeve të Shqipërisë, veçanërisht në kursin e saj evropian. Kjo përfshin respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave në të gjithë territorin shqiptar duke mos u kufizuar vetëm në zonat e përcaktuara si "zona minoritare". Ne besojmë se plani për regjistrimin e popullsisë që pritet të realizohet gjatë këtij viti në Shqipëri është një mjet mbi të gjitha, i vlefshëm për vetë shtetin shqiptar.

Ky regjistrim, duhet të kryhet në përputhje me standardet ndërkombëtare, si në hartimin e pyetësorit, por edhe si një hap i nevojshëm në zhvillimin e një politike gjithëpërfshirëse për të mbrojtur të drejtat e pakicave. Së bashku me këtë, e përsëris, ky është edhe një detyrim Shqipërisë drejt Bashkimit Europian në drejtim të kursit evropian që ky vend ndjek. Marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë janë marrëdhënie strategjike për ne, janë marrëdhënie në të cilat ne kemi demonstruar se ne po qëndrojmë dhe do të qëndrojnë pranë Shqipërisë, në hapat që bën drejt Bashkimit Evropian. Sepse Greqia mbështet këtë aspiratë të rëndësishme të mbarë popullit shqiptar dhe përpjekjen që ai bën.

Ju nuk duhet të qëmtoni shkaqe për të fryrë situatat në mënyrë që të krijohet reagim. Partneriteti ynë po vazhdon në mënyrë konstante, bisedimet, kontaktet, dialogu, po vazhdojnë dhe kjo çështje, kështu duhet të trajtohet. Është e rëndësishme që edhe nga pala shqiptare, pakica kombëtare greke të perceptohet ashtu siç e konsiderojmë ne, një urë miqësie dhe bashkëpunimi”, - përfundon deklarata.

e.t/NOA

KOMENTE