Tiranë, 10 Shkurt 2011 NOA - Kryeministri Sali Berisha i dërgoi sot një mesazh ngushëllimi familjes së artistit të merituar, Gëzim Laro, ku shpreh keqardhjen e thellë për ndarjen nga jeta të njeriut të tyre të dashur.
Në këtë mesazh, Kryeministri shprehet:
“Sot është një ditë trishtimi për ju që humbët njeriun tuaj të dashur, por edhe për komunitetin e artistëve dhe artin shqiptar në tërësi, i cila humbi një personalitet me kontribut të madh dhe trashëgimi të vyer si violonçelist dhe koncertmaestër në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Gëzim Laro ka debutuar me sukses në skenat botërore dhe i ka bërë të njohur botës talentin artistik shqiptar. Dekada me radhë, Gëzim Laro, me pasion ia dedikoi jetën formimit të brezave të talenteve të reja artistike, në Akademinë e Arteve. Me këtë rast, unë i shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së Zotit Laro dhe komunitetit artistik të vendit”, - përfundon mesazhi i kreut të Qeverisë.
e.r/NOA