Tiranë, 10 shkurt, NOA – Kryeministri Berisha drejtoi sot mbledhjen e Task-Force për privatizimin, në të cilën u diskutua mbi procesin e privatizimit të aksioneve në pronësi të qeverisë në sipërmarrjet strategjike, sipërmarrjeve të tjera, të vogla e të mesme dhe objekteve publike të përcaktuara për privatizim, me përjashtim të hidrocentraleve e digave të mëdha, shkollave, spitaleve, ndërtesave publike e zyrave.
Kryeministri Berisha, duke evidentuar se janë 1280 sipërmarrje dhe objekte publike për privatizim, u kërkoi anëtarëve të Task Force-s të mobilizohen të gjitha potencialet dhe burimet njerëzore që ky proces të finalizohet brenda këtij viti.
“Ky proces, - tha kryeministri, - është i një rëndësie përcaktuese, së pari, për luftën kundër korrupsionit, që mbetet gjithnjë kriteri dhe shtylla e parë e reformës sonë ekonomike. Të gjithë këto sipërmarrje dhe objekte duhet të kalojnë në duart e sektorit privat për menaxhim”.
Duke shtuar se objektiv madhor i qeverisë për këtë vit është finalizimi i privatizimit për të gjitha asetet e përcaktuara për këtë proces nga të gjitha ministritë, si në rrafshin e aksioneve që kanë mbetur në sipërmarrjet strategjike dhe sipërmarrjet e paprivatizuara, ashtu edhe në rrafshin e të gjitha aseteve dhe sipërmarrjeve të tjera që janë për t’u privatizuar.
Në total, këtë vit duhet të privatizohen rreth 1280 sipërmarrje dhe objekte.
n.e/NOA