English

Dioguardi: Borxhi i madh i SHBA, çfarë nevojitet

INTERVISTA/ Xho Dioguardi, kryetar i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, i cili humbi në garën për senatin amerikan vitin e kaluar, thotë në një intervistë për radion Zëri i Amerikës se po përpiqet të ndërgjegjësojë amerikanët rreth borxhit të madh të jashtëm që ka vendi. Ish-kongresmeni ka krijuar për këtë qëllim edhe një fondacion

Meqenëse ju jeni marrë shumë me çështje politike, me Shqipërinë dhe me Kosovën, për shembull, pak njerëz e dinë se ju e keni filluar karrierën si auditor dhe kur u bëtë anëtar i Kongresit ju e përdorët profesionin tuaj për të tërhequr vëmendjen te shpenzimet e pakontrolluara të qeverisë, madje shkruat edhe librin Kongresi i papërgjegjshëm. Si lindi ideja për këtë libër?

Unë kisha punuar për 22 vjet me radhë për firmën më të madhe të kontabilitetit në Amerikë. Ajo firmë ishte e para që propozoi idenë e ashtuquajtur “E vërteta në qeverisje”. Me pak fjalë kjo do të thoshte se llogaritë financiare dhe buxheti i qeverisë duhet të jenë po aq në rregull sa duhet jenë edhe ato të çdo korporate publike. Kështu që, kur erdha në Kongres në vitin 1985, u habita kur mësova se isha ligjvënësi i parë i zgjedhur ndonjëherë që kisha profesionin e auditorit. Prandaj mendova se do të ishte me vlerë që të përqendrohesha te çështja e përgjegjshmërive financiare të qeverisë. Kështu, fillova të flas për mentalitetin e kartës së kreditit që ne kemi këtu në Shtetet e Bashkuara. Shikojeni këtë. Kjo është një kartë votimi që përdoret në Kongresin amerikan, pra futet në një aparat dhe pastaj shtypet butoni po ose jo. Gjithnjë kam menduar se çdo herë që unë e përdorja këtë kartë, pra sa herë që votoja në Kongres, nuk bëja gjë tjetër veçse rrisja borxhin kombëtar të vendit. Prandaj i thosha vetes, kjo nuk është një kartë e thjeshtë votimi, por është në fakt një kartë krediti tepër e shtrenjtë, më e shtrenjta në botë, sepse ne e përdornim atë pa limit, duke thënë: le t’i shlyejë këto borxhe presidenti që do të vijë më pas.

Por a nuk ishte Amerika në atë kohë në gjendje më të mirë financiare se sa është sot? Pra ju kishit luksin që ta përdornit më lirisht këtë kartë, apo jo?

Po, ishte në gjendje më të mirë sepse në atë kohë borxhi ynë kombëtar ishte vetëm disa trilionë dollarë, ndërsa sot ne kemi 14 trilion dollarë borxh. Problemi është se 14 trilion janë borxhe në formë bonosh thesari, pra që figurojnë në librat tona të kontabilitetit. Mirëpo ajo që nuk figuron fare në këto llogari janë borxhet e tjera që ne nuk i regjistrojmë si paratë që ne shpenzojmë për sigurimet shoqërore, kujdesi shëndetësor për të moshuarit, pensionet e ushtarakëve dhe programe të tjera të qeverisë. Po të shtohen edhe këto, atëherë borxhi ynë kombëtar arrin në 63 trilionë dollarë. Prandaj edhe unë vura kandidaturën për në Senat vitin e kaluar.

Pra, në atë kohë ju shkruat dhe botuat këtë libër. Çfarë propozonit në thelb me këtë libër?

Ajo që propozoja unë ishte që ne të fillonim t’i tregonim të vërtetën popullit amerikan për borxhin që ne kishim. Ne nuk mund të vazhdojmë të shpenzojmë pa kufi dhe të mos i regjistrojmë shpenzimet tona. Sepse një ditë këto borxhe do të duhet të paguhen. Për shembull, sigurimet shoqërore. Nëse na shterojnë paratë, si do të ndiheshin njerëzit kur t’u themi se për ta nuk do të ketë më pension. Kjo duhet zgjidhur dhe ne ende kemi kohë por jo shumë kohë. Kjo është arsyeja që në Kongresin e ri janë zgjedhur shumë njerëz nga e ashtuquajtura Tea Party. Këta njerëz janë ngopur tashmë duke parë se ne po shpenzojmë para që nuk i kemi.

Pra anëtarët e rinj të Kongresit janë më të prirur për të luftuar shpenzimet e tepruara qeveritare?

Po. Para se të vija në Uashington nga Nju Jorku, u dërgova anëtarëve të rinj të Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit një letër bashkë me një kopje të librit, ku u thosha se po vij për të formuar një komision jo-zyrtar në Kongres ku të flitet mbi çështjen e përgjegjshmërisë. Sot, përgjegjshmëria është një fjalë shumë e rëndësishme. Nëse ne përdorim paratë e taksapaguesve, sa mirë i përdorim ato, me sa objektivitet dhe transparencë i përdorim ato. Prandaj unë po përpiqem të bind anëtarët më të rinj të Kongresit që të jenë më kërkues për të ndryshuar rregullat me të cilat kemi vepruar deri tani.

Po, por vendi sapo ka dalë nga recesion i thellë dhe administrata ka nevojë të shpenzojë, për shembull për krijimin e vendeve të punës. Si do t’i balanconit ju këto dy gjëra?

Është e vështirë, keni të drejtë. Por ne duhet të kuptojmë se ndonëse duhet ta stimulojmë ekonominë në një farë mase duke shpenzuar para si qeveri, ne duhet t’u japim fund shpenzimeve të tepruara sepse këto janë para që ne nuk i kemi, por i marrim borxh. Kjo është e rëndësishme sepse sot Banka Qendrore po i mban interesat të ulëta, inflacioni është i ulët dhe qeveria po vazhdon të hedhë në treg para. Mirëpo më vonë kjo mund të çojë në rritjen e inflacionit, mund të çojë në interesa më të larta dhe nëqoftëse ne nuk kemi një zgjidhje qysh tani, më vonë do të na duhet t’i paguajmë interes më të lartë Kinës dhe vendeve të tjera të cilave u kemi marrë borxh.

A do të thotë kjo se amerikanët duhet të bëjnë më shumë sakrifica?

Çështja është se Presidenti Obama si udhëheqës duhet ta shtrojë këtë qysh tani, pra se ne jemi në një luftë ekonomike, e cila kërkon një farë sakrifice nga secili. Pra i duhet thënë popullit amerikan se duhet rindërtuar fuqia e Amerikës nëse nuk duam të shohim Kinën të bëhet numri një në botë. Shpresoj se Presidenti Obama në dy vitet e tjera të mandatit do ta bëjë këtë.

Ju nuk arritët të zgjidheshit në Senatin amerikan megjithëse luftuat fort. Cili është hapi juaj i ardhshëm, çfarë do të bëni pas kësaj? E dija se gara do të ishte shumë e vështirë sepse Nju Jorku ka shumë më tepër demokratë se sa republikanë. Megjithatë arrita fitore në garën brenda partisë republikane. Në të ardhmen mund të kandidoj përsëri por tani po punoj me fondacionin që kam krijuar “E vërteta në qeverisje”. Ribotova librin, po udhëtoj nëpër Amerikë për të mbajtur fjalime dhe po flas nëpër programet televizive në të cilat flisja kur isha kandidat, si Fox dhe CNBC. Qëllimi im është t’u kërkoj njerëzve të zgjohen, që ne si vend të jetojmë brenda mundësive tona ekonomike, në mënyrë që ta shpëtojmë botën nga një fuqi tjetër e cila nuk do të ishte aq demokratike sa Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

KOMENTE