ENGLISH VERSION
Tiranë, 10 Shkurt 2011 NOA/ Ervin Tirana/ I plotë - Ka gjithmonë një zgjedhje midis përplasjes dhe kompromisit. BE dhe Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë që kjo është zgjedhja që do të bëjnë këta udhëheqës.
Këtë pohim e bëri mbrëmjen e së Mërkurës, Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shtetit të SHBA Tom Kantrimen, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët në mjediset e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.
Duke theksuar se nuk bëhet fjalë që zgjidhja e krizës në vendin tonë të vijë nga ndërkombëtarët, z.Kantrimen, duke shtruar pyetjen a ka shpresë?, pohoi: “Shpresë ka gjithmonë. Për të pasur shpresë, të gjitha palët duhet të kuptojnë që ka gjithmonë një zgjedhje – asnjë udhëheqës politik nuk është i ngecur në një pozitë ku ka vetëm një zgjedhje të mundshme”.
Më poshtë vijon i zbardhur i plotë, bashkëbisedimi pyetje-përgjigje:
Shqipëria është një faktor i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët në rajon. A keni parë tek opozita dhe tek qeveria një përgjegjshmëri që, në rast destabilizimi në Shqipëri, ky mund të pasqyrohej tek shqiptarët në Greqi, Maqedoni, Kosovë, dhe Malin e Zi? Së dyti, rezultati i zgjedhjeve të fundit ishte shumë i ngushtë dhe shohim që palët nuk bien dakord për zgjedhje të parakohshme. Po të marrim parasysh faktin që 600,000 shqiptarë duan zgjedhje të parakohshme, a do të ishte e drejtë që ata të ushtronin presion për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve mbi palën që nuk është dakord për mbajtjen e tyre?
Dy pyetje mjaft të ndryshme. Lidhur me të parën, pra marrëdhëniet rajonale. Kam avantazhin që u largova nga çështjet e Ballkanit për disa vjet dhe u ktheva përsëri. Shoh përparim dramatik anembanë rajonit krahasuar me dhjetë vjet më parë. As Shqipëria as ndonjë prej fqinjëve të saj nuk kanë arritur përsosmërinë në demokraci në dhjetë vitet e fundit, por të gjitha kanë bërë përparime dramatike. Për pasojë, mendoj se nuk ekziston i njëjti shqetësim për një kalim të destabilitetit nga një vend tek tjetri për të cilin mund të shqetësoheshit dhjetë vjet më parë. Secili prej fqinjëve të Shqipërisë i do të mirën asaj dhe shpreson të shohë një zgjidhje paqësore kushtetuese drejt një përparimi të rigjallëruar në Shqipëri. Po kështu, secili prej fqinjëve të Shqipërisë ka problemet e veta të brendshme politike që janë shumë më të rëndësishme se sa ndonjë ndikim që mund të vijë nga një vend fqinjë. Secilit prej nesh i duhet të shqetësohet për gjërat një nga një.
Në fakt, e kisha fjalën jo vetëm në vendet fqinje, por tek shqiptarët që jetojnë në vendet fqinje.
Mendoj se shqiptarët etnikë, shtetas të cilitdo vendi qofshin, dëshirojnë stabilitet në vendin ku jetojnë. Shoh parti kryesisht shqiptare etnike në Republikën e Maqedonisë që kanë dhënë kontribut shumë pozitiv për stabilitetin dhe përparimin e atij vendi. Në Kosovë, shoh kushtetutën më përparimtare në Europë, për nga mbrojtja e të drejtave të pakicave. Në mendimin tim, shqiptarët etnikë, qofshin në Shqipëri apo në një vend fqinjë, duan të japin pikërisht atë lloj kontributi pozitiv dhe paqësor dhe kam besim që pikërisht këtë do të bëjnë.
Lidhur me pyetjen e dytë, meqë është shumë hipotetike, më lejoni të përgjigjem në mënyrë hipotetike. Kurdo që 600,000 shtetas të një vendi flasin me një zë mbi çfarëdo çështjeje – kjo është diçka serioze dhe i duhet vënë veshi. Por, shqetësimi im është që të shoh çdo qytetar të Shqipërisë të ketë shansin të shprehë pikëpamjet e veta në mënyrë të ndershme dhe të lirë. Kjo do të thotë – zgjedhje. Zgjedhjet e radhës në kalendar janë zgjedhjet vendor edhe aty është mundësia për të dy partitë dhe qytetarët që të shprehin argumentet e tyre dhe të flasin në mënyrën më të epërme paqësore që demokracitë kanë.
Z. Kantrimen, përtej krizës politike midis shumicës dhe opozitës e cila ka vazhduar për dy vjet, sot kemi një konflikt më të thellë: midis qeverisë dhe tre institucioneve të pavarura. Ky është një konflikt që ditët e fundit ka arritur deri në akuza të forta për grusht shteti. Cili është mesazhi që do t’u jepnit partive – qeverisë nga njëra anë dhe tre institucioneve nga ana tjetër, duke pasur parasysh që ndërkohë që qeveria dhe opozita kanë gjetur kompromise në të kaluarën, por do të ishte e vështirë të gjendej kompromisi me këto tre institucione?
Pyetje me vend. Nuk duhet të ketë kurrfarë dyshimi që kushtetuta e Shqipërisë u jep këtyre institucioneve të pavarura fuqi të rëndësishme dhe përgjegjësi të rëndësishme. Ato duhen lejuar të bëjnë punën e tyre pa iu ndrojtur pasojave politike. Ne do t’i mbështesim në përpjekjet e tyre për ta bërë këtë dhe, ngaqë jemi amerikanë dhe kemi gjithmonë plot këshilla, hera-herës do t’u japim këshillat tona edhe atyre institucioneve të pavarura. Nuk besoj që konflikti midis Shqipërisë dhe këtyre institucioneve të pavarura është i pashmangshëm. Është një kohë e çmuar si për qeverinë ashtu edhe për këto institucione dhe, për të njëjtën arsye, edhe për opozitën, që të marrin këshillën që ofroi javën e kaluar Ambasadori Arvizu: të përpiqen të kalojnë një ditë duke dëgjuar dhe jo duke folur. Në këtë kryeqytet ka një ortek fjalësh çdo ditë por ka shumë pak dialog.
Sapo jeni takuar me përfaqësues të shumicës, opozitës, presidentin. Lidhur me zgjedhjet vendore: a vazhdoni të keni të njëjtat shqetësime lidhur me mosmbajtjen e tyre ashtu si kur erdhët, apo mendoni se diçka ka ndryshuar në qëndrimin e opozitës?
Siç e thashë, mendoj se nuk është as e mençur as e përgjegjshme të kërcënosh se do parandalosh mbajtjen e zgjedhjeve vendore. Së bashku me ambasadorin, ia përcollëm këtë të gjithë personave me të cilët u takova sot. Secili prej tyre dëgjoi me vëmendje dhe shpresoj se do të ketë njëfarë ndikimi në rrugën që do të ndjekin në të ardhmen.
Z. Kantrimen, si gazetarë, jemi të interesuar për lajmet më të fundit. Meqenëse ju shpresojmë të keni lajmet më të fundit nga takimet me udhëheqësit, do të ishim të interesuar të dinim nëse ka ndonjë ndryshim në qëndrimin e dy grupeve politike lidhur me situatën? Tani, shqiptarët dëgjojnë vetëm opozitën që bën thirrje për protesta dhe dorëheqjen e qeverisë nga njëra anë ose qeverinë, partinë në pushtet, që bën akuza për grusht shteti, në anën tjetër. Si shqiptar, më duken shumë dëshpëruese. A kemi ndonjë shpresë për ndryshim?
Ka dy pika këtu. Së pari, ajo që ambasadori dhe unë iu thamë të dy udhëheqësve sot, në fakt, ishte shumë e ngjashme me leksionin tim të vogël përpara jush sonte. Historikisht, të dyja këto parti, ashtu si pothuajse çdo shqiptar, kanë qenë miq të Shteteve të Bashkuara. Për rrjedhojë, i flasim njëri-tjetrit në mënyrë shumë të drejtpërdrejtë por miqësore. Gjithashtu kemi edhe një marrëveshje të cilën ju mund të na ndihmoni t’i përmbahemi. Që do të thotë, ambasadori dhe unë nuk flasim në emër të tyre përpara shtypit dhe ata nuk flasin në emrin tonë. Nuk pretendoj të interpretoj atë se çfarë ka thënë secili prej zotërinjve dhe çfarë do të bëjnë nesër. Nëse ndonjë qytetar shqiptar dëshiron të dijë se çfarë mendojnë Shtetet e Bashkuara, mund të lexojnë fjalët e mia dhe fjalët e ambasadorit, të cilat jam i sigurt që do t’i raportoni të gjitha. Dhe, nuk ka nevojë të shkojnë tek ndonjë nga partitë për të marrë interpretimin e asaj që besojnë Shtetet e Bashkuara.
Së dyti, shpresa: a ka shpresë? Shpresë ka gjithmonë. Për të pasur shpresë, të gjitha palët duhet të kuptojnë që ka gjithmonë një zgjedhje – asnjë udhëheqës politik nuk është i ngecur në një pozitë ku ka vetëm një zgjedhje të mundshme. Ka gjithmonë një zgjedhje midis përplasjes dhe kompromisit. BE dhe Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë që kjo është zgjedhja që do të bëjnë këta udhëheqës.
Z. Kantrimen, opozita shqiptare ka bërë të qartë që do të bojkotojnë zgjedhjet vendore, së pari duke mos paraqitur listat në KQZ dhe së dyti, duke u përpjekur të motivojnë militantët partiakë duke thënë që faktorët ndërkombëtarë nuk do të bëhen pjesë e një procesi ku mungon opozita. Cili është mesazhi juaj për këtë qëndrim të fundit të opozitës?
Këtu ka një ekspert të mirëfilltë për zgjedhjet dhe ky është kreu i pranisë së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Volfart. Ai është eksperti ndaj më e mira që mund të bëj është të përkrah pohimin e tij. Ai u shpreh që dështimi për të paraqitur emërimet e komisionerëve në KQZ ishte një “shpërfillje e hapur për aspiratat demokratike të qytetarëve shqiptarë nga partitë politike.” Unë nuk e them dot më mirë. Partitë politike duhet që, jo si çështje politike, por si çështje kushtetuese, të paraqesin emrat dhe të planifikojnë për zgjedhjet vendore. Kjo duhet të jetë kërkesa e popullit shqiptar. Në çdo demokraci, hera-herës partitë mendojnë që i zotërojnë ato zgjedhjet. Nuk është kështu. Pronar i zgjedhjeve është populli. Populli duhet të ketë një zgjedhje midis kandidatëve dhe kjo nënkupton pjesëmarrje në zgjedhjet vendore.
FUND