iranë, 10 shkurt, NOA - Hetimi dhe gjykimi i çështjes penale lidhur me ngjarjen tragjike të Gërdecit, ishin dhe mbeten një provë e rëndësishme për të vlerësuar mënyrën e funksionimit të organeve të drejtësisë në vend.
Me një qëndrim të tillë ka dalë sot Komiteti Shqiptar i Helsinkit mbi çështjen ‘Gërdeci’ duke vënë në dukje faktin se situata në të cilën ndodhet ky proces, kur përfundimi i gjykimit duket i afërt dhe për të gjithë të akuzuarit ka rënë masa e sigurimit ‘Arrest në burg’, për shkak të skadimit të afateve procedurale, ka shkaktuar adresimin e kritikave të shumta ndaj organeve të drejtësisë, si nga brenda e jashtë vendit.
Dhe besimi i familjarëve të viktimave ndaj këtyre organeve, siç del nga deklarimet e tyre, duket mjaft i lëkundur.
“Organet e drejtësisë kanë për detyrë të zgjidhin drejt e në bazë të ligjit çështjet konkrete që iu parashtrohen për shqyrtim, si dhe në veprimtarinë e tyre në tërësi, të kultivojnë tek shtetasit besimin se drejtësia do të jepet bazuar në ligj, në mënyrë të barabartë për këdo dhe brenda një afati kohor sa më të arsyeshëm”, citon ky organizëm.
Duke përfunduar se “E shikon të nevojshme të theksojë se organet e drejtësisë nuk duhet ta shikojnë veten si të imunizuar nga çdo vlerësim që opinioni publik mund t’i bëjë atyre, lidhur më mënyrën sesi funksionojnë dhe përmbushin misionin kushtetues. Pa ndërhyrë në kompetencën e pushtetit gjyqësor për të zgjidhur çështje gjyqësore konkrete opinioni publik është i lirë të diskutojë dhe krijojë opinionin e tij mbi këto organe, opinion i cili natyrshëm ndjek dhe korrektohet sipas ndryshimeve që pëson niveli i efektivitetit dhe veprimtarisë së këtyre organeve”.
n.e/NOA