Tiranë, 10 shkurt, NOA – Nxjerrja e të dhënave hetimore për 21 janarin, është një skandal i papranueshëm, pasi cënohet shteti i së drejtës dhe komprometohet hetimi.
Kështu deklaroi sot për mediat, Ylli Manjani, sekretar për çështjet zgjedhore në Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Sipas tij, kjo forcë politike paraqitet e shqetësuar për përhapjen e të dhënave hetimore që janë marrë nga prokuroria e shteti, në rastin e hetimit të ngjarjeve të 21 Janarit.
“Po përhapen të dhëna, të marra në mënyrë të ligjshme dhe përhapja vetë është një shkelje e hapur të ligjit proçedurial penal por dhe të ligjit penal gjithashtu.
Si profesionit i së drejtës në këtë vend, por dhe si përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim e konsiderojmë këtë akt të pashembullt, një skandal i pashembullt që nuk shkon për shtat me parimet e shtetit të së drejtës, nuk shkon për shtat me parimet e një hetimi të drejtë të paanshëm dhe mbi të gjitha i të besueshëm. Kjo sjellje, kushdo që ta ketë bërë, aq më keq nëse është e prokurorisë mbi të gjitha komprometon parimin e dhënies së drejtësisë”, tha ai.
Duke theksuar se mbi të gjitha kjo sjellje, komprometon një sërë parimesh kushtetuese për hetimin dhe në radhë të parë komprometon parimin e prezumimit të pafajësisë.
“Dalja e dëshmive në publik, apo e të dhënave të tjera hetimore, në kundërshtim të hapur me sa parashikon kushtetuta e vendit por dhe ligji proçedurial penal është në fakt një arsye e fortë ligjore që nesër në gjykim këto të dhëna, këto prova, të mos konsiderohen, dhe ky është skandali”, përfundoi ai.
n.e/NOA