Shpresoj se ende kanë mbetur deputetë me integritet moral, njerëzor dhe kombëtar dhe se ata do të veprojnë në përputhje me ndërgjegjen e tyre njerëzore dhe kombëtare. Tjetër mundësi nuk shoh që të dalim nga kjo kënetë politike, me baltë të gjallë. Nëse dikush dëshiron të mbetet ende pjesë e kënetës, rruga e mbarë i qoftë. Mirëpo, ne nuk duhet t’i shtrijmë dorën e shpëtimit, nëse fillon të përmbytet
Nga Behxhet Sh. Shala
Një manual për presidentin koncesual: “ Nuk do të bëhem kurrë president pa votën e qytetarit të Kosovës dhe nuk do të pranojë të jem pjesë e pazareve politike vetëm sa për të marrë këtë post”. Kështu deklaronte, jo shumë moti pronari i një ndërrmarjeje politike të quajtur AKR i cili pastaj, duke u bashkuar me disa kiosqe politike me firma të subjekteve politike e bëri një kompani politike duke e emërtuar Aleanca për Kosovën e Re. Sepse, kjo Kosova e Vjetër apo Kosova Plakë nuk u pëlqen më ndonëse e kanë mjelur, deri në palcë. Disa prej tyre e kanë mjelur edhe popullin e Kosovës në kohën e Titos dhe Sllobodan Millosheviqit dhe tash, për kah trimëria po e shkelin Adem Jasharin ndërsa për kah sakrifica politike dhe kombëtare po e shkelin Adem Demaçin. Në fakt, dy ademat po i shkelin ata që kanë luftuar dhe vepruar me dy ademat dhe tash po “ luftojnë” dhe “veprojnë” me antikombëtarët që po përpiqen, të bëhen kombëtarë. Kush e përmend sot Adem Jasharin dhe sakrificën e tij?. E përmendin ata që duan ta përdorin sakrificën e tij biblike si kartelë kredie për të hapur dyert e thesarit apo grazhdit. Për të kullotur në këtë grazhd deri sa t’u mbetet në fyt. Dhe do t’u mbetet, pa as një dyshim. Në momente të caktuara e rikonfirmojnë” besnikërinë” ndaj Prometeut të lirisë së Kosovës duke u përqyrrur dhe përjargur para varrit të tij. Prandaj, do të duhej të rregullohej se kush ka të drejtë të shkojë te Vendi ku u Fitua Liria dhe Pavarësia ( kjo që është ) e Kosovës e që dikush e quan Varri i Adem Jasharit. Deri atëherë, të vdekurit për së gjalli të shndërruar në varreza masive lëvizëse, duke shkuar te Vendi – Universiteti Kombëtar në Prekaz bëjnë përpjekje false të shndërrohen në panteonë të gjallë të atdhedashurisë. Tmerr dhe e turpshme. E pafytyrë dhe dyfytyrëshe. Kush sot interesohet për “ Simbolin e Rezistencës Kombëtare “ dhe “ Heroin e Gjallë të Kosovës “ ?. Ata pak shokë të marrë ( idealistë ) që i kanë mbetur. Mos e ka Baca Adem një zyrë me sigurim, personel, pasaportë diplomatike, sigurime shëndetësore personale dhe familjare apo rezidencë ? Asnjërën prej tyre. A ka rezidencë sikur këta që spekuluan dhe shpërdoruan vullnetin dhe paratë e popullit?. A ka zyrë në godinat institucionale ?. Nuk ka, natyrisht. Në mungesë të një adrese politike e ka një adresë ku jeton në Prishtinë. Është një banesë për shfrytëzim e një shoku në katin e pestë në Lagjen Kodra e Diellit. Për të hyrë në banesë duhet t’i kalojë në këmbë mbi 100 shkallë. Në kohën kur spekulantët dhe shpërdoruesit i kanë zyrat dhe rezidencat në katin e parë. Jo, pronë e tyre. Është e vërteta që e ka një pagë, pension, lëmoshë, donacion bëmirësie, alimentacion shtetëror, bursë apo nuk di si ta quaj e që e ka një vlerë fikse që nuk ndryshon fare. E ka edhe një veturë që është më e lodhur se pela e Mulla Ahmetit, pas një kohe pesë vjeçare pa shi. Ndërkaq, keni x injorantë të cilët e simulojnë rolin e politikanit me xhipa mbi 100.000 euro që bëjnë shtatë pale qejfe në Kosovë dhe shtetet tjera. Kështu në Kosovë trajtohet “ Heroi i Gjallë”. Merreni tash me mend si trajtohen heronjtë e vdekur. Prandaj, faturat morale dhe të ndërgjegjes të Adem Jasharit dhe Adem Demaçit kanë filluar të shkojnë në adresa të duhura. Po trokasin, për çastin. Për t’ju bërë me dije se kanë hyrë në shumë borxhe. Ndaj të vdekurve dhe ndaj të gjallëve.
Po çfarë presidenti i duhet sot Kosovës ? A i duhet një president që nuk ka bagazh kombëtar, njerëzor, integritet moral, shtyllë kurrizore që i ka falë Zoti dhe njeri që nuk ka dhënë prova të sakrificës për të mirën e popullit të vet dhe njerëzimit? Kosova nuk ka nevojë për kësi presidenti. President sipas këtij modeli mund të pjellë vetëm si rezultat i pazareve të pista politike. Kosova ka nevojë për një president konsensual. I pranuar nga pjesa dërrmuese e deputetëve të Kuvendit të Kosovës e jo si lojë e kombinimeve politike, ndërpartiake. Në rrethana siç po veprohet tani, Kosova nuk mund të ketë president të pranuar nga shumice dhe i cili do të ishte simbol i unitetit. Llaskucët mund ta propozojnë vetëm një president siç janë edhe vet ata, një president llaskuc. Për ta prerë këtë Nyje të Gordit, shërbimin më të mirë dhe që e kanë edhe detyrim moral, njerëzor dhe kombëtar do të duhej ta bëjnë dhe realisht mund ta bëjnë deputetët e Kuvendit të Kosovës. Në mungesë të një autoriteti ligjor për të propozuar kandidatin konsensual për president ( do të ishte mirë që të jetë jashtëpartiak) këtë do të duhej ta bënin deputetët e Kuvendit të Kosovës, qysh në seancën e parë parlamentare. Ata, me një kërkesë të 30 deputetëve të nënshkruar ( një koalicioni ) do të mund të propozonin kandidatin për president të Kosovës dhe pastaj ky propozim do të hidhej për votim. Në këtë mënyrë do të përjashtohej mundësia e emërimit të presidentit si rezultat i marrëveshjeve të ndyra politike dhe do të parandalohej përpjekja që të kontrabandohet ndonjë antivlerë kombëtare dhe njerëzore për postin e presidentit. Sipas konstelacionit aktual politik, presidenti që do të zgjidhej si rezultat i kompromiseve të pista politike do ta zhyste vendin në një krizë edhe më të thellë e cila pashmangshëm do të çonte në zgjedhje të reja. Pa president të pranueshëm nga shumica, nuk mund të ketë as qeveri e as qeverisje të qëndrueshme. Do ta kemi një situatë që edhe deputetët e partisë që ka fituar shumicën, në një votim të fshehtë do të votonin kundër kandidatit për president. Dhe do të kishin shumë të drejtë. Dhe do të ishin krejt të marrë nëse nuk do ta bënin këtë. President nuk mund të bëhet vetëm se ka dëshirë të bëhet dhe nëse ka para. Dhe se me këto para i blenë llaskucërit e “ bazës deleguese “ që kushtëzojnë në stilin :” ose filani president, ose do të bëhet kijameti”. Ky nuk mund dhe nuk do të duhej të bëhet president. Në as një mënyrë. Nëse i nënshtrohet votimit në Kuvendin e Kosovës, si kandidat i propozuar dhe i pranuar nga deputetët atëherë çdo gjë do të ishte në rregull. Në fund të fundit, në situatën në të cilën jemi askush përveç deputetëve nuk ka të drejtë të propozojë kandidatin për president. Përveç nëse nuk e shkel Kushtetutën. Mund të hyjmë në improvizime por fundi do të jetë gjithmonë; zgjedhje të jashtëzakonshme. A nuk jemi lodhur më me to? Na kanë dalë për hunde.
Si përfundim. Shpresoj se ende kanë mbetur deputetë me integritet moral, njerëzor dhe kombëtar dhe se ata do të veprojnë në përputhje me ndërgjegjen e tyre njerëzore dhe kombëtare. Tjetër mundësi nuk shoh që të dalim nga kjo kënetë politike, me baltë të gjallë. Nëse dikush dëshiron të mbetet ende pjesë e kënetës, rruga e mbarë i qoftë. Mirëpo, ne nuk duhet t’i shtrijmë dorën e shpëtimit, nëse fillon të përmbytet.