Tiranë, 10 shkurt 2011, NOA – Pas ndërprerjes për pak minuta, seanca e kuvendit ka rinisur me tension, ndërkohë që fjalën e mori Ministri i Mbrojtjes Arben Imami, i cili nën sharjet e deputetëve të opozitës ka deklaruar se opozita nuk e ka njohur kurrë legjitimitetin e këtij parlamenti pasi nuk njohu zgjedhjet e 2009-ës dhe sipas Imamit opozita po rreket të krijojë tension më qëllim që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
“Kjo është një politikë e njohur nuk është e re”, theksoi Ministri i Mbrojtjes në fjalën e tij duke theksuar se kjo ishte taktika e kryesocialistit Edi Rama, i cili nuk kandidoi në zgjedhjet e 2009-ës, me qëllimin e vetëm që të godiste parlamentin nga xhamat e selisë rozë.
Imami i bëri thirrje opozitës se “Po fyeni në mënyrë të patolerueshme një institucion të shtetit. Nuk do të mund të arrini të pushtoni këtë parlament”, nënvizoi Ministri i Mbrojtjes.
Duke iu përgjigjur fyerjeve të opozitës, që e shante “o legen” zoti Imami theksoi se fyerjet e opozitës nuk e prekin.
Ai u apeloi deputetëve të opozitës të ulen e të respektojnë procedurën, në mënyrë që të dyja palët si opozita dhe mazhoranca të flasin në mënyrë të barabartë, pasi sikundër tha Imami, kjo është më e arsyeshme se çdo propagandë.
“Nëse doni të vazhdoni këtë luftë, jeni në rrugën e gabuar, pasi roli i deputetit nuk është protesta”, tha Ministri i Mbrojtjes.
Ministri i Mbrojtjes bëri me dije se “Opozita tenton të rrisë tensionin në vend. Opozita kurrë nuk e pranoi faktin që humbi zgjedhjet e vitit 2005, duke e treguar këtë edhe me spektaklin e bilbilave. Humbja e zgjedhjeve të 2007-ës, është edhe arsyeja që kryetari i PS-së kërkon të bojkotojë zgjedhjet e 8 majit”, sqaroi Ministri Imami.
Ai cilësoi se ngjarja e 21 janarit ishte një dhunë e zhvilluar në mënyrën më lakuriqe, dhe kundër tendencës së vendit për stabilitet e integrim.
Imami u kujtoi socialistëve të dëgjojnë këshillën e Zëvendësndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit, Thomas Countryman, i cili gjatë konferencës së mbrëmjes së shkuar në Tiranë i kërkoi opozitës të ndjekë rrugën institucionale në kundërshtimin ndaj mazhorancës qeverisëse.
Duke qenë se tensioni në në sallën e parlamentit nuk u ul për asnjë moment, pas fjalës së Ministrit të Mbrojtjes, Kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli i ka bërë thirrje opozitës të ulet në vendet e saj e për procedurë i dha rishtas fjalën Kryetarit të Grupit Kuvendor Socialist, Gramoz Ruçi.
Zoti Ruçi theksoi se është e pafalshme që pikërisht Kryeministri Sali Berisha dhe Ministri i Brendshëm Lulzim Basha, përgjegjësit e 21 janarit mungojnë në këtë seancë parlamenti, e cila në rend të ditës kishte diskutime mbi ngjarjet e 21 janarit dhe vrasjet e katër demonstruesve të pafajshëm.
Pas fjalës së Ruçit deputetët e opozitës kanë bojkotuar seancën e Kuvendit dhe Kryeparlamentarja Topalli ka vijuar me miratimin vetëm me votat e mazhorancës nen për nen të projektligjeve që janë në rend të ditës.
Tensioni në sallën e Kuvendit erdhi në momentin e përplasjes me grushta të deputetit Armando Prenga dhe atij Edi Paloka, pas të cilit deputetët e opozitës iu afruan podiumit të kuvendit, duke dëshmuar se pas dy javëve mungesë të parlamentit kjo do të jetë një taktikë e vazhdueshme e opozitës për të akuzuar e kundërshtuar mazhorancën qeverisëse.
Tashmë me miratimin e projektmarrëveshjeve në Kuvend, seanca e Parlamentit është deklaruar e mbyllur nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
mit/NOA