English

Për gazetarët, puna në Rusi po bëhet gjithnjë e më e vështirë

Moskë, 10 shkurt, NOA – Moska i ka refuzuar hyrjen korrespondentit të gazetës "Guardian", Luke Harding. Më parë britaniku kishte botuar artikuj kritikë ndaj Kremlinit.

Gazetarët e huaj në Moskë nuk pranojnë auto-censurën.

"Reagimet tona të para ishin tronditja dhe indinjata", thotë Elsa Vidal nga organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut "Reporterë pa kufij". Dëbimi i gazetarit britanik Luke Harding i gazetës "Guardian", një vit para zgjedhjeve presidenciale në Rusi, është një paralajmërim për të gjithë korrespondentët e huaj në Rusi. Synimi është, që ata të detyrohen të bëjnë vetë-censurë.

Vidal është e bindur, se në sfondin e atentatit të fundit terrorist në aeroportin e Moskës Domodedovo dhe situatës së tensionuar në Kaukaz puna për gazetarët në Rusi po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme.

Gazetarit Harding në fillim të muajit iu refuzua pa asnjë arsyetim nga autoritetet ruse hyrja në Rusi, megjithëse kishte një vizë të vlefshme. Sipas gazetës "Guardian" korrespondenti ishte ndaluar gjatë kontrollit të pasaportave në aeroport. Atij i ishte anulluar viza, dhe ishte nisur për në Britanin e Madhe me fluturimin e parë të mundshëm. "Për ju Rusia i ka dyert e mbyllura" - kështu i kanë thënë punonjësit e kufirit në aeroport gazetarit, njofton "Guardian".

Shumë artikuj kritikë për Kremlinin

Në dhjetor të 2010 "Guardian" kishte publikuar një artikull të gazetarit Harding, sipas të cilit kryeministri rus Vladimir Putin ka pasur dijeni në vitin 2006 për vrasjen me helmim, që do t'i bëhej ish-punonjësit të shërbimit sekret rus Aleksandr Litvinenko në Londër. Në artikullin e tij Harding i referohej një diplomati amerikan të nivelit të lartë në Evropë. Vrasja e kritikut të Putinit Litvinenko është ende sot e pazbardhur dhe rëndon marrdhëniet mes Rusisë dhe Britanisë së Madhe.

Në një tjetër artikull Harding shkruante se Rusia nën qeverisjen e Putinit ishte kthyer në një "shtet të mafias". Të dy artikujt bazoheshin në dokumente konfidenciale të Ministrisë së Jashtme të SHBA-së, të publikuara nga Wikileaks.

Sipas "Reporterë pa kufij" gazetarët rrallë dëbohen nga Rusia. Aktivistja për të drejtat e njeriut Elsa Vidal, thotë se rasti i fundit ka ndodhur në vitin 2007. Atëherë korrespondentja moldave e gazetës "New Times", Natalja Morar, nuk u lejua të hynte në Rusi. Ajo kishte botuar shumë artikuj mbi korrupsionin në radhët e udhëheqjes ruse. Gazëtarët britanikë nuk janë dëbuar më nga Rusia që nga koha e Luftës së Ftohtë. Rasti i fundit pati ndodhur në vitin 1989 me një korrespondent të gazetës "Sunday Times".

"Nuk do të ketë vetë-censurë"

Në rastin e gazetarit Harding duhet pasur parasysh se marrëdhëniet mes Britanisë së Madhe dhe Rusisë janë prej vitesh tejet të tendosura, thotë korrespondenti në Moskë i gazetës gjermane "Frankfurter Allgemeine Zeitung", Michael Ludwig. Moska kërkon ekstradimin e personave, të cilët sipas Kremlinit kanë cënuar interesat ruse. Ndër ta është oligarku Boris Beresovskij apo Ahmed Sakajevi.

Ludwig nuk beson se incidenti me gazetarin britanik do të ketë pasoja të rënda për punën e korrespondentëve të huaj në Rusi. "Për temat që ka trajtuar Harding kanë shkruar edhe të tjerë", thotë Ludwig për Deutsche Welle-n. Në gjashtë vjet të punës së tij në Rusi ai nuk është kërcënuar apo paralajmëruar ndonjëherë nga autoritetet ruse. "Nëse i përmbahesh rregullave, je pak a shumë i sigurtë", thotë Ludwig. Ai thekson njëkohësisht se edhe në të ardhmen do të vazhdojë të shkruajë artikuj dhe komente kritike mbi Rusinë. "Një autocensurë nuk do të ketë", thotë korrespondenti i FAZ-it.

Probleme me akreditimin?

Ndërkohë Ministria e Jashtme ruse bëri të ditur se gazetarit Harding i është refuzuar hyrja në Rusi pasi ka shkelur të gjitha rregullat, që vlejnë për korrespondentët e huaj. Kështu ai ka shkuar në Londër pa marrë paraprakisht pranë Ministrisë së Jashtme ruse akreditimin e tij të ri. Sapo të zgjidhet problemi me akreditimin, Harding mund të vazhdojë punën e tij në Rusi, u tha në Moskë.

DW

KOMENTE