English

QSUT, inaugurohet autoklava për trajtimin e mbetjeve spitalore

Tiranë, 10 shkurt 2011, NOA – Është inauguruar sot autoklava, e cila do të trajtojë të gjitha mbetjet spitalore falë sterilizimit me avull në një një temperaturë prej 145 gradësh përgjatë një procesi, i cili zgjat 40 minuta. Autoklava është instaluar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe në ceremoninë e inaugurimit të saj mor pjesë edhe Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili.

Ministri i Shëndetësisë pohoi gjatë fjalës së tij teknologjia e re nuk krijon asnjë ndotje mjedisore.

“Sot, po hedhim një hap shumë të rëndësishëm në fushën e mbetjeve spitalore. Me ketë projekt 1. 5 milion dollarë të financuar nga Banka Botërore dhe nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë do të jenë edhe 6 institucione të tjera shëndetësore të cilat mbetjet spitalore do ti trajtojnë me anë të avullit dhe jo më me djegie”, theksoi kreu i dikasterit të Shëndetësisë.

Ndërsa Drejtori i QSUT-së, Saimir Ivziku ka theksuar se me këtë hidroklavë përballohet i gjithë kapaciteti i mbetjeve spitalore.

“Trajtimi i mbetjeve të rrezikshme spitalore është një çështje e cila tashmë ka marrë rëndësinë e duhur dhe është në rrugën e një zgjidhjeje të qëndrueshme. Kapaciteti i kësaj hidroklave është nga 40 deri ne 60 kg kjo në varësi të volumit të mbetjeve spitalore. Me 9 procese ne ditë ne arrijmë të trajtojmë të gjitha këto mbeturina duke i kthyer ato në mbetje urbane”, tha Drejtori Ivziku.

Projekti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Bankës Botërore parashikon instalimin e shtatë pajisjeve autoklavuese-copëtuese për trajtimin e mbetjeve spitalore me vlerë mbi 1,5 milion USD në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Spitalin e Sëmundjeve të Mushkërive “Shefqet Ndroqi”, Spitalin Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, Spitalin Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Glozheni”, Spitalin Rajonal të Shkodrës, Spitalin Rajonal të Korçës, Institutin e Shëndetit Publik në Tiranë.

Tashmë bëhet me dije se në QSUT ka përshtatur ambientin për të instaluar Hidroklavën, e cila do të trajtojë mbetjet e rrezikshme spitalore, është instaluar dhe vënë në funksion të plotë Hidroklava, që trajton në një cikël për plot 40 minuta, 40-60 kg mbetje të rrezikshme spitalore, duke i kthyer ato në mbetje normale urbane.

QSUT ka 1277 krevate, e prodhon 2554 kg mbetje spitalore në ditë dhe vetëm 15% e mbetjeve spitalore janë të rrezikshme dhe infektive.

mit/NOA

KOMENTE