English

Reportazhi i Blendi Fevziut

Refleksione mbi romanin “Hiri i Vullkanit”, të autorit Blendi Fevziu, të cilin vitin e kaluar e botoi shtëpia botuese Dudaj, në Tiranë.

Nga Bardh Frangu

Që në fillim duhet thënë se romani i Blendi Fevziut, ‘Hiri i Vullkanit’, përkundër elementeve të një ditari, por edhe të një kronike, më shumë anon nga tipi i romanit reportazh.

Fabula e këtij romani është e thjeshtë: Franci takon Merin në Faceboook dhe këtë takim virtual kërkon ta shndërrojë në një takim të njëmendët, për hir të një puthjeje të vetme që kishin pasur para shumë vitesh. Në kërkim të këtij takimi edhe ndërtohet intriga e këtij romani, e cila ngjet shumë me intrigat në të ashtuquajturat vikend romane, veçmas situatat që kane të bëjnë me aventurat erotike të dy personazheve kryesore, që në fakt, po të shkëputeshin nga tërësia e kësaj vepre, do të bënin një novelë erotike të mrekullueshme.

Vetë titulli i romanit, i ngritur në metaforë për të dëshmuar fatin e njeriut shqiptar brenda dy decenieve, përbën një përzierje të faktit me fiksionin, por që ky i dyti, përkatësisht fiksioni, nuk ka më shumë se kuptimin e një ambalazhi që shërben për ta mbështjellë faktin dhe për ta thyer klishenë e reportazhit klasik.

Është fakt se shpërthimi i vullkanit në Islandë kishte ndodhur vitin e kaluar, sikundër që është fakt se hiri i dalë nga ky vullkan kishte shkaktuar një kaos në komunikim dhe në lëvizje të njerëzve. Njësoj është fakt se një vullkan shpirtëror kishte ndodhur tek shqiptarët dy decenie përpara dhe se hiri i këtij vullkani i kishte shpërndarë njerëzit nëpër botë si rosa të egra dhe si i tillë i kishte katandisur ata nëpër katër anët e botës. Hiri i vullkanit të njëmendët nuk ka si të mos reflektoi në analogji me hirin shpirtëror, i cili edhe bën metaforën e përmendur më sipër. Është po ky hi i njëmendët, i cili pamundëson bashkimin e njerëzve të humbur dhe të tretur nga hiri i vullkanit shpirtëror të kombit, i cili gjithashtu bëhet pengesë e bashkimit të njerëzve. Pjesa e dokumentuar nëpërmjet kronikave të ndryshme sikur bëjnë dëshminë e një fati të shkrumbuar të shqiptarëve.

Galeria e personazheve të këtij romani përfshin një hapësirë më të madhe gjeografike, në këtë kuptim, përkatësisht me futjen në galeri të personazhit nga Gjakova e Kosovës, Fevziu ndjek një model të Jakov Xoxës nga ‘Lumi i Vdekur’.

Madje duke përshkruar fatin e Milotit, ai na kthen tek rapsodi Dervish Shaqa, përkatësisht tek vargjet lapidare të këngës së tij: “Kur Kosovë ta ktheva shpinën, e lash borën e gjeta dimrin”. Në ndërtim e sipër të portretit të Milotit, autori ndërton edhe hartën politike të Kosovës, përkatësisht ngjarjet më të rëndësishme, të cilat e kanë sjell deri në momentin aktual shtetin më të ri të Evropës. Futja në këtë galeri e personazhit nga Togo, Dedier Tetovit, dhe shtruarja e dilemës në pjesën e prologut: “Çka është dashuria?”, bën që autori të ndërtojë një analogji të përafërt me dilemën e njohur që kishin shtruar disidentët për Lirinë dhe Atdheun. Mbase edhe të gjitha personazhet e këtij romani janë një lloj disidentësh që për arsye të ndryshme kishin braktisur atdheun në kërkim të lirisë.

Kur jemi tek prologu, logjika e thjeshtë e thotë që në këtë pjesë do të duhej të zinte vend edhe balada për Aga Ymerin, por kjo gjë nuk ndodh. Heroi nga baladat i shërben për mrekulli autorit që të mund të ndërtojë reminishenca, të cilat reflektojnë mbi fatin dhe mbase edhe mbi etnopsikologjinë e personazheve të kësaj vepre që provon të ndërtojë një dëshmi estetike mbi dy deceniet e fundit të Shqipërisë.

Ky roman i Blendi Fevziut bën dëshminë më të mirë se vërtet nuk ka më fantastik se realiteti. Imazhet që autori i romanit provon t’i bartë nga realiteti, siç është rasti me kalvarin e ikjeve nëpër det, nuk bëjnë më shumë se një hije të zbehtë të asaj që kemi parë dhe përjetuar në këtë dyndje të madhe. Duket që insistimi i autorit është mbështetur në faktin që nëpërmjet një galerie personazhesh me fat të njëjtë, të dokumentojë kohën e tij, kohën e brezit të tij, të cilit edhe ia përkushton këtë vepër si dokument estetik.

Mbështetur në trajtimet e Umberto Ecos për dallimet ndërmjet qëllimit të autorit, atij të lexuesit dhe qëllimit të vetë tekstit, mund të themi se autorit më shumë se fiksioni i ka interesuar fakti, gjë kjo e natyrshme për një tip të tillë romani, për më tepër i shkruar nga një gazetar, i cili nuk ka mundur t’ju shmanget referencave të shumta që faktojnë historinë e dy decenieve të fundit në Shqipëri. Në këtë kontekst edhe duhet kundruar gjuhën e autorit, e cila më shumë investon në faktin se në fiksionin. Ndërlidhja e elementeve që do të pasqyronin më mirë kohën së cilës i referohet autori, shpeshherë bëhet pa invencion dhe madje shpesh edhe duke dëmtuar strukturën kompozicionale të këtij romani.

Ndryshe romani ‘Hiri i Vullkanit’ është një prodhim letrar lehtësisht i lexueshëm dhe me skenat e shumta nga realiteti shqiptar do t’ju shërbej shumë lexuesve, veçmas atyre të gjeneratës së autorit, që me imazhet e tij të shërbehen si me një album fotografish. Por, pasi mbyll kopertinat e këtij romani, nuk ka si të të mos krijohet dilema se përse autori nuk ka shmangur ngjarjet dhe personazhet historike dhe nuk e ka mbështetur ndërtimin e veprës së tij në linjat në të cilat zhvillon karakteret kryesore, përkatësisht fatet e Francit dhe Merit.

Kjo edhe për faktin se që në fillim të krijimit të romanit, ky lloj shkrimi është quajtur rrëfimi në prozë i imagjinuar dhe fiksionar. /Express/

KOMENTE