English

Ruçi: I keni ndërgjegjet të përgjakura, Berisha shpëto veten dhe shqiptarët

Tiranë, 10 shkurt 2011, NOA – Pak përpara se seanca e parlamentit e mbajtur pas dy javë anullimesh nga Kryesia e Kuvendit të ndërpritej për shkak të përplasjes mes deputetit socialist Armando Prenga dhe atij demokrat Edi Paloka, i nisur pasi Prenga e qëlloi me grusht Palokën, Kryetari i grupit Kuvendor socialist Gramoz Ruçi deklaroi pas disa herë kërkesash për të marrë fjalën se përgjegjësit e masakrës së 21 janarit, Sali Berisha dhe Lulzim Basha duhet të dorëzohen përpara drejtësisë bashkë me ekzekutorët që vranë katër viktimat dhe plagosën dhjetëra të tjerë.

Sipas tij mungesa e Berishës dhe Bashës dëshmon fajësinë e tyre për vrasjen e katër demonstruesve.

Ruçi e akuzoi mazhorancën se “Ndërgjegjet i keni të përgjakura shpirtrat të shitur, por një gjë nuk e kuptoj as unë as shqiptarët papërgjegjshmërinë tuaj që bëheni pjesë e vrasjeve politike, e ekzekutimeve makabre”.

Sipas tij, Komisioni Hetimor Parlamentar i 21 janarit është turp njerëzor, turp për demokracinë, parlamentarizmin dhe që sipas Ruçit ka ndezur këmbanat e alarmit jo vetëm në Shqipëri.

Ai i bëri thirrje mazhorancës t’i japë fund këtij komisioni të turpshëm hetimor, dhe të lërë të qetë drejtësinë të bëjë punën e saj.

Ruçi i bëri apel mazhorancës të respektojë institucionin e Presidentit dhe të Prokurorisë.

“Ktheji mbrapsht ushtarët e tu të komisionit hetimor”, tha kryetari i deputetëve socialistë, duke bërë me dije se Berisha ka në plan të vjedhë edhe zgjedhjet e ardhshme vendore të 8 majit.

Në këtë kontekst zoti Ruçi i bëri me dije kryeministrit Berisha se opozita nuk do të lëkundet në qëndrimin e saj për t’i qëndruar përballë deri sa Berisha sikundër tha Ruçi të kuptojë dhe t’i hapë rrugë drejtësisë për shqiptarët dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Ai i bëri thirrje shefit të ekzekutivit, i cili mungoi në këtë seancë parlamentare duke i thënë: “Sali Berisha shpëto veten se bashkë me veten shpëton gjithë shqiptarët”.

mit/NOA

KOMENTE