English

Shpërthen Ruçi: Ti je i vetmi fajtor Sali Berisha, ti je diktator dhe fashist

Tiranë, 10 shkurt 2011, NOA- (Update) Në vijim të fjalës së tij kreu kuvendor i socialistëve Gramoz Ruçi hodhi një varg akuzash mbi Kryeministrin Berisha dhe ministrat e kabinetit qeveritar.

“Ty zoti kryeministër Sali Berisha, kam besuar se nuk do të bëje të njëjtat gabime, se nuk ishe ai i ’97-ës, që le pas shkatërrim, djegie e anarki. Ti mbron ekzekutorët e pushtetit tënd që të mbajnë ty në këmbë. Jeto ti që tani shfaqesh me fytyrën e vrasësit, ekzekutorit, sepse je vetëm ti fajtori për gjithçka që shkon mbrapsht në këtë vend”, u shpreh Ruçi.

Më tej ai tha se, “Të dëgjova tek thoshe se protestuesit u vranë nga vetë protestuesit.

Dil e thuaju shqiptarëve përse i vrave katër qytetarët e pafajshëm, kur kërcënimi ndaj godinës ishte zero”.

Më tej ai vijoi duke shtuar: “Kur thua që i vrau Edi Rama ke pranuar se je ti dhe vetëm ti që ke dhënë urdhrin për të qëlluar, se je ti dhe vetëm ti fajtor”.

Ai e sulmoi kreun e ekzekutivit duke thënë se po pengon drejtësinë: “Drejtësia ka kërkuar për të bërë drejtësi, kush je ti që pengon shtetin ligjin, kush je ti që pengon drejtësinë të veprojë, vetëm një diktator, mund të bëjë këtë që bën ti, vetëm një fashist mund të pranojë ti bëjë të gjitha edhe opozitën edhe Kryeministrin. Ti nuk je burrë shteti, por je vetëm një burrec që ekzekutove shqiptarë e pafajshëm. Të kam dëgjuar të flasësh për grusht shteti të organizuar nga unë, Rama e të tjerë. Të kam dëgjuar se thoje për çadra-pistoletë, për thika me helm e kamiona plot me kallashnikov. Grusht shteti brenda shtetit, është ai që bën ti brenda shtetit, për të penguar drejtësinë.”

a.y/NOA

KOMENTE