Tiranë, 10 Shkurt 2011/ NOA - Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shprehu sot shqetësimin e tij ndaj provokimit përmes deklaratës së papërgjegjshme të Konsullit të Greqisë në Korçë, Theodhoros Ikonomu.
Sipas Unionit, provokimi i tij, cënon thellësisht ndjenjën dhe integritetin tonë kombëtar. “Ai, përbën një incident të rëndë në marrëdhëniet shqiptaro-greke. Kjo deklaratë e papërgjegjshme vjen prej një zyrtari diplomatik të Greqisë fqinje, duke shënuar në këtë mënyrë një shkelje flagrante të etikës dhe normave diplomatike mes dy vendeve që betohen për respektim të marrëveshjes së fqinjësisë së mire dhe për respektim të konventave ndërkombëtare të respektit reciprok”, - vlerëson Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.
Organizata mediatike shpreh solidaritetin me Unionin e Gazetarëve, Dega Korçë, duke mbështetur vendimin e tyre për të bojkotuar çdo veprimtari të Konsullit dhe Konsullatës greke në Korçë, deri në një reagim zyrtar për distancimin nga kjo deklaratë provokative.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagon pranë Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, duke kërkuar jo vetëm reagim të fuqishëm institucional, por duke i treguar vendin e merituar çdo individi që tenton të cënojë integritetin dhe dinjitetin tonë kombëtar, çdo zyrtari, qoftë ai edhe diplomat nga një vend fqinj që guxon të provokojë përmes fjalorit mjeran të nacionalizmit të shekujve të shkuar.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, deklaroi se deri në largimin e konsullit grek të Korçës nga Shqipëria, do të bojkotojë të gjitha veprimtaritë e selisë diplomatike greke në Korçë dhe për këtë do të kërkojë mbështetjen nga gjithë spektri i mediave kombëtare dhe lokale në vend.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, apelon për një reagim të përhershëm dinjitoz prej institucioneve tona shtetërore dhe sidomos të diplomacisë sonë zyrtare., tha kryetari i organizatës, Aleksandër Çipa.
e.r/NOA