English

Unioni i Gazetarëve, i ankohet MPJ-së për konsullin grek

Tiranë, 10 shkurt, NOA – Unioni i Gazetarëve pati sot një takim me zv/kryeministrin dhe njëkohësisht ministrin e Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, ku paraqiti kërkesën për një reagim më energjik, lidhur me deklaratën e konsullit grek në Korçë për regjistrimin e minoritetit grek, të cilat sipas këtij organizmi mediatik, cënojnë integritetin tonë kombëtar.

Nga ana e tij, Haxhinasto u shpreh gjatë takimit se me marrjen e njoftimit nga media, ministria e Punëve të Jashtme ka realizuar verifikimet përkatëse dhe pas kësaj ka thirrur ambasadorin e Greqisë për sqarime.

Ministria e Jashtme e ka quajtur deklaratën e konsullit grek të “papranueshme”.

“Ky qëndrim është paraqitur edhe para komisionit të Jashtëm të parlamentit. Jemi në pritje, - tha Haxhinasto, - të reagimeve nga pala greke, të cilët nga ana e tyre kanë shprehur se ato deklarime nuk janë qëndrime të shtetit grek por individuale. Pas reagimit grek, ne do të rishikojmë qëndrimin”.

Më tej, ai vlerësoi iniciativën e Unionit të Gazetarëve, sepse bëhet në mënyrë qytetare dhe profesionale. Të vazhdojë e tillë dhe për çështje të tjera, la porosi ai.

n.e/NOA

KOMENTE