Prishtinë, 10 shkurt 2011, NOA – Katër vjet nga demonstrata e 4 shkurtit të 2007-ës Lëvizja Vetëvendosja përkujton këtë demonstratë, e cila ishte kundër Negociatave me Serbinë dhe planit Ahtisaari, gjatë të cilës u vranë nga forcat policore të UNMIK-ut, përfaqësuesit e Vetëvendosjes Mon Balaj dhe Arben Xheladini dhe u plagosën 80 demonstrues. Në këtë katërvjetor krerë të Lëvizjes Vetëvendosja bënë homazhe pranë varrit i dëshmorit Mon Balaj në Besianë si dhe pranë varrit të dëshmorit Arben Xheladini në Lagjen Arbëria në Prishtinë.
Në fjalën e tij përfaqësuesi i Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla, duke përkujtuar dëshmorin Mon Balaj tha: “Mon o vllau ynë, tash më shumë se kurrë po vërtetohet se qëllimi yt, i Arbenit, e po ashtu edhe i Zenelit, Mustafës e Hysniut, i qindra të plagosurve dhe i mijëra demonstruesve të asaj dite ishte dhe vazhdon të jetë i drejtë e i vërtetë. Sakrifica juaj është betimi për të ardhmen. Duan të na çojnë sërish në negociata, duan sërish ta sakatojnë Kosovën. Por ti mos u bëj merak, sepse jemi më të fuqishëm se çdoherë. Dhjetra mijëra demonstruesve të 10 shkurtit i janë bashkuar edhe dhjetëra mijëra të tjerë”, tha Sveçla.
Ai theksoi se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të ndalet në rrugën e saj drejt vetëvendosjes, deri në vetëvendosje.
Demonstrata e 10 Shkurtit 2007 kërkonte vetëvendosje për popullin e Kosovës dhe kundërshtonte hapur Planin e Ahtisaarit, i cili e ndan Kosovën në vija etnike dhe religjioze.
Sipas lëvizjes Vetëvendosja Plani i Ahtisaarit është aktual ende sot, e po ashtu dhe negociatat me Serbinë e koncesionet ndaj saj, të cilat nuk i ndali shpallja e pavarësisë.
Sipas saj, “Kuptimi i demonstratës së 10 shkurtit 2007 shtrihet jo vetëm në kohën që vjen menjëherë pas asaj demonstrate por edhe në të ardhmen e katërvjetorit të saj në prag të të cilit jemi. Katër vjet më parë sfida ndaj regjimit e zbuloi fytyrën e vërtetë të tij. Një fytyrë që s’ka ndryshuar as sot e kësaj dite. Andaj, edhe beteja vazhdon”, nëvizojnë aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosja, e cila është e treta parti e dalë nga zgjedhjet parlamentare të Kosovës.
mit/NOA