Nga Gramoz Ruçi
Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika ishin katër bij nënash, katër shqiptarë të ndershëm që mëngjesin e datës 21 janar, e gdhinë të gjallë me dëshirën e revoltës qytetare për të protestuar paqësisht ndaj një pushteti të egër, që të vjedh pasurinë, të vjedh dhe votën si mundësi demokratike për ta gjykuar, e pastaj të vjedh jetën, duke të të vrarë po guxove të protestosh.
Katër bij nënash që pasditen e 21 janarit mbyllën sytë përjetë në atë tragjedi makabre, të vrarë nga dora kriminale e një pushteti diktatorial, nën urdhrat e një mendje kriminale, vetëm pse morën guximin të protestonin të lirë.
Humbën jetën për lirinë e tyre, humbën jetën duke kërkuar Shqipërinë që meritonin po që nuk e panë kurrë.
Ndaj sot meritojnë përuljen më të thellë njerëzore, qytetare dhe politike, nderimin solemn për ata tre bij nënash që jetën nuk ua mori as fati, as natyra e as Zoti, por ua mori padrejtësisht qeveria dhe krimi në pushtet.
Nga kjo foltore, si kurrë më parë në jetën time politike, e si kurrë më parë në këto 20 vjet demokraci, ju ftoj ju deputet të kuvendit, por dhe të gjithë shqiptarët që na dëgjojnë në këtë moment, të çohemi në këmbë e të nderojmë me një minutë heshtje ato katër jetë shqiptarësh të këputura në mes nga qeveria e tyre.
Qoftë paqja e përjetshme shpëtimi përfundimtar nga dora që i vrau. I paharruar qoftë kujtimi tyre.
Dhe tani, nga kjo foltore dua t’ju drejtohem më së pari familjarëve të Ziverit, Hekuranit, Faikut dhe Aleksit.
Vëllezër dhe motra familjarë, në emër të socialistëve shqiptarë, në emër të deputetëve të PS, në emër të çdo shqiptari të ndershëm në Shqipëri dhe në emigracion, ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta, duke ju siguruar se dhimbja juaj është sot forca jonë më e madhe për të parë në sy të keqen e këtij vendi në betejën për një Shqipëri tjetër, pa dhunë, pa diktaturë, pa kriminelë, pa gjakderdhje, pa korrupsion.
Por njëkohësisht është zotimi ynë solemn se shpirti i Ziverit, Hekuranit, Faikut dhe Aleksit do jetë përjetësisht shpirti i gjallë dhe i lirë i përpjekjeve tona për të rikthyer demokracinë në këtë vend, për të rikthyer lirinë e të gjithë atyre që duan të jetojnë pa pasur frikë se qeveria të vjedh e të vret, për të rikthyer shpresën e atyre që duan të jetojnë pa varfëri e skamje, pa korrupsion e hajdutërira të pushtetit.
Të atyre që duan të jetojnë në një shtet demokratik, jo në diktaturë, me ligje e rregulla që respektohen nga të gjithë, kryeministri i pari.
Me institucione që respektohen, jo që përdhosen nga pushteti.
Me një qeveri që zgjidhet nga qytetarët e për qytetarët, pa pushtetarë që vjedhin pasurinë, vjedhin perspektivën europiane, vjedhin mundësinë për ti gjykuar me votë, e pastaj vjedhin dhe jetë njerëzish të lirë që protestojnë.
Në emër të deputetëve të PS dhe socialistëve shqiptarë, në emër të çdo qytetari të ndershëm në këtë vend, ju premtoj se kjo tokë nuk do gjej paqe derisa dora që vrau Ziverin, Hekuranin, Faikun dhe Aleksin e që plagosi shumë tjerë, si dhe mendja që dha urdhrin kriminal, të dalin para drejtësisë për të marrë dënimin e merituar, e të ndëshkohen me të gjithë forcën e ligjit.
Dua ti drejtohem atyre burrave dhe grave, që sot janë ende të plagosur nga armët e pushtetit, të rrahur e të goditur nga dhuna e krimit, të fyer e ofenduar nga agresioni i pushtetit.
Motra dhe vëllezër, zoti ju ndihomftë e ju dhëntë forcën të bëheni mirë.
Dinjitetin tuaj të nëpërkëmbur nga plagët me armë zjarri në trup, me rrahje barbare në rrugë, komisariate policie apo qeli burgu, me sharje e ofendime nga më poshtërueset, nuk ua merr dot njeri.
Shpirtin tuaj nuk e nëpërkëmb dot një pushtet kriminal e çnjerëzor. Lirinë tuaj nuk e burgos dot njeri.
Ndaj sot është koha për t’u bërë të fortë, të gjithë bashkë, e për ti bërë ballë agresionit më të pashembullt të një kryeministri të lajthitur deri në krim.
Dua sot ti drejtohem edhe policëve të thjeshtë të plagosur, gardistëve të plagosur, punonjësve shtetëror të goditur.
Nga kjo foltore, dua t’u uroj shërim të shpejtë e t’u them se e kuptoj gjendjen e tyre të vështirë.
Heshtja e policëve të thjeshtë, gardistëve të thjeshtë, e punonjësve shtetëror që nuk janë militant të Sali Berishës, heshtja e tyre flet më shumë se çdo fjalë që mund të them unë.
Vëllezër që bëni detyrën ndershmërisht ndaj atdheut të shqiptarëve, jo ndaj republikës së Saliut;
Ju që paguheni si të varfër për të mbrojtur institucionet, e jo ata që në kurrizin e vuajtjeve tuaja, majmen nga pasuria duke iu vjedhur edhe juve;
Më lejoni t’ju them si shqiptar se nuk jeni viktima të irritimit të popullit, as viktima të ndonjë puçi e grushti shteti si ato që ka në kokë vetëm Saliu, ju nuk jeni viktima të qytetarëve protestues, por jeni viktima të pafajshme të pushtetit të një qeverie të korruptuar, të një kryeministri që vjedh e vret shqiptarët, vetëm që të mbajë pushtetin e tij me çdo kusht, e bashkë me të dhe aferat e pista korruptive.
Të atij pushteti që mbi trupat tuaj, ka ngritur perandorinë e korrupsionit.
Ju jeni viktima të të njëjtit njeri që vrau 4 njerëz të pafajshëm pse protestuan kundër tij, që plagosi qindra të tjerë, e që është gati të shkelë dhe mbi trupat tuaj, të përdorë nderin dhe djersën tuaj, vetëm për të mbajtur pushtetin e tij në këmbë, atë pushtet që sot vjedh dhe vret.
Tani, dua t’ju drejtohem ju Ministra e deputetë të PD.
Ju kemi dëgjuar të çirreni këto ditë si asnjëherë tjetër me gjithë shëmtinë tuaj në çdo ekran televizori, të akuzoni, shani e ofendoni.
Horri flet për horra, huligani flet për rrugaçë, servili flet për puç shteti, gjenerali kundër Saliut në 97, tani ushtar gavetë i Saliut, bën be rrufe se i gjallë njeri nuk i hyn në ministri.
E po kështu të gjithë të tjerët me radhë.
E kuptoj që sytë ju zënë vetëm dhunë, ndërgjegjet i keni të përgjakura, shpirtrat të shitur, e duart të pista nga llumi i korrupsionit ku i keni zhytur bashkë me shefin tuaj.
E kuptoj se ju të parët pas Saliut, ndjeheni të kërcënuar nga një popull i tërë që kërkon drejtësi, sepse jeni ju të parët pas Saliut që, mu aty në oborrin e interesave tuaja private, keni varrosur interesat e Shqipërisë dhe shqiptarëve, për të mbajtur gjallë interesat e pazareve të pista që bëni me bllok në dorë.
Por një gjë nuk e kuptoj as unë dhe as shqiptarët, e nuk do ta kuptoj kurrë, papërgjegjshmërinë tuaj, në radhë të parë njerëzore e pastaj politike, përballë qytetarëve, përball vendit e përball historisë.
Ju që sot bëheni pjesë e vrasjeve politike, e ekzekutimeve fashiste ndaj atyre që kërkojnë liri e demokraci, ju që sot jeni kthyer në një bandë kriminale që mban të fshehur ekzekutorët, ju që sot mbroni krimin dhe korrupsionin, ju që gjeni kurajo shpirtzezë të ligjëroni diktaturën e pashpallur në këtë vend, ju që para interesave historike të Shqipërisë, zgjidhni interesat e ngushta të xhepit tuaj;
Hesapet me drejtësinë herët a vonë do i lani, por më besoni, hesapet me historinë nuk do i lani dot kurrë.
Memoria kolektive e shqiptarëve nuk do iu fali kurrë dhe iu siguroj se barrën e turpit që sot e mbani ju, nesër do ia lini fëmijëve tuaj e brezave që do vijnë pas.
Ata ndër ju që besojnë se Saliu është i vetmi e pas tij vendi le të marrë fund, do marrin fund bashkë me të.
Dua të shpresoj se nuk jeni të gjithë kështu, por po nuk ndihmuat veten, askush nuk iu ndihmon dot.
Ndaj lëvizni sa jeni në kohë. Denonconi para publikut atë që ju mban peng, çlironi veten, e bashkë me veten dhe Shqipërinë e shqiptarët.
Në të kundërt, gjyqi i drejtësisë, por akoma më shumë gjyqi i shoqërisë dhe i historisë, nuk do iu fali kurrë.
Tani po të drejtohem ty z. Kryeministër.
Shumë kanë besuar se ti në pushtet erdhe ndryshe, se do silleshe ndryshe, se nuk do bëje të njëjtat gabime.
Se nuk ishe më i njëjti, ai që në ‘97 Shqipërinë e çoi në greminë, duke lënë pas mbi 3000 shqiptarë të vrarë, miliona euro të humbura nga kursimet e qytetarëve, duke lënë pas shkatërrim, djegie, anarki, duke lënë pas një vend të rrënuar e një popull të varfëruar deri në mjerim.
Por unë dhe shumë si unë nuk kam besuar për asnjë çast se kishe ndryshuar. Dhe ja ku e vërtetove duke u dhënë përgjigjen tënde edhe atyre që të besuan se nuk ishe më i njëjti.
Fatkeqësisht i dhe përgjigjen më të keqe e të pamerituar, me grykë armësh e plumba krimi në trupa shqiptarësh.
Je po ti që Shqipërisë e shqiptarëve i mbjell vrasje, plagosje, gjak të pafajshmish, dhunë, anarki e përçarje.
Je po ti që ke shkallmuar shtetin, ke përdhosur demokracinë, ke nëpërkëmbur gjyqësorin, prokurorinë, shërbimin informativ e institucionet e pavarura kushtetuese.
Ke çmontuar shtetin ligjor, ke asgjesuar zgjedhjet e lira e të ndershme, ke rrënuar ekonominë e ke varfëruar shqiptarët.
Je po ti dhe korrupsioni yt që ke kapur shtetin, që monopolet e familjes dhe ministrave i ke kthyer në sistem.
Je po ti që fsheh e mbron çdo të korruptuar të qeverisë tënde, edhe ata që me bllok në dorë na dolën në televizor duke bërë pazaret më të ndyra.
Po ti që tani mbron dhe vrasësit, ekzekutorët e pushtetit tënd, ata që morën urdhër për të derdhur gjak mbi këtë tokë që ty të mban akoma në këmbë.
Dhe tani, njëlloj si në ‘97-ën e mallkuar, je po ti që jep urdhër për të vrarë e plagosur qytetarët e thjeshtë me mercenarët e tu në gardë e polici, je po ti që i fsheh e i mbron, i strehon në institucione, madje dhe në Kryeministri.
Je po ti që tani i shfaqesh shqiptarëve me fytyrën e vërtetë të kriminelit, të vrasësit, të ekzekutorit, të hajdutit, të kusarit, të diktatorit, të dhunuesit.
Sepse je vetëm ti fajtori për gjithçka shkon mbrapsht në këtë vend. Je ti fajtori për gjithçka nuk ecën si duhet. Je ti dhe vetëm ti fajtori.
Të kam dëgjuar këto ditë të flasësh përçart, e nuk ma merr mendja se ka ndonjë qytetar në këtë vend që nuk ka menduar dy gjera; ose ke lajthitur, ose do me çdo kusht të fshehësh dorën e krimit që vrau 3 qytetarë të pafajshëm e plagosi shumë të tjerë.
Unë po u them qytetarëve se janë të dyja bashkë.
Pasi urdhërove vrasjen e 4 protestuesve, të dëgjova të thoje se i vranë disa protestues të komanduar nga Edi Rama. Kur i madh e i vogël e pa se plumbat dalin nga godina e Kryeministrisë, pranove se i vrau garda sepse kishin hyrë në rrethimin e Kryeministrisë.
Kur i madh e i vogël e pa se të katërt protestuesit janë vrarë jashtë rrethimit të kryeministrisë, pa asnjë kërcënim ndaj godinës, nuk the gjë, përveç ca akuzave të lajthitura me rregullore bulevardi e rregullore oborri, si dhe të nxisje ushtarët e tu politik që të mbronin ushtarët e tu të armatosur duke sajuar skenare terroriste që as në filma nuk i sheh.
Tani dil e thuaju shqiptarëve përse vratë 4 shqiptarë të pafajshëm në bulevardin para Kryeministrisë.
Kush dha urdhrin për të qëlluar trupat e protestuesve? Kush dha urdhër për të qëlluar me plumba kur kërcënimi ndaj godinës së Kryeministrisë ishte zero?
Po të paralajmëroj se po dole këtu të thuash se i vrau Edi Rama, ke pranuar automatikisht fajin tënd. Ke pranuar se je ti urdhëruesi i vrasjeve, se je ti që ke dhënë urdhrin për të qëlluar, se je ti fajtori.
Prokuroria ka lëshuar urdhër ndalimi për 6 komandantë të Gardës. Përse nuk lejon që të zbatohen? Drejtësia ka kërkuar të bëjë drejtësi duke kërkuar 6 komandantët e gardës që ti ke pasur dhe ke nën urdhrat e tua. Përse nuk i dorëzon gardistët por i mban të mbyllur në kullën tënde të pushtetit?
Kush je ti që pengon shtetin ligjor dhe drejtësinë të veprojë? Kush je ti që urdhëron policinë të mos arrestojë ata që kërkon prokuroria?
Vetëm një diktator mund të marrë përsipër këtë që ke marrë ti. Vetëm një fashist mund të marrë përsipër të bëjë edhe gjykatësin, dhe prokurorin, dhe policin, dhe gardistin, dhe gjeneralin e ushtrisë, dhe avokatin e popullit, dhe opozitën dhe kryeministrin.
Vetëm një hajdut e kriminel, mund të pengojë drejtësinë të bëjë drejtësi.
Ti nuk je burrë shteti, e as nuk mund të jesh kurrë i tillë. Por je vetëm një burrec i pushtetit tënd të korruptuar dhe ekzekutorëve që vrasin shqiptar të pafajshëm për të të mbrojtur ty dhe kullën tënde të korrupsionit.
Të kam dëgjuar të flasësh për grusht shteti të organizuar nga Edi Rama, nga Prokurorja e Përgjithshme, nga SHISH-i, nga gjykatat e kështu me radhë. Madje dhe media e gazetarët e pavarur, qenkan sipas teje pjesë e puçit që do të të bëhej ty.
Të kam dëgjuar të thuash se protestuesit ishin të armatosur deri në dhëmbë, me çudira që vetëm mendja jote e vogël mund ti sajojë. Armë që dhe Imamin tënd mbrapsht po të kthesh, nuk i gjen gjëkundi.
Të kam dëgjuar për çadra pistoletë, për stilolapsa pistoletë, thika me helm, makina plot me tritol. Kamiona me kallashnikov.
Të kam dëgjuar madje të thuash se protestuesit janë stërvitur me javë të tëra të bënin atë që bënë.
Po sa qesharak mund të jesh, përveçse dhe hajdut e vrasës.
Po për çfarë stërvitje e ke fjalën? Stërvitëm protestuesit të gjuanin me çadra e pankarta? Apo i stërvitëm të gjuanin me vezë?
Jo Sali, nuk ka asnjë puç e grusht shteti, se po të kishte, ti nuk do rrije dot 1 minutë në këmbë e tani në këtë moment do ishe skutave të Viçidolit duke u fshehur e duke ia mbathur nga sytë këmbët.
Nuk të ka bërë puç as opozita, as Presidenti i Republikës, as Prokurorja e Përgjithshme, as gjykatat, as institucionet e pavarura kushtetuese, as Shërbimi Informativ, as media e lirë, as gazetarët dhe as qytetarët.
Të gjithë këta, përveç akuzave të tua si puçistë, kanë vetëm një gjë të përbashkët. Janë të gjithë, viktima të një sistemi mafioz që e ke ngritur ti në këmbë, e mban ti në këmbë, qoftë kjo dhe me koston e madhe të shkatërrimit të shtetit, shfarosjes së institucioneve të pavarura dhe vrasjes së njerëzve.
Nuk ka puç e grusht shteti për ty Sali. Ti as e meriton se nuk je nga ata burra ndaj nuk ta bën njeri atë nder.
Për ty ka vetëm revoltë qytetarësh, burra e gra të ndershme, që armë të vetme kanë shpirtin e lirë për të kundërshtuar qeverisjen tënde të korruptuar, për të luftuar varfërinë që ke mbjellë ti, për të shporrur bllokun e korrupsionit që ti e ministrat e tu mbani në xhep për pazaret e pista.
Nuk të bën puç e grusht shteti drejtësia që kërkon fajtorët e masakrës me 4 qytetarë të vdekur e dhjetëra të plagosur, ekzekutorët që nën urdhrat e tua vranë njerëz, e po nën mbrojtjen tënde, sot i fshihen drejtësisë.
Grusht shteti brenda shtetit është ai që bën ti duke penguar drejtësinë të bëjë drejtësi.
Nuk të bën puç e grusht shteti opozita që kërkon transparencën dhe hetimin e zgjedhjeve për ti dhënë mundësi qytetarëve të të japin faturën që meriton me votë të lirë e të ndershme.
Puçi i vërtetë është ai që ke bërë e je gati të bësh ti, me vjedhjen dhe manipulimin e zgjedhjeve, vjedhjen e pasurisë kombëtare me ministra, deputetë, sekserë e familjarë. Puçi i korrupsionit në zyrat e shtetit me bllok në dorë.
Nuk të bëjnë puç institucionet kushtetuese, as Presidenti i Republikës, as gjykatat, as Prokurorja e Përgjithshme, as Shërbimi Informativ.
Puçi i vërtetë është ai që bën ti me kapjen e shtetit nga krimi dhe korrupsioni. Mbjelljen e terrorit dhe dhunës ndaj qytetarëve. Çmontimin e shtetit ligjor me kultin e diktatorit partiak që di gjithçka e bën gjithçka, tamam si puna jote.
Grushti i shtetit brenda shtetit ka autor vetëm ty duke kërkuar të marrësh peng Presidentin e Republikës, Prokuroren e Përgjithshme, gjykatat, SHISHI-n, madje dhe vetë opozitën.
Si ta nxuri goja jote e përdalë ti quash horra e lavire titullarët e institucioneve kushtetuese këtë e di ti, qytetarët të gjykojnë.
Por as mos e ço nëpër mend se grushtin tënd të shtetit do e çosh deri në fund duke shkatërruar shtetin për pushtetin tënd. Për këtë nuk do të të gjykojë vetëm populli, por edhe ligji me të gjithë forcën e vet. Ty, por dhe bashkëpunëtorët e tu.
Nuk të bëjnë puç as mediat e pavarura, as gazetarët e analistët, disa prej të cilëve i rrahe e plagose, në protestë e pas proteste.
Puçi i vërtetë është ai që bën ti duke synuar ti mbyllësh gojën kujtdo që mendon e flet i lirë duke të të thënë atë që meriton, ty dhe perandorisë tënde të korrupsionit.
Vetëm një diktator mund të mbledhë parlamentin pa asnjë lajmërim, ditë të diel në 10 të natës dhe ta kthejë kuvendin në një gjyq publik për Presidentin, Prokuroren e Përgjithshme, për SHISH-in, për median, për opozitën dhe për qytetarët protestues.
Vetëm një fashist mund ti shkojë ndër mend të rrafshojë çdo kompetencë ligjore të prokurorisë dhe gjykatave për të marrë përsipër të hetojë vetë, të gjykojë vetë e të dënojë vetë ata që i konsideron kundërshtarë politik.
Ngrite një komision hetimor për të hetuar ngjarjet e 21 janarit.
Por nuk të mjafton një thuthuq i shkurtër për të hetuar 21 janarin z. Kryeministër.
Nuk të mjaftojnë ushtarët e partisë për të mbyllur hetimet për dorën e mendjen tënde kriminale që shtriu në tokë të vdekur tre qytetarë të pafajshëm e la të plagosur dhjetëra të tjerë.
Zotrote nuk le skutë pa u përdredhur vetëm që të mos lejoje ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit. Ndërsa tani, brenda 10 minutave në një seancë të turpshme në mes të natës, ngrite komision hetimor parlamentar për 21 janarin.
Po a është duke hetuar prokuroria për ngjarjet? Po provat, faktet, grup faktet e kompleks faktet që kërkoje për komisionin hetimor të zgjedhjeve, tani për të hetuar 21 janarin ku i ke?
Apo në ato pallavrat me gjoja mesazhe nga burgu e përgjime imagjinare me urdhra lufte që vetëm imagjinata jote e sëmurë mund të prodhojë?
Haluçinacionet e tua që na i shet si për të vërteta janë faktet, grup faktet e kompleks provat?
Ai komision hetimor është një karagjozllëk. Por i rrezikshëm për sa kohë i shërben synimit tënd për ta kthyer në një gjyq partiak që ndëshkon këdo nuk i përgjigjet urdhrave të tua.
Ai komision është turpi i demokracisë shqiptare, turpi i parlamentarizmit, turpi i shtetit ligjor. Por ai komision është fytyra jote e vërtetë, me ca shërbëtorë të verbër që bëjnë sikur hetojnë ato që ti sheh në ëndrrat e tua më të këqija.
Turpi i atyre burrave që ke vënë në atë komision nuk më merakos shumë, por turpi për demokracinë, parlamentarizmin dhe shtetin ligjor ka ndezur këmbanat e alarmit kudo në botë.
Ndaj po të bëj thirrje sot z. Kryeministër!
Jepi fund atij komisioni të turpshëm hetimor sepse nuk ka asnjë institucion që mund të justifikojë dalldinë tënde me armiq të brendshëm dhe të jashtëm.
Jepi fund dhe lër drejtësinë të bëj punën e saj. Jepi fund dhe respekto institucionet e pavarura kushtetuese. Respekto Presidentin e Republikës, Prokuroren e Përgjithshme, Shërbimin Informativ.
Hiq dorë nga dhuna që ke ndërmend për të nënshtruar gazetarët.
Hiq dorë e ktheji mbrapsht ushtarët e tu në komisionin hetimor, jepi fund asaj maskarade dhe lër ligjin të veprojë.
Në qoftë se vetë ke ende ndonjë kuriozitet për të parë çke bërë, hapi sytë e shiko pamjet filmike.
Aty i ke faktet e grup faktet për vrasjet e qytetarëve të urdhëruara prej teje.
E pastaj bëhu burrë shko para drejtësisë, shko vetë me këmbët e tua.
Se po të paralajmëroj, kur të të vijë koha të të çojnë me zor para drejtësisë, nuk do shkosh dot si burrë por si burrec i turpëruar deri në kockë, ti dhe ca të tjerë afër teje.
Të kam dëgjuar të kërcënosh publikisht kryetarin e opozitës duke aluduar për vrasje, dhunë, burgosje, fund të tmerrshëm, pasoja letale, e të tjera si këto.
Unë nuk e di ku e gjen guximin, por di të të them se nuk po kërcënon Edi Ramën, por 3 milion e kusur shqiptarë të cilët herët a vonë do kenë një përgjigje shumë të hidhur për ty.
Sa për kërcënimet e tua, ato nuk i beson as ti vetë që ke frikë dhe nga hija jote, jo më nga shumica dërrmuese e shqiptarëve, opozita përfshirë, që nuk të shohin dot më me sy.
z. Kryeministër,
Po të kujtoj se jemi në buzë të greminës e jo pa shkak.
Jemi këtu sepse ti vodhe dhe manipulove zgjedhjet.
Sepse nuk dëgjove kërkesat tërësisht të ligjshme të PS për të bërë transparencën e zgjedhjeve të kaluara duke hetuar materialet zgjedhore.
Sepse nuk dëgjove kërkesat e ndërkombëtarëve për ti hapur rrugë një hetimi të plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit në mënyrë që të garantohen zgjedhje të lira e të ndershme.
Jemi këtu sepse ti ke plan të vjedhësh edhe zgjedhjet e ardhshme, e për këtë je gati të përballosh çdo çmim, edhe çmimin e gjakut të qytetarëve të pafajshëm.
Jemi këtu sepse krimi dhe korrupsioni yt kanë zënë për gryke shtetin dhe shoqërinë. Sepse vjedhja e pasurisë së shqiptarëve është kthyer në sistem. Sepse fatura e korrupsionit që paguajnë shqiptarët është bërë e papërballueshme.
Shqipëria është në buzë të greminës pse ti nuk pranon të dorëzosh ministrat e tu të korruptuar përpara drejtësisë. Nuk pranon të dorëzosh, por merr në mbrojtje, edhe ata që shfaqen me zë e figurë duke bërë pazaret e pista në kurriz të shqiptarëve, ashtu me atë bllokun e korrupsionit që secili prej jush mban në xhepin e pisët.
Jemi këtu sepse ti nuk pranon të dorëzosh as kriminelët e pushtetit tënd, që me urdhrat e tua vranë e plagosën qytetarë të ndershëm të një Shqipërie që nuk është më Shqipëria jote.
Jemi këtu sepse ti po kërkon të çmontosh shtetin ligjor duke përdhosur demokracinë dhe lirinë e qytetarëve në këtë vend.
Sepse ti po kërkon të nënshtrosh drejtësinë, prokurorinë, gjykatat, Presidentin e Republikës, shërbimin informativ dhe institucionet e pavarura kushtetuese.
Jemi këtu sepse ti po kërkon të nënshtrosh median dhe zërat e lirë, ata që guxojnë të të kritikojnë dhe ata që thonë të vërtetën.
Jemi këtu sepse ti ke rrënuar ekonominë e qytetarëve dhe sipërmarrësve të ndershëm.
Jemi buzë greminës sepse monopolet e tua korruptive kanë kapur ekonominë, duke rritur çmimet në mënyrë stratosferike e duke detyruar qytetarët të vdesin nga varfëria, nga skamja dhe uria.
Jemi këtu sepse ti nuk ke më asgjë për të bërë për këtë vend. Sepse ti je peng i krimit dhe korrupsionit që mbolle vet, e që tani nuk të lënë as të ikësh më mënyrë paqësore nga pushteti, por të mbajnë me dhunë duke të të detyruar të përdorësh dhunë, të vrasësh qytetarët e tu, vetëm që të mbrosh klientët korruptiv të pushtetit tënd të pisët.
Jemi këtu sepse ti nuk mund ta çosh përpara këtë vend, përkundrazi, siç ke bërë edhe në të kaluarën, di ta çosh vetëm në greminë.
Por kësaj radhe e ke të pamundur të realizosh planin tënd ogurzi, siç e ke të pamundur të mbrosh veten, familjarët dhe klientët e korrupsionit tënd qeveritar, ministrat e korruptuar dhe zyrtarët servilë.
E ke të pamundur të mbrosh, edhe sikur ti strehosh në shtëpinë tënde, ata që ekzekutuan Ziverin, Hekuranin, Faikun dhe Aleksin, siç e ke të pamundur të mbash të fshehtë urdhrat që ke dhënë për të qëlluar mbi qytetarët e thjeshtë.
E ke të pamundur të vrasësh shpesën e shqiptarëve, të marrësh peng të ardhmen e fëmijëve dhe brezave që po vijnë pas.
E ke të pamundur të vrasësh perspektivën tonë evropiane për të mbajtur gjallë shpurën tënde me sejmen e servilë, klientë e sekserë të interesave të qytetarëve.
Z. Kryeministër! Koha jote ka mbaruar, e këtë e kemi marrë vesh të gjithë, por mbi të gjitha, e ke marr vesh dhe ti.
Vetëm një këshillë kam. Beja vetes sa më të lehtë, përndryshe nuk do e ndalësh dot faturën që do të të japë populli.
Dorëzo para drejtësisë gardistët që vranë Ziverin, Hekuranin, Faikun dhe Aleksin e plagosën dhjetëra të tjerë. Dorëzo para drejtësisë policët që rrahën barbarisht qytetarët protestues në komisariate dhe qeli burgjesh.
Jepi fund që tani komisionit maskaradë hetimor dhe ndale dhunën ndaj institucioneve kushtetuese.
Ndale sulmin e pamoralshëm dhe ilegjitim ndaj Presidentit të Republikës, ndaj prokurores së përgjithshme, ndaj Shërbimit Informativ, ndaj gazetarëve dhe medias së lirë, si dhe ndaj opozitës vetë.
Ne do të jemi përball teje në çdo rast. Në parlament e në rrugë.
Do jemi përsëri përball teje deri kur të kuptosh se duhet ti hapësh rrugë zgjidhjes politike, tani, sot, pa humbur kohë. Zgjidhje politike që do i hapi rrugë përfundimisht Shqipërisë europiane që ti po mban peng.
Ti hapësh rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme që do të sjellë një qeveri të drejtë për qytetarët e me qytetarët, ti hapësh rrugë drejtësisë dhe ndershmërisë.
Ti hapësh rrugë ëndrrës që me pa të drejtë i ke mohuar Shqipërisë dhe shqiptarëve për 20 vjet, siç po bën dhe tani, por që nuk do mundesh dot kurrë t’ia arrish.
Z. Kryeministër, shpëto veten!
*Fjala e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, sot në Kuvend