Opozita këmbëngul se opsioni i vetëm për zgjidhjen e situatës politike në Shqipëri, të tensionuar kryesisht pas demonstratës së dhunshme të 21 janarit, janë zgjedhjet e parakohshme
Menada Zaimi
Opozita këmbëngul se opsioni i vetëm për zgjidhjen e situatës politike në Shqipëri, të tensionuar kryesisht pas demonstratës së dhunshme të 21 janarit, janë zgjedhjet e parakohshme.
Deputeti Taulant Balla thotë se vendi ndodhet në krizë të thellë politike dhe institucionale, ndaj dhe në këto kushte, sipas tij, zhvillimi i zgjedhjeve lokale të 8 majit është i pamundur.
“Shqipëria ka nevojë për një zgjidhje të re, për një zgjidhje të madhe, që jo vetëm i jep një zgjidhje përfundimtare krizës së thellë politike, por Shqipëria ka nevojë për drejtësi. Si mund të shkojë ky vend në zgjedhje lokale, kur policia e shtetit tashmë kontrollohet politikisht, që mjaftoi 21 janari për të kuptuar se në çfarë deregjeje është katandisur policia e shtetit. Nuk ka institucione në Shqipëri që mund të garantojnë zhvillimin e zgjedhjeve të lira e demokratike, sipas standardeve më të mira”, thotë Balla.
Por mazhoranca ka në agjendën e saj zhvillimin e zgjedhjeve lokale. Sipas deputetit demokrat, Aldo Bumçi, zgjedhjet e parakohshme janë një kërkesë irracionale për sa kohë që shumica qeverisëse ka dalë nga një proces demokratik siç ishin zgjedhjet e 28 qershorit 2009.
“Zgjedhjet e parakohshme nuk janë zgjidhje nga asnjë këndvështrim. Do të ishte veprimi më i dëmshëm për të gjithë vendin, jo për ne si shumicë. Nuk mund të vendoset një precedent i tillë që një opozitë që bojkoton Kuvendin, ndërmerr aksione radikale politike me greva urie, bllokim rrugësh dhe kulmon me një protestë të dhunshme për të imponuar vullnetin e saj si metodë për të sjellë zgjedhje të parakohshme”.
“A mund ta bëjë këtë opozita tjetër e radhës? Ky do të ishte fundi i vendit- s’do të kishte pasur më qeverisje ky vend, por do të të kishim hyrë në një cikël destabilizimi”, vlerëson Bumçi.
Për deputetin demokrat, nëse mazhoranca do të ulej në bisedime me opozitën, nuk do të konsideronte në asnjë rast opsionin e zgjedhjeve të parakohshme.
Madje, zoti Bumci shton se ky qëndrim i opozitës e ka zanafillën, sipas tij, në frikën e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, për një humbje të mundshëm të Bashkisë Tiranë.
“Dialog politik për të përmirësuar kodin dhe rritur garancitë e palëve për zgjedhjet, po. Ne jemi aty të gatshëm nëse ato duan të vijnë dhe të tregojnë vullnetin pro agjendës evropiane. Nëse ulja në tavolinë nënkupton dhënien në tavolinë të Bashkisë së Tiranës, sepse përflitet që presioni i Partisë Socialiste, zoti Rama, kryetar i Bashkisë, është që ta marrë Bashkinë në tavolinë. Kjo nuk mund të bëhet, ky do të ishte dhunim i vullnetit të zgjedhësve”, thekson Bumçi.
Por, deputeti Taulant Balla thotë se Partia Socialiste në asnjë rast nuk po lufton për pushtetin e saj, po për rivendosjen e pushtetit të votës së lirë.
“Fitorja në Bashkinë e Tiranës është një gjë më se e sigurt për Partinë Socialiste - jo vetëm po t’i hidhni një sy statistikor gjithë rezultateve zgjedhore në dhjetë vjetët e fundit. Nuk është çështje këtu për të garantuar fitoren në një njësi vendore, qoftë kjo edhe njësia vendore e kryeqytetit të Shqipërisë. Nuk bëhet fjalë për pushtet, ne kemi një interes më të madh, kemi një interes madhor – interesin e vendit”, shprehet Balla.
Vetëm tre muaj nga zgjedhjet lokale, dy partitë e mëdha ndodhen në pozicione thellësisht të ndryshme, lidhur me mbajtjen ose jo të tyre.
Kjo situatë ka detyruar disa herë praninë e OSBE-së në Tiranë, institucionin kryesor ndërkombëtar që vëzhgon proceset zgjedhore në Shqipëri, t’u bëjë thirrje partive të përgatiten për përballjen elektorale të 8 majit.