Tiranë, 11 shkurt 2011, NOA – Përtej projekteve të mëdha si autostrada Tiranë-Elbasan e rruga e Arbrit, investimet në infrastrukturën rurale, do të jenë një pikë kyçe e investimeve të qeverisë përgjatë këtij viti, por jo vetëm pasi nuk do të mungojnë projektet e mëdha të arroreve dhe drurëve frutorë në bujqësi si dhe ai I Kampuseve universitare në arsim. Këtë premtim e bëri kryeministri Berisha në mbledhjen e Komitetit për Zhvillimin e Rajoneve, i cili duke folur për projektet dhe investimet e qeverisë deklaroi se ekzekutivi do të financojë 1.2 miliard lekë për 87 projekte të infrastrukturës së komunave, në mënyrë që ato të lidhen me akset kombëtare në një hark kohor prej 30 minutash.
Shefi i qeverisë theksoi se do të punohet edhe më tej me projektet e reja, të cilat do të vijojnë të studiohen, duke nënvizuar se qeveria gjithashtu do të financojë edhe 11 projekte të reja me vlerën e 76 milionë lekë.
Sipas Kryeministrit do të financohen plotësisht për punën që kanë kryer të gjitha kompanitë, që kanë realizuar financime nga 51-100 përqind.
Shefi i ekzekutivit nënvizoi sakaq se nuk do të mbetet komunë në vend pa u investuar pasi sikundër tha ai, qeveria do t’i qëndrojë plotësisht premtimit që brenda këtij mandati çdo komunë të lidhet me aksin kombëtar për gati 30 minuta.
Edhe pse kanë një çmim të madh, kryeministri premtoi se duhet t’u japim mundësinë komunave të vendit që të konsiderojnë vërtet zhvillimin e potencialeve që disponojnë. Vijon..
mit/NOA