Pse duhet të bëhemi bashkë me po këta politikanë që janë sjellur keq me qytetarët në këto vitet e pasluftës
Nga Albin Kurti
Nuk ishin të paktë ata që na patën akuzuar pse nuk e nënshkruam të ashtuquajturin Kod të Mirësjelljes bashkë me politikanët e tjerë para zgjedhjeve. Së pari, pse duhet të sillemi mirë sipas një kodi kur thjesht mund ta respektojmë ligjin? Së dyti, pse duhet të bëhemi bashkë me po këta politikanë që janë sjellur keq me qytetarët në këto vitet e pasluftës? Së treti, a do të sillen njerëzit mirë vetëm pse e nënshkruan një deklaratë që quhet e mirësjelljes, ndërkohë që e dinë se kurrfarë pasojash nuk do të kenë në rast se bëjnë të kundërtën? Zgjedhjet e mëpastajme e vërtetuan qëndrimin tonë të drejtë asokohe: Kodi i Mirësjelljes shërbeu si relaksim i opinionit para vjedhjeve që do të bëheshin. Shkelësit e kaluar dhe shkelësit e ardhshëm të ligjit po e bënin një gjest mirësjelljeje formale për hir të kamerave televizive. Ata po silleshin mirë me njëri-tjetrin para se të sillen keq me qytetarët dhe votën e tyre.
Lëvizja VETËVENDOSJE! ka bërë numrin më të madh të ankesave dhe denoncimeve për parregullsitë dhe shkeljet e shumta të zgjedhjeve të 12 dhjetorit 2010. Njësoj ishte edhe me rastin e përsëritjeve të pjesshme të zgjedhjeve që pasuan më 9 dhe 23 janar 2011. Ne si subjekt politik kësaj radhe garuam për herë të parë. Është lehtë e besueshme që partitë e tjera kanë pasur më shumë përvojë e kapacitete për të bërë më shumë ankesa sesa ne. Ato kanë mundur ta dëshmojnë vjedhjen dhe dhunën shumë më tepër sesa ne përgjatë këtyre zgjedhjeve. Mirëpo ja që ne më të rinjtë dhe me mundësitë më të pakta në krahasim me gjithë të tjerët dokumentuam më së shumti shkeljet flagrante të ligjit që gjithsesi deformuan vullnetin e votuesve. Pra, Lëvizja jonë tregoi që luftën për drejtësi nuk është e thënë që e shpiejnë përpara ata që i kanë mundësitë e njohuritë më të mëdha, por ata që e kanë vullnetin për drejtësi më të madh. E, mbase nuk mund të kenë vullnet për drejtësi ata që nuk kanë interes për drejtësi. Politikanët që janë pasuruar e ngjitur drejt majave të sistemit në kushtet e padrejtësisë tashmë janë bërë edhe vetë ata pjesë e këtyre kushteve.
Cilido që të jetë koalicioni i ardhshëm qeveritar dhe sado i madh të jetë ai, kurrsesi nuk do të mund të ketë jetë të gjatë. Qeveria e ardhshme do t’i ngjajë një elefanti me këmbë prej qelqi që nuk i levërdis as të qëndrojë në vend e as të lëviz përpara. Ngjizja aktuale e koalicionit përmes negociatave ndërpartiake është tërësisht joparimore dhe jopolitike. Ambiciet personale të krerëve të partive dhe të fraksioneve të partive janë e vetmja shtysë drejt formimit të koalicionit qeverisës. Për kurrfarë programi a vizioni të përgjithshëm për Kosovën nuk diskutohet në këto negociata por vetëm për apetitet e akterëve të veçantë. E vetmja gjë që dihet është se ata që po bëhen bashkë në koalicion qeveritar do të bëhen bashkë për negociata me Serbinë dhe për privatizimin e PTK-së, KEK-ut e Trepçës. Pra, po bëhen bashkë që, në njërën anë, Kosovës t’ia rrudhin territorin e, në anën tjetër, t’ia bjerrin popullit të Kosovës pasurinë publike.
Në veçanti, partitë politike që do t’i bashkojë qeverisja e ardhshme nuk kanë program (për të mirën e Kosovës), porse ato i pret program i gatshëm (për ta dëmtuar Kosovën). Në përgjithësi, elita politike në Kosovë nuk është aq e ndarë në parti sa e ka ndarë Kosovën kundrejt së cilës partitë janë bashkë. Prandaj roli i Lëvizjes VETËVENDOSJE! si opozitë parlamentare dhe jashtëparlamentare është i pazëvendësueshëm dhe i domosdoshëm. Prandaj regjimi përpiqet që debatin e vërtetë politik për negociatat dhe privatizimin ta zëvendësojë me debatin për çështje teknike e procedurale si puna e betimit në Kuvend.
Tri vjet pas shpalljes së pavarësisë Kosova po bëhet me Kuvend të ri të një shteti pa sovranitet dhe të një ekonomie pa prodhim. Serbisë po i ngutet që t’i fillojë negociatat me Kosovën. Ajo e ka kuptuar që koniuktura politike e Kosovës, e korruptuar dhe e shantazhuar siç është, po diskreditohet me shpejtësi dhe po bëhet e papërdorshme për aspiratat e Serbisë për një republikë serbe në Kosovë. Për të njëjtën arsye po iu ngutet edhe korporatave ndërkombëtare që duan t’i blejnë më lirë se badihava ndërmarrjet publike fitimprurëse të Kosovës si puna e PTK-së. Le të ngutemi ne që këta të vonohen.