Tiranë, 11 shkurt 2011, NOA – Viti 2011 është shpallur si Viti i Arsimit nga kompania e telefonisë së lëvizshme Eagle Mobile. Këtë prioritet Eagle Mobile e shpalli sot gjatë një ceremonie për dhurimin e 500 librave për shkollën e re në Laprakë, ku merrnin pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Eagle Mobile Ali Taskin dhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës Myqerem Tafaj. Gjatë kësaj ceremonie Eagle Mobile e shpalli si kryemotiv të përgjegjësisë sociale, arsimin, duke e çelur këtë projekt të saj me shkollën e re 9-vjeçare në Laprakë nën sloganin “Dorë për dorë me Arsimin”.
Në kuadër të këtij projekti, Eagle Mobile pasuroi bibliotekën e kësaj shkolle duke dhuruar për nxënësit e saj mbi 500 libra, mes të cilëve 100 tituj të ndryshëm, duke e vlerësuar këtë akt dhurimi si një dritare më shumë drejt dijes dhe kulturës.
Drejtori i Përgjithshëm i Eagle Mobile Ali Taskin gjatë ceremonisë së dhurimit të librave u shpreh se “Eagle Mobile ka mbyllur me sukses vitin e mjedisit. Ky do të jetë viti i Arsimit për ne. Do të jetë kryefjala e projekteve tona sociale. Vetëm me një arsimim të fuqishëm, Shqipëria mund të ecë përpara e të përmbushë aspiratat e saj. Ky është vetëm projekti i parë në këtë drejtim. Ne kemi tashmë një kalendar të caktuar për vitin 2011. Jam i lumtur që në këtë rrugë kemi edhe mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe personalisht të Ministrit Tafaj. Unë e falënderoj atë për mbështetjen, nëvizoi zoti Taskin.
Ndërsa Ministri i Arsimit dhe Shkencës Myqerem Tafaj theksoi se “Ky do të jetë një vit i mbushur me projekte të kompanisë Eagle Mobile dhe ne do ta asistojmë atë në projektet që do ndërmarrë. Jam shumë i kënaqur që do të ketë projekte në fushën gjuhësore dhe shkencore, por edhe në mbështetje të nxënësve që vijnë nga shtresat në nevojë. Duke falënderuar Eagle Mobile, përfitoj nga rasti të ftoj aktorë të tjerë të biznesit në Shqipëri të japin kontributin e tyre në fushën e arsimit, në ndihmë të një arsimi me një të ardhme më të bukur dhe të zhvilluar”, u shpreh Ministri Tafaj.
Por, ky nuk është kontributi i parë në këtë sektor kyç që lidhet ngushtë me të ardhmen e vendit.
Më herët kompania Eagle Mobile në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, si dhe me projekte të pavarura, ka ndihmuar fëmijët jetimë të suksesshëm në mësime, me bursa në arsimimin e tyre të mesëm dhe të lartë, ndërkohë që ka kontribuar në rikonstruktimin apo ndërtimin e laboratorëve kompjuterikë dhe sallave të leksioneve pranë universiteteve të ndryshëm të kryeqytetit.
Shpallja e prioriteteve të caktuara për çdo vit është kthyer tashmë në një traditë për Eagle Mobile.
Ndërkohë që viti 2008 iu kushtua imazhit të Shqipërisë, Eagle Mobile thekson se kjo është një mënyrë e re e reklamimit ku përfshihej edhe Shqipëria me gjithë bukuritë e saj, e cila ishte një risi për kohën.
Në vitin 2009 në fokus të kompanisë ishin jetimët dhe kjo kompani mblodhi 25 biznese, universitete, shkolla e institucione në mbështetje të tyre, si dhe dhuroi 20 bursa të plota për 10 nxënës të shkollës së mesme dhe 10 studentë të universitetit.
NOA