English

Egjipt, dorëhiqet Presidenti Mubarak

E premte, 11 shkurt, 2011, NOA- Presidenti i Egjiptit Hosni Mubarak, ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij pas valës së protestave që mbuluan Kryeqytetin Kajro.

Lajmi bëhet i ditur nga pasuesi i tij, Omar Sulejman të cilit, Mubarak ditën e djeshme nëpërmjet një konference për shtyp, i delegoi zyrtarisht pushtetin, i cili mban postin e zv.Presidentit.

Jo vetëm kaq, por disa orë pasi deklaroi publikisht se nuk do të largohej nga pushteti deri në zgjedhjet presidenciale të shtatorit, edhe pse populli i tij u ngrit për 17 ditë të tëra në protesta të fuqishme për ta rrëzuar sundimin e tij më se çerekshekullor, Presidenti i Egjiptit Hosni Mubarak është larguar nga Egjipti.

Lajmin e ka bërë publik rrjeti i njohur mediatik BBC, i cili bën të ditur se Presidenti egjiptian është larguar nga Egjipti bashkë me familjen e tij.

BBC thekson më tej se nuk dihet se në ç’ven ka shkuar Presidenti Mubarak, i cili as 24 orë më parë mbrëmjen e të enjtes deklaroi përballë popullit se nuk do të marrë parasysh asnjë thirrje nga jashtë, por do të qëndrojë në detyrë.

Gjatë fjalimit të tij të mbajtur në televizionin kombëtar Mubarak njoftoi delegimin e pushtetit te zëvendësi i tij, Omar Sulejman.

“Shpreh angazhimin tim për të vazhduar dhe për të mbrojtur Kushtetutën dhe njerëzit, si dhe të transferoj pushtetin tek cilido që do të fitojë pas zgjedhjeve presidenciale të shtatorit”, u shpreh presidenti egjiptian një natë më parë.

Deklaratat për delegimin e pushtetit kanë zhgënjyer ndërkombëtarët pasi si SHBA-të edhe BE u shprehën tejet të zhgënjyer nga kjo lëvizje e Presidentit egjiptian.

BBC bën me dije se po mbrëmë gjatë fjalimit të Mubarak në televizionin kombëtar mijëra egjiptianë ishin mbledhur në sheshin kryesor të Kajros, dhe ata paralajmëruan një protestë të fuqishme pikërisht këtë premte, të cilën e pagëzuan me emrin “e premtja e lamtumirës”.

a.y/NOA

KOMENTE