Kajro, 11 shkurt, NOA – Fjalimi i fundit i presidentit egjiptian, Hosni Mubarak, duket se i ka revoltuar edhe më tepër egjiptianët, të cilët me dhjetëra mijëra janë grumbulluar sërish sot në sheshin Tahrir në Kajro.
Mësohet se ata kanë rrethuar ndërtesën e televizionit shtetëror duke i penguar të ftuarit në programe që të hyjnë në ndërtesë, ndërsa protestues ka edhe jashtë Pallatit presidencial në periferi të kryeqytetit Kajro.
Mubarak i sfidoi demonstruesit me fjalimin e tij të fundit, duke këmbëngulur se ai nuk do të jepte dorëheqjen, në një kohë kur ndaj tij po shtohet së tepërmi edhe presioni ndërkombëtar, i cili po e detyron që të largohet nga posti dhe t’i nënshtrohet tranzicionit në qeverisje.
Duke reaguar ndaj fjalimit të presidentit Mubarak, kreu i SHBA-ve Obama tha se nuk ishte e qartë se ndryshimet e njoftuara ishin të menjëhershme, të mjaftueshme dhe kuptimplote.
n.e/NOA