Tiranë, 11 shkurt 2011, NOA- Ministri i Drejtësisë Bujar Nishani shprehu sot shqetësimin për zvarritjen e procesit për çështjen "Gërdeci”. Në një konferencë për shtyp, ministri Nishani tha se, kam kërkuar mbledhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD) dhe përfshirjen në rendin e ditës të diskutimit të kësaj situate.
Duke e cilësuar si të papranueshme situatën e krijuar në gjyqin ndaj të akuzuarve të çështjes “Gërdeci” por, edhe në raste të tjera, kryesisht në gjykimet në Gjykatën e Krimeve të Renda, ku prishja e seancave gjyqësore, shtyrja pa arsye e tyre dhe mos marrja e masave proceduriale dhe administrative, ministri Nishani tha se, këto po sjellin bllokimin e dhënies së drejtësisë”.
Kreu i Ministrisë së Drejtësisë, Bujar Nishani deklaroi marrjen e masave të ashpra ndaj avokatëve që bëhen pengesë për mbarëvajtjen e proceseve gjyqësore, deri në heqjen e të drejtës së ushtrimit të profesionit.
“ Kam kërkuar bashkëpunimin dhe asistencën e Misionit EURALIUS, mision i Komisionit Europian që asiston vendin tonë në hartimin e legjislacionit për të pregatitur ndërhyrjet e menjëhershme dhe të ashpra në ligjin “Për Profesionin e Avokatit në Republikën e Shqipërisë”, ndërhyrje të cilat të parashikojnë deri heqjen e së drejtës së ushtrimit të këtij profesioni nga shkelësit.”-deklaroi Ministri Nishani.
Kreu i ministrisë së Drejtësisë, Bujar Nishani shprehu gadishmërinë institucionale për të bashkëpunuar me KLD-në për zhvillimin e inspektimeve të përbashkëta për çështjen Gërdeci por edhe të tjera për të cilat janë adresuar ankesa nga subjekte apo qytetarë.
“Ministria ka ofruar gadishmërinë e saj që së bashku me KLD të nisin inspektime te përbashketa. Jemi të gatshem për hartimin e një memorandumi bashkëpunimi me KLD për rastin konkret por edhe te tjera kur qytetarët kanë ankesa.
Pyetje dhe përgjigjet
Ka nisur inspektoriati juaj verifikimin e çështjes Gërdeci?
Ministria e Drejtësisë dhe inspektoriati i saj e kanë të qartë dhe të përcaktuar në ligj kur ato ndërmarin inspektime vetëm në raste ku i adresohen një kërkesë ankesë. Ministria ka ofruar gadishmërinë e saj që së bashku me KLD të nisin inspektime të përbashkëta. Jemi të gatshëm për hartimin e një memorandumi bashkëpunimi me KLD për rastin konkret por edhe të tjera kur qytetarët kanë ankesa.
Cilët janë shkaktarët që gjykata nuk arriti të japë vendim brenda afateve, me pasojë ndryshimin e masës së arrestit ndaj të pandehurve të arrestuar nga arrest në burg në arrest shtëpie?
Ju keni qenë dëshmitarë të asaj që here pas here ministri e ka shprehur publikisht shqetësimin për zvarritjen proceduriale të seancave. Shtyrje të tillë atë paarsyeshme megjithëse vazhdimisht Dhoma e Avokatisë nuk ka patur reagim qoftë për marrjen e masave ndaj avokatëve bënë që ky shqetësim të adresohet në KLD në mënyrë që të vendosim hapat e mëtejshëm për të parë procedurën dhe shkelësit e saj.
Na lejoni që në fund të inspektimit të përcaktohet përgjegjësia e gjithë secilit.
Siguroj ju që hetimi gjyqësor nuk ka dështuar dhe ne nuk mund të pranojmë dështimin e tij por tejkalimi i masës se arrestit është një situatë shumë shqetësuese. Por për të përcaktuar përgjegjësitë individuale janë institucionet përkatëse.
Ndaj dhe vendimi im për t’iu adresuar KLD-së për të diskutuar si dhe bashkëpunimi intensiv i Ministrisë me ekspertet e Euralius për të adresuar ndërhyrje të mos i lihet më në dorë Dhomës së Avokatisë reagimet që kanë rezultuar jo efiçente, janë rrjedhojë e papajtueshmërisë së ministrisë me këtë situatë.
Keni pasur kërkesa për masat e sigurimit personal për të arrestuarit për 21 janarit?
Ministria është duke kryer një inspektim pas disa ankimeve që kanë ardhur nga individë dhe organizata të ndryshëm për të parë se si është respektuar pjesa proceduriale sa janë paraqitur provat e sa janë marrë parasysh ato. Ky inspektim është në vijim e sipër dhe në përfundim të tij konkluzionet do i përcillen Këshillit te Lartë të Drejtësisë.
NOA