English

Kosovë, konfiskohen 28 tonë mish me prejardhje të dyshimtë

Pejë, 11 shkurt 2011, NOA – Policia kundër krimit ekonomik në Kosovë dhe korrupsionit në bashkëpunim me zyrtarët doganorë kanë konfiskuar 28 ton mish që dyshohet të ketë prejardhjen nga India, e cila ndodhet në listën e vendeve që nuk kanë të drejtë të eksportojnë mish në Republikën e Kosovës. Policia e Kosovës informoi se në zyrat e saj kishin mbërritur informata se në pikën kufitare të Kullës mes Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës do hynte një ngarkesë me mallra kontrabandë gjegjësisht ngarkesë me mish gjedhi me prejardhje të dyshimtë.

Kjo informatë ka mobilizuar efektivët kundër krimit ekonomik në Pejë, të cilët ndërmorën edhe masat për identifikimin e kësaj ngarkese.

Pas kontrollit të ushtruar nga inspektorët e Agjencisë së Veterinarisë dhe Ushqimit në ngarkesën e mbërritur të mishit me një kamion transporti – frigorifer me targa PGBV 817/PG059AA rezultoi se ngarkesa në fjalë ishte ngarkuar nga firma INTER MEAT GMBH nga Lucern - Zvicër dhe se ishte e destinuar për një firmë private në Prishtinë. Mësohet se pas verifikimit të dokumentacionit, që nëvizonte se ngarkesa vinte nga Brazili rezultoi se ngarkesa 28 ton kishte prejardhje nga India.

Prejardhjen e mishit e dëshmonte edhe fletë-dërgesa e datës 24.12.2010 lëshuar nga Bombay në emër të firmës transportuese Maersk Line nga Bandra Ëest India.

Policia e Pejës bëri me dije se kontenjeri me ngarkesë është bllokuar dhe është vënë menjëherë në mbikëqyrje doganore pasi importuesi nuk ka liçencë për import mishi nga India.

Ndërkohë që Prokuroria publike në Pejë ka nisur tashmë hetimin e çështjes, ngarkesa e mishit të sekuestruar pritet të asgjësohet sot në prezencën e inspektorëve të AVUK-ut.

mit/NOA

KOMENTE