Tiranë, 11 shkurt 2011, NOA – Një ditë pasi lajmëroi nxjerrjen në privatizim të 1280 objekteve shtetërore, kryeministri Berisha duke folur sot për projektet dhe investimet e qeverisë në infrastrukturën rurale, premtoi gjatë mbledhjes së Komitetit të Zhvillimit se qeveria do të financojë gjatë këtij viti një shifër prej 403 milionë për ujësjellësa, të cilët sikundër tha kryeministri do të garantojnë ujë të pijshëm dhjetëra e dhjetëra mijëra qytetarë. Kryeministri bëri me dije se janë 68 ujësjellësa të papërfunduar.
Ai theksoi se prioritet me rëndësi kryesore do të kenë edhe projektet e mëdha në bujqësi të cilët njihen tashmë si projektet e ullirit, arroreve dhe drurëve frutorë dhe projektet në arsim.
Berisha tha se janë plot 25 projekte të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, ndërkohë që projektet e reja do të vlerësohen në bazë të kritereve për t’u miratuar më pas. Sipas Kryeministrit është mjaft e rëndësishme për qeverinë që disa objektiva të jenë parësorë për investimet në vijim.
“Po kështu është e domosdoshme që ne të përparësojmë investimet në arsimin e lartë, të ndërtojmë disa shkolla që janë në emergjencë, ku ai përmendi shkollat në Kamëz, që si pasojë e popullimit, mësimin e zhvillojnë me tre turne”, bëri me dije shefi i qeverisë.
Ai i bëri apel MASH-it që të investimet të nisin edhe për arsimin parashkollor.
Ndërkohë shefi i ekzekutivit u ndal edhe në investimet në arsimin universitar ku premtoi që asnjë universitet të mos jetë më pa Kampusin Universitar.
“Duhet t’i kemi me shumë përparësi investimet në fushën e arsimit me gjithë vështirësitë që kemi, duhet të investojmë për Kampuset Universitare. Asnjë universitet nuk mund të jetë pa kampus”, tha Kryeministri.
Kryeministri nënvizoi se “me gjithë urbanizimin e vendit, dhe hapjen edhe të universiteteve private në mbarë vendin nuk është pakësuar aspak numri i studentëve në universitete, pasi kudo ku janë hapur ato janë mbushur, dhe këto janë një lehtësi ekonomike, pasi këto universitete e kanë justifikuar veten”, tha shefi i qeverisë.
Mandej ai i bëri apel Ministrit të Bujqësisë Genc Ruli që të përshpejtojë procedurat për dy projektet e mëdha ullirit dhe arroret.
Në këtë kontekst lidhur me projektet për investime, Kryeministri Berisha theksoi se duhet të regjistrohet numri i punonjësve në grantet e qeverisë, e cila sikundër tha ai, është një kërkesë elementare njohja e numrit të të punësuarve.
Ai i bëri thirrje edhe Ministrisë së Mjedisit që domosdoshmëri për të është të riorientohet dhe ta konsiderojë mbjelljen e ullirit dhe arroreve si pjesën më të rëndësishme të pyllëzimit në këtë moment.
Në këtë kontekst Berisha vlerësoi se “midis drurëve të njohur si frashëri, apo plepi si dhe drurëve të tjerë ne duhet të përparësojmë në këtë periudhë ato drurë që të ecim me projektet tona të mëdha”.
Në fund të fjalës së tij shefi i ekzekutivit risolli në vëmendje edhe drurët tradicionalë, për të cilët ai theksoi se duhet t’u kthehemi më vonë pyllëzimit të tyre.
Në këtë suazë zoti Berisha mori si shembull drurin tradicional të lisit të Shqipërisë, i cili sikundër tha kryeministri ka një apoteozë të vërtetë që në kohërat romake, porse ai ritheksoi se qeveria duhet të jetë pragmatiste që çdo gjë që investohet për pyllëzimin të shkojë për drurët frutorë.
mit/NOA