Shkup, 11 shkurt, NOA - Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme do të qartësohet pas vizitës së kryeministrit Nikolla Gruevski në Uashington, bëjnë të ditur burime qeveritare për agjencinë e lajmeve INA.
Kryeministri Gruevski më 16 shkurt do të udhëtojë për vizitë zyrtare në SHBA, i ftuar nga nënpresidenti Joseph Biden dhe sekretarja amerikane e shtetit Hillary Clinton.
“Është e sigurt se kryeministri do të kërkojë përkrahje në Uashington për mbajtjen e zgjedhjeve, pas së cilave ai garanton se do të mbyll çështjen e emrit. Dhe nëse ato do të mbahen atëherë intervali kohor është nga muaji prill deri në muajin qershor, por në këtë rast shqyrtohet mundësia që regjistrimi i popullsisë të shtyhet për afat tjetër, për të mos shkaktuar tensione”, deklaroi zyrtari i lartë i qeverisë për INA.
Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Thomas Countryman dje në Shkup deklaroi se kërkesa për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni është çështje e brendshme e autoriteteve politike të këtij vendi.
Të gjitha forcat politike në Maqedoni janë njëzëri për mbajtjen e zgjedhjeve. Partia e maxhorancës VMRO-DPMNE bëri të ditur dje se së shpejti do të deklarohen lidhur me këtë çështje.
NOA-INA