English

Papërgjegjshmëri, deputetët tallen edhe me shkresat parlamentare

Tiranë, 11 Shkurt 2011 NOA/ Ervin Tirana – I kemi dhënë votën, ashtu siç ndodh në çdo vend demokratik të botës, me një qëllim: Që të na përfaqësojnë duke bërë ato që ne aspirojmë, zhvillimin e vendit, për një jetë më të mirë.

Por janë larg, shumë larg asaj që duhet të bëjnë. Si nga mazhoranca dhe nga opozita, kjo e fundit, së fundi ca më keq se mazhoranca, po bëjnë gjithë çështë e mundur që të fitojnë deri neverinë e shqiptarëve.

Letra e sotme e Saimir Tahirit, i cili erdhi në Partinë Socialiste, pasi drejtoi fondacionin “Qemal Stafa”, tregoi edhe ai, si mund të tallen ligjvënësit me seriozitetin e detyrës që ata kanë, detyrë për të cilën paguhen jo pak, me taksat e popullit që edhe për ajrin jep para.

Letra e Tahirit, në të vërtetë kishte një subjekt normal dhe të arsyeshëm. Kërkoheshin shpjegime nga Parlamenti, pse u pezullua për 15 ditë, ashtu si dhe disa deputetë të PS pas kaosit parlamentar që u realizua plot sukses dje në seancë plenare.

Por mënyra e zgjedhur, ishte jo thjeshtë tallëse, por nga ana etike, e papranueshme. Për më tepër, shkresat protokollare, korrespondenca mes ligjvënësve, sipas ligjit duhet të jetë e kujdesshme dhe brenda normave të mënyrës së përgatitjes së shkresave dhe termave të hedhura në to.

Tahiri, sigurisht jo i vetëm, ka vendosur që t’i shkelë të gjitha këto norma, duke u tallur jo më shumë se me Jozefina Topallin, por me institucionin e Parlamentit, që aktualisht drejtohet prej saj.

Shkëlçesisë së Saj, Zojës Jozefina Topalli”, - shkruan Tahiri në letër, duke pranuar se e bën qëllimisht këtë: “Po ju drejtohem me këtë letër në gjuhën tuaj, për të kuptuar motivin e vendimit të djeshëm të Byrosë së Kuvendit në lidhje me masat disiplinore të marra lidhur me seancën e djeshme parlamentare”.

Më tej, Tahiri vijon të shkelë protokollin parlamentar, kur vijon të tallet me faktin që kryetarja e Kuvendit flet me dialekt shkodran: “Unë jam përjashtuar si pjesëtar i një grupi të vogël deputetesh çë “ushtruan dhunë të paparë, shkelën kushtetutën dhe ligjin, kërcënuan jetën e deputetëve të tjerë dhe ushtruan dhunë fizike ndaj tyre”.

Duke pohuar se njoftimin e ka marrë Nga dhe “në façen e internetit të Kuvendit”, Tahiri vijon dozat tallëse me dialektin e Shkodrës kur thotë se “...kjo është një qështje mjaft e rëndësishme...”.

Tahiri nuk pranon të ketë qenë objekt dhune në Kuvend dhe duke lënë mënjanë për momentin talljen me dialektet, i hakërrehet dhe tall kryetaren e Kuvendit: “Nuk kam kërcënuar askënd me jete apo të kem ushtruar dhunë ndaj ndokujt. Nuk kam shkelur as Kushtetutën dhe as Ligjin. Dhe të gjitha këto, për hir të së vërtetës, me dallojnë qartësisht nga Ju dhe shefi Juaj Kryeministër”.

Më tej Tahiri i rikthehet talljes me dialektin shkodran, por tani duke e përzier dhe me fyerje të rënda që në shkresa zyrtare, nuk janë të pranueshme ligjërisht: “...duke pare Shkëlçesinë tuaj të keqpërdorë mikrofonin e spikeres me provokime e ofendime për deputetet e opozitës, me ofshama e pasthirrma lezeti, ...kam mësuar mirë llojin, rracën, mënyrën e modelin si nuk duhet të jetë një deputet i Kuvendit, njëkohësisht duke i premtuar vetes se nuk do lejoj kurrë t’ju ngjaj agresivisht juve ose me keq akoma, atij që kërkoni ti ngjani edhe ju vetë.

Dëshiroj t’ju informoj se në protestën time para foltores së Kuvendit, kam mbajtur në dorë një stilolaps te bardhë, i cili kryen vetëm funksionin e vet primar. Ne rast se ju dhe koleget tuaj jeni ngatërruar e mendoni se kam pasur në dorë një stilolaps pistolete, jam i gatshëm t’ua vë në dispozicion për ti bërë ekspertizën shkencore.

Gjithashtu, me vete kam pasur një çadër shiu, te cilën nuk e mora brenda sallës por e lashë në hyrje, në mirëbesim te një punonjësi të kuvendit. Ne rast se ju jeni ngatërruar e mendoni se me vete kam pasur çadër pistolete, jam i gatshëm t’ua vë në dispozicion per ti bërë ekspertizën shkencore.

Po kështu, nuk kam pasur e nuk kam mbajtur kurrë as thikë me helm e as ndonjë objekt të ngjashëm me të.

Fort e nderuar Znj. Kryetare e Kuvendit,

Qka me sipër ju sqaroj në këtë letër, i konsideroj çështje shumë të rëndësishme për t’u marrë parasysh prej jush, - vijon tallja me dialektin dhe dozat ironike për Topallin.

Pastaj vijon batareja: “Duke çënë se nuk me është dhënë mundësia te jap shpjegimet e mia përpara se të merret masa disiplinore ndaj meje; duke çënë se edhe deputetet e PD çë vijnë shpesh në zyrën time e me dërgojnë sms nuk janë në gjendje te me japin asnjë informacion me shumë; duke çënë se edhe informacioni i bërë publik nuk përmban asnjë motivim për përjashtimin tim;

Kërkoj prej Shkëçësisë Suaj fort të nderuar, arsyet dhe motivimin konkret sipas të cilit bazuar në Rregulloren e Kuvendit, është legjitimuar përjashtimi im nga punimet e komisioneve dhe seancave plenare, - vijon letra.

Kurse në përmbyllje, spikasin dhe talljet e vazhduara dhe mbyllja e shkresës, me termin: “Me respekt të detyruar”.

e.t/NOA

KOMENTE