Tiranë, 11 shkurt 2011, NOA – Kur me dorëzimin në Prokurori të gjashtë gardistëve të Republikës për t’u marrë në pyetje për ngjarjet e 21 janarit ku mbetën të vrarë me armë zjarri katër demonstrues dukej në sipërfaqe një mjedis i ri bashkëpunimi me organin e akuzës, Partia Demokratike i është rikthyer akuzave ndaj Prokurores së Përgjithshme Ina Rama, të cilën mazhoranca e akuzoi sot për nxjerrje të sekretit hetimor për puçin, duke paralajmëruar madje se do të ngrejë edhe një padi penale ndaj Kryeprokurores. Ishte deputeti demokrat Aldo Bumçi, i cili në një prononcim për mediat deklaroi sot se “Çdo ditë Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama nxjerr në pazar dosjen e hetimit tç pucit të organizuar nga Edi Rama më 21 Janar”.
Deputeti demokrat duke iu referuar porosisë së qeverisë amerikane e artikuluar në Tiranë dy ditë më parë nga Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Thomas Countryman dhe Bashkimit Europian për një hetim të pavarur, të gjithanshëm dhe transparent, Bumçi akuzoi kryeprokuroren Ina Rama se e ka shndërruar Prokurorinë në një repart të Partisë Socialiste.
Bumçi e solli këtë argumet pas marrjes në pyetje të deputetëve socialistë Paulin Stërkaj, tom Doshi e besnik Bare.
Në këtë kontekst deputeti Bumçi tha se zonja Rama po boton në shtypin e opozitës dëshmi dhe dokumenta duke faktuar sikundër tha ai, se vazhdon rolin që ka marrë përsipër në skenarin për përmbysjen me dhunë te mazhorancës legjitime të Shqipërisë.
“Ne disponojmë fakte të pakundërshtueshme se “shoqja e ngjarjes se bulevardit” dhe prokurorë që hetojnë çështjen janë në kontakt të vazhdueshëm me organizatorët e këtij akti”, tha Bumçi.
Sipas tij mazhoranca po e ndjek me shqetësim shumë të madh vazhdimin e skenarit të puçit, fytyrën e shëmtuar të të cilit sipas mazhoancës qytetarët e panë dje në Kuvend, dhe e shohin përditë edhe në mediat që mbrojnë opozitën.
Bumçi tha se dokumentet e dosjeve të botuara dëshmojnë se kryeprokurorja nuk ndalet në rolin që ka marrë përsipër.
Deputeti demokrat Aldo Bumçi paralajmëroi se “deputetët e mazhorancës do të ngrenë një padi penale për Prokuroren Ina Rama për shkatërrimin që po i bën procesit të hetimit të ngjarjes më të rëndë, përpjekjes për të rrëzuar një shumicë legjitime me dhunë”.
mit/NOA