English

Qeveria e re, PDK: Krasniqi President, Thaçi Kryeministër

Prishtinë, 11 shkurt 2011, NOA – E mbledhur me urgjencë Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës, forca e parë politike fituese e dalë pas zgjedhjeve parlamentare të 12 dhjetorit dhe rivotimeve të 9 janarit të këtij viti në Kosovë, ka marrë vendim para pak minutash për drejtimin e institucioneve kryesore në vend. Pasi nuk ka pranuar kërkesën e kreut të AKR-së, Behxhet Pacolli për t’i dhënë postin e Presidentit të Kosovës, PDK ka vendosur që postin e Presidentit ta mbajë për vete, duke ia dhënë atë ish-Kryetarit të Parlamentit, Jakup Krasniqi, ndërkohë që në postin e Kryeministrit rikonfirmohet Hashim Thaçi.

Ndërkohë PDK bën të ditur se i ka ofruar Aleancës “Kosova e Re” postin e Kryetarit të Kuvendit.

Ky vendim i kryesisë së PDK-së erdhi pas takimit me Zëvendësndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Thomas Countyman, të cilit shefi i PDK-së, Thaçi i premtoi se qeverinë e re do ta formonte në koalicion me AKR-në, Listën Rugova dhe me minoritetet.

Duket pra se PDK ka vendosur ta hedhë poshtë kërkesën e Pacollit, i cili kishte thënë më herët se kërkonte postin e Presidentit dhe se nuk do të pranonte hyrjen në koalicion pa këtë post.

PDK mësohet veç Keut të Kuvendit, i ka ofruar AKR-së edhe disa pozicione të tjera si një zv/kryeministër dhe katër ministri.

mit/NOA

KOMENTE