English

Rama: Para zgjedhjeve, Berisha po vjedh 1280 pasuri kombëtare

Tiranë, 11 shkurt 2011, NOA – Shefi i opozitës Edi Rama ka denoncuar sot procesin e paralajmëruar nga qeveria për privatizimin e 1280 objekteve shtetërore dhe pasuri kombëtare. Kryetari i Partisë Socialiste i bëri thirrje popullit të kuptojë se është përballë një batërdie të pazakontë, pasi sipas tij nxjerrja në privatizim e 1280 objekteve dëshmon për vjedhjen e radhës të firmosur nga kryeministri Berisha dhe koalicioni i tij i turpshëm me LSI-në, për të shkuar pikërisht në xhepat e këtij koalicion dhe një grushti njerëzish pranë kryeministrit.

Duke theksuar se beteja e opozitës për largimin e qeverisë është më e fortë se kurrë, lideri i opozitës bëri me dije se nuk bëhet fjalë për reparte ushtarake të rrënuara, por 1280 pasuritë kombëtare janë mijëra e mijëra ha tokë në bregdet, në pjesën më të bukur të rivierës shqiptare.

Në një konferencë të posaçme për shtyp, zoti Rama akuzoi kryeministrin se po i vjedh këto pasuri, duke shtuar se Ministri i Mbrojtjes Arben Imami është pikërisht ai që po përpiqet t’ia paketojë kryeministrit Berisha këto pasuri kombëtare.

Shefi i selisë tha se përtej betejës së opozitës ai ka tashmë edhe informacione për destinacionin e këtyre pasurive.

“E para disponojmë informacion të konsiderueshëm për destinacionin e këtyre pasurive, për ku janë nisur shumë nga këto pasuri që sot janë, por sikundër tha Saliu, do t’i privatizojë para zgjedhjeve lokale”, deklaroi shefi i selisë rozë, duke e argumentuar këtë privatizim të papritur dhe në një hark kohor shumë të shkurtër pikërisht para zgjedhjeve vendore, me frikën e ikjes nga pushteti të kryeministrit Berisha.

“Do të kalojnë në duar që i dimë”, tha Rama sakaq.

Ndërkohë ai bëri me dije se “ky nuk është proces privatizimi, por plaçkitje”.

Në këtë kontekst kryesocialisti Rama garantoi sakaq se “ne do të ndërtojmë një proces të paparë transparence sapo të vimë në qeveri dhe do të zmbrapsim çdo privatizim, kudo ku ekspertiza do të nxjerrë shkelje”.

Rama siguroi se opozita me ardhjen në pushtet do t’i shkojë deri në fund edhe transparencës për burimet e pasurisë të cilitdo që ka marrë pasurinë e këtij populli përmes proceseve të korruptuara të privatizimit.

“Kjo do të thotë se kjo dosje gjigante nuk do të mbyllet dhe as s’do të mbetet vetëm në deklarata, por do të jetë në dosjet që do t’i vihen në dorë publikut nën dritën e diellit dhe në emër të publikut do të kthehet në një gur themelor për të ardhmen, për të treguar me gisht keqqeverisjen”, informoi zoti Rama.

Ai ritheksoi edhe njëherë se “1280 pasuritë kombëtare që Saliu, si një thes me fara kungulli kërkon ta marrë në krahë para zgjedhjeve do të verifikohen e trajtohen me vëmendjen e plotë në emër të brezave që shkuan dhe atyre që do të vijnë”, premtoi Rama.

Sipas tij edhe ky proces privatizimesh i paralajmëruar nga Kryeministri nuk është surprizë për opozitën.

“Ja pse u vodhën zgjedhjet, ja pse u vranë njerëz, ja pse kriza thellohet, ja pse parlamenti nuk funksionon, e pse populli varfërohet përditë e më shumë. Këta e kanë kthyer parlamentin në një foltore për të sharë opozitën, dhe janë aty për të plaçkitur popullin dhe vendin”, tha shefi i opozitës duke nënvizuar se këto janë arsyet që populli duhet të ngrihet e të kërkojë me demonstrim paqësor, por vendosmërisht largimin e qeverisë kusare.

“Nuk ka bërë vaki në asnjë vend demokratik, që 1280 pasuri kombëtare që i kanë mbetur shtetit në këto 20 vjet, po i hyjnë një procesi privatizimi, për këto dy muaj”, tha Rama.

Sipas tij, “E mira e këtij paralajmërimi është se kryeministri Berisha po e kupton që është duke ikur”.

Duke mos kërkuar pyetje, për shkak të rëndësisë së kësaj çështjeje privatizimesh, Rama deklaroi se “populli u lajmërua dje se është në prag të një batërdie, për nxjerrjen në ankand të 1280 pasurive të tij”.

Ai i bëri thirrje popullit t’i bashkohet demonstratës së opozitës në 18 shkurt, pra të premten e ardhshme duke thënë se “Çdo njeri që nuk është pjesë e këtij oborri pasurie do të jetë pjesë e indinjatës popullore, t’i bashkohet lëvizjes popullore për largimin e kësaj qeverie, për t’i hapur rrugë zhvillimit të vendit”, tha Rama.

mit/NOA

KOMENTE