English

Revolucion historik në Egjipt

Presidenti i Egjiptit Husni Mubarak u tërhoq pas më shumë se tri dekadash në pushtet. Tani Evropa duhet t'u qëndrojë pranë egjiptianëve...

Nga Bernd Rigert

Më në fund! Egjipti është i lirë! Kështu thërrasin protestuesit në Kajro dhe në mbarë Egjiptin. Revolucioni u kurorëzua me sukses. Pushtetmbajtësi u largua nga një valë e quajtur demokraci. Ne e përjetojmë se si ndodh historia. Momente prekëse. Në mendje të vijnë krahasime me përmbysjet në Evropë në vitin 1989. Husni Mubarak e kuptoi se nuk kishte më asnjë shans për të moderuar kalimin e nevojshëm tek një qeverisje e vërtetë popullore në Egjipt. Ai është dashur të largohet që të enjten dhe hapi i tanishëm bëhet me 24 orë vonesë. Gëzimi i egjiptianëve është i madh dhe ngjitës.

Tani shtrohet pyetja: çfarë do të ndodhë në Egjipt? A do të bëjë një kalim tek demokracia e vërtetë ushtria, e cila e kishte vënë në krye të shtetit presidentin Mubarak? Ne të gjithë shpresojmë dhe dëshirojmë që tani të rezultojë i suksesshëm eksperimenti i madh. Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës tani duhet të mbajnë fjalën e tyre dhe të ofrojnë të gjithë ndihmën e mundshme për një zhvillim demokratik në Egjipt si në aspektin politik ashtu edhe në atë financiar.

E ngarkuara e BE-së për politikën e jashtme, Catherine Ashton pati sqaruar fundjavën e kaluar se Bashkimi Evropian është i gatshëm që ta mbështesë procesin demokratik në Egjipt. Ajo tani duhet të niset sa më parë drejt Egjiptit dhe fjalët t'i pasojë nga veprat, nëqoftëse këtë e dëshiron udhëheqja e re egjiptiane. E më këtë nuk duhet të krijohet përshtypja se Evropa dhe SHBA-ja duan të përfitojnë kapital politik prej gjendjes së tranzicionit në Egjipt. Kjo është një fitore e egjiptianëve dhe duhet të mbetet e tillë.

Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës megjithatë duhet që në prapaskenë të përdorin ndikimin e tyre, në qoftë se e posedojnë atë, që gjendja në rajon të mbetet deri diku e qëndrueshme dhe që revolucioni egjiptian mos të ketë influencë negative ndaj paqës egjiptiane me Izraelin, e cila është arritur nga presidenti i deritanishëm Mubarak. Një mbledhje e jashtëzakonshme e ministrave të Jashtëm të BE-së do të ishte mjaft e udhës të zhvillohet të hënën në Bruksel.

Vendimtare për stabilitetin e Afrikës Veriore dhe Lindjen e Mesme do të jetë tani nëse shkëndijat e demokracisë do të përçohet edhe në shtetet e tjera. Aktualisht ne mund të përcjellim me shtangie dhe simpati dhe të shpresojmë që ky revolucion historik do të mbetet paqësor.

KOMENTE