English

Tahiri letër Kryeparlamentares Topalli, për përjashtimin nga Kuvendi

Tiranë, 11 shkurt 2011, NOA- Shkëlçesisë së Saj, Zojs Jozefina Topalli

Fort e nderuar Kryetare e Kuvendit,

Po ju drejtohem me këtë letër në gjuhën tuaj, për të kuptuar motivin e vendimit të djeshëm të Byrosë së Kuvendit në lidhje me masat disiplinore të marra lidhur me seancën e djeshme parlamentare.

Nga deputetet e PD që vijnë shpesh në zyrën time e që më çojnë sms të shpeshta, jam njoftuar se jam përjashtuar nga punimet e komisioneve parlamentare dhe seancat për një periudhë 15 ditore. Këtë lajm pata rastin ta konfirmoj edhe nga edicionet informative në mediat televizive si dhe nga njoftimi në faqen e internetit të Kuvendit.

Sipas njoftimit, unë jam përjashtuar si pjesëtar i një grupi të vogël deputetesh çë “ushtruan dhunë të paparë, shkelën kushtetutën dhe ligjin, kërcënuan jetën e deputetëve të tjerë dhe ushtruan dhunë fizike ndaj tyre”.

Duke qenë se personalisht nuk kam konsumuar asnjë nga parashikimet e Rregullores se Kuvendit për të legjitimuar përjashtimin tim për 15 ditë nga punimet e komisioneve dhe seancave plenare, si dhe duke konsideruar se kjo është një çështje mjaft e rëndësishme, P0 ju drejtohem për të mësuar prej Jush personalisht arsyet e kësaj mase disiplinore që është marrë ndaj meje.

Shpreh bindjen me të thellë dhe besimin e plote se po i mësova prej jush këto arsye, do kem mësuar njëherësh dhe arsyet e shtate deputeteve propozues, duke me kursyer kështu kohë te vyer të takoj deputetet e PD që vijnë shpesh në zyrën time apo lekë te tepërta për sms që shkëmbej me ta.

Ne këtë aspekt, e ndjej detyre t’ju shpjegoj se unë nuk i përkas asnjë grupi të dhunshëm deputetesh. Nuk kam kërcënuar askënd me jete apo të kem ushtruar dhunë ndaj ndokujt. Nuk kam shkelur as Kushtetutën dhe as Ligjin. Dhe të gjitha këto, për hir të së vërtetës, me dallojnë qartësisht nga Ju dhe shefi Juaj Kryeministër.

Dëshiroj t’ju informoj se jam përpjekur të bëj detyrën time gjatë punimeve të parlamentit sa herë më është dhënë mundësia, në përmbushje të interesit me të lartë të qytetarëve që përfaqësoj.

Gjithashtu, dëshiroj t’ju siguroj se duke pare Shkëlqesinë tuaj të keqpërdorë mikrofonin e spikeres me provokime e ofendime për deputetet e opozitës, me ofshama e pasthirrma lezeti, te qeshura e të bërtitura, kërcënime e shumë të tjera si këto të cilat ju i bëni vazhdimisht në seanca plenare, kam mësuar mire llojin, rracën, mënyrën e modelin si nuk duhet të jetë një deputet i kuvendit, njëkohësisht duke i premtuar vetes se nuk do lejoj kurrë t’ju ngjaj agresivisht juve ose me keq akoma, atij që kërkoni ti ngjani edhe ju vetë.

Dëshiroj t’ju informoj se në protestën time para foltores së Kuvendit, kam mbajtur në dorë një stilolaps te bardhë, i cili kryen vetëm funksionin e vet primar. Ne rast se ju dhe koleget tuaj jeni ngatërruar e mendoni se kam pasur në dorë nje stilolaps pistolete, jam i gatshëm t’ua vë në dispozicion për ti bërë ekspertizën shkencore.

Gjithashtu, me vete kam pasur një çadër shiu, te cilën nuk e mora brenda sallës por e lashë në hyrje, në mirëbesim te një punonjësi të kuvendit. Ne rast se ju jeni ngatërruar e mendoni se me vete kam pasur çadër pistolete, jam i gatshëm t’ua vë në dispozicion per ti bërë ekspertizën shkencore.

Po kështu, nuk kam pasur e nuk kam mbajtur kurrë as thikë me helm e as ndonjë objekt të ngjashëm me të.

Fort e nderuar Znj. Kryetare e Kuvendit,

Çka me sipër ju sqaroj në këtë letër, i konsideroj çështje shumë te rëndësishme për t’u marrë parasysh prej jush.

Duke qenë se nuk me është dhënë mundësia te jap shpjegimet e mia përpara se të merret masa disiplinore ndaj meje; duke qene se edhe deputetet e PD çë vijnë shpesh në zyrën time e me dërgojnë sms nuk janë në gjendje te me japin asnjë informacion me shumë; duke qenë se edhe informacioni i bërë publik nuk përmban asnjë motivim për përjashtimin tim;

Kërkoj prej Shkëlqesisë Suaj fort të nderuar, arsyet dhe motivimin konkret sipas te cilit bazuar në Rregulloren e Kuvendit, është legjitimuar përjashtimi im nga punimet e komisioneve dhe seancave plenare.

Gjithashtu, duke qenë se keni vendosur që masa disiplinore te fillojë nga dt 14 shkurt, do ju lutesha që të respektoni rregulloren dhe të bëni ç’është e mundur që masa disiplinore për mua të mos filloj në dt 14 shkurt por sa më shpejt, madje që nga dita e djeshme kur paskam konsumuar edhe shkeljen që kam besim do me sqaroni në përgjigjen tuaj.

Me këtë rast, më kurseni edhe dhuratën tuaj të hidhur për ditën e te dashuruarve në 14 shkurt.

Duke ju falenderuar paraprakisht për konsideratën e thellë që keni ndaj meje dhe kolegëve të mi,

Me respekt të detyruar

Saimir Tahiri

Deputet i Partisë Socialiste

KOMENTE