Tiranë, 12 shkurt 2011, NOA- Zëvendës ministri i Ekonomisë Eno Bozdo, në një dalje para medieve deklaroi se, dhuna e 21 Janarit po ushtrohet përsëri ndaj reformave të qeverisë dhe komunitetit të biznesit.
“Dje, Edvin Rama, kreu i puçistëve që sulmoi me dhunë në 21 janar për 5 orë rresht Kryeministrinë për të marrë pushtetin forcërisht, ndërmori një sulm të hapur dhe të mirëllogaritur ndaj vendimit të qeverisë shqiptare për të proceduar me privatizimin e aseteve të mbetura shtetërore. Dhuna verbale e tij kërcënoi gjithashtu edhe komunitetin e biznesit, duke premtuar raprezalje për të gjithë ata biznesmen që do të merrnin pjesë në këtë proces”, deklaroi Bozdo.
Sipas tij, Rama i bëri këto deklarata, duke u zotuar se nëse ai do të vijë në pushtet do të anullojë këto privatizime, madje do të anullojë të gjitha privatizimet dhe koncesionet.
Më tej Bozdo shtoi: “Edvin Rama u zotua se do të anullojë privatizimet duke u ofruar shqiptarëve praktiken e tij korruptive të 20% për çdo leje ndërtimi, siç u faktua nga kontrata e tij e fundit të ndërtimeve tek liqeni artificial, apo praktikën tjetër të qytezës “Delijorgji”, të 54 pallateve të përbashkëta me sipërmarrësin e tragjedisë së Gërdecit, të cilin se fundmi e nxorri edhe nga burgu”.
Sipas Bozdos, Rama sot përfaqëson Kryebashkiakun që sipas Transparency International është në krye të 3 vendeve më të korruptuara të Globit për lejet e ndërtimit.
Ai tha se, Ministria e Ekonomisë është shumë e vendosur të zbatojë me rreptësi dhe me transparencë të gjitha procedurat, dhe fton këdo, shoqërinë civile, përfshirë dhe deputetët e opozitës, të vëzhgojnë dhe monitorojnë procesin në çdo hap të tij.
a.y/NOA