Tiranë, 12 Shkurt 2011 NOA - Prokuroria Shqiptare duke dashur të lajë duart për çdo hetim që po del pjesë-pjesë në media lidhur me skandalet e dyshuara të korrupsionit dhe demonstratës së 21 janarit, deklaroi sot se ajo nuk është e vetme në këto hetime dhe fare troç ia hodhi fajin institucioneve të tjera që nuk sulmohen nga kryeministri, ose thënë ndryshe, “afër Qeverisë”.
Zyra e Prokurores së Përgjithshme doli me një deklaratë për media ku tha se shpreh shqetësimin për disa raste të përsëritura në ditët e fundit, ku në media të ndryshme janë botuar komente mbi disa të dhëna të procesit të hetimit të ngjarjeve të ndodhura në 21 janar.
“Përpara se të shprehim vlerësimin tonë mbi këtë shqetësim, dëshirojmë të bëjmë me dije përpara opinionit publik se Prokuroria, gjatë kryerjes së veprimeve të saj hetimore, për probleme të veçanta që lidhen sidomos me procesin e këqyrjes dhe ekspertimeve të ndryshme të provave për të cilat kërkohen njohuri të posaçme nga ekspertë të fushave përkatëse, bashkëpunon edhe me institucione të tjera”, - thotë PP.
Ndaj, nisur nga komentet mbi të dhënat e publikuara në media, pavarësisht vërtetësisë apo deformimit të tyre, si dhe nga verifikimet e kryera nga ana jonë referuar këtyre rasteve, është konstatuar se këto të dhëna mbi të cilat është mbështetur media, janë marrë në ato raste kur gjatë procesit hetimor kanë qenë të përfshirë edhe institucione të tjera, siç janë Policia e Shtetit, ekspertë të kriminalistikës apo të mjekësisë ligjore, - thotë PP duke dashur kështu qartazi të shkarkojë përgjegjësinë nga dekonspirimet e përditshme që po ndodhin dhe njëkohësisht të reagojë ndaj kritikave të mazhorancës.
Në asnjë rast, kur të dhënat e hetimit kanë qenë të administruar nga prokurorët dhe oficerët gjyqësorë të çështjes, nuk ka ndodhur që të ketë pasur rrjedhje informacioni mbi procesin hetimor, thotë Prokuroria Shqiptare.
Ajo thekson edhe se ka ndjekur me përkushtim dhe profesionalizëm detyrat e saj për të hetuar në mënyrë të plotë, të gjithanshme dhe objektive për të gjitha rrethanat dhe pistat e hetimit si për ngjarjet e 21 janarit ashtu edhe çështje të tjera që lidhen me punën e saj të përditshme.
Përsa i përket publikimit të kërkesës së bërë nga institucioni i Prokurorisë ndaj Kuvendit të Shqipërisë për autorizimin për procedim ndaj dy deputetëve, Ilir Meta dhe Dritan Prifti, Prokuroria sqaron se “se pavarësisht se nuk janë akte që mbrohen nga sekreti hetimor, është vlerësuar nga ana jonë se informimi i publikut me këtë fakt, mund të menaxhohej nga ana e Kuvendit të Shqipërisë”.
Në këtë pikë, Prokuroria e drejtuar nga Ina Rama lëshon akuzë ndonëse indirekte, të qartë ndaj Parlamentit dhe vijon: “Për këtë arsye, korrespondenca është konsideruar sekret, dhe nuk është vlerësuar që të përcillej mediatikisht nga institucioni i Prokurorisë”.
Dokumentet e kësaj çështjeje si dhe ekspertiza filmike ndodhen prej kohësh në dispozicion të Prokurorisë dhe në asnjë rast nuk kanë dalë në media informacion mbi to, - thotë PP.
Kurse thekson se rasti i publikimit për autorizimin për procedim ndaj dy deputetëve, ka ndodhur pa autorizimin e Prokurorisë dhe pikërisht pasi kërkesa e protokolluar nga ana jonë, është dorëzuar në datën 11.02.2011 në Kuvendin e Shqipërisë.
Shqetësimi ynë mbi këto raste të publikimeve në media, lidhet së pari me konfidencialitetin e hetimit, çka cënon dhe mbarëvajtjen e procesit hetimor.
“Në përmbushjen e detyrave tona, ne kërkojmë nga ana e institucioneve të tjera të përfshira në proces hetimi, të përmbushin detyrimin e tyre ligjor për ruajtjen e sekretit hetimor. Gjithashtu, duke e vlerësuar median për rëndësinë e saj në informimin e opinionit publik, kërkojmë që në rastet e publikimit të të dhënave që kanë lidhje me hetimin, të shprehin realisht në artikullin e shkruar burimin e informacionit si dhe të kërkojnë minimalisht konfirmimin nga ana e organit të akuzës të këtyre informacioneve”, - përfundon deklarata e Prokurorisë së Përgjithshme.
e.t/NOA