English

Kapen 5 kg marijuanë, pranga 2 poseduesve

Tepelenë, 12 shkurt, NOA – Dy persona nga Ballshi janë arrestuar për trafik të lëndëve narkotike, ndërsa u është sekuestruar në cilësinë e provës materiale sasia e 5 kilogramëve lënde narkotike e llojit marijuanë.

Ngjarja raportohet për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet e policisë së Gjirokastrës, sipas të cilave, dy të ndaluarit janë përkatësisht 24-vjeçari Drilon Shehaj, dhe Klaudjo Osmënaj, 21 vjeç; që të dy lindur dhe banues në Ballsh të Mallakastrës.

Arrestimi i tyre u bë pasi këta dy persona duke lëvizur nga Gjirokastra në drejtim të Ballshit me automjetin tip Benz, me targa MK 38 61 A, që drejtohej nga Klaudjo Osmënaj (makinën ia kishte marrë babait pa leje), janë ndaluar nga ana e punonjësve të Policisë në vendin e quajtur “Ish-Agjencia” në hyrje të qytetit Tepelenë.

Kjo pasi policët kishin marrë informacion në rrugë operative se këta të dy, kishin blerë një sasi lënde narkotike në Lazarat dhe po e transportonin në drejtim të Ballshit.

Konkretisht, nga kontrolli i ushtruar në këtë automjet rezultoi se në dyshemenë e sediljes së parë të pasagjerit u gjet një qese e madhe plasmasi ku brenda saj kishte dy qese të tjera plasmasi të mbushura me lëndë narkotike marijuanë në formën e boçes.

Po nga kontrolli, poshtë sediljes së shoferit u gjetën në një kuti kartoni, 5 qese celefoni në formën e paketës, ku brenda tyre kishte lëndë narkotike marijuanë në formën e boçes, të cilat ishin bërë gati për tu shitur.

Nga kontrolli fizik që iu bë shtetasit Klaudjo Osmënaj, iu gjet në xhepin e xhaketës një kuti shkrepëse ku brenda saj kishte një sasi fare të kanabis sativa, rreth 200 kokrra.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se këta persona e kishin blerë lëndën narkotike në Lazarat dhe do ta shisnin në formën e cigares në lokale nate dhe ambjente shkollore në Mallakastër.

Lënda narkotike dhe automjeti janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Kurse materialet i kaluan prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme për veprën penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, vepër kjo e parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal.

n.e/NOA

KOMENTE