English

Ku janë islamikët?

"E vërtetë është se kur institucionet fetare marrin pushtetin politik, ato kurrë nuk janë demokratike. Nuk mund të jenë, për shkak se autoriteti fetar kërkon bindje ndaj pushtetit hyjnor, i cili për nga definicioni nuk është i hapur karshi sfidave racionale. Kur Ayatollah Ruhollah Khomeini dhe ithtarët e tij e nisën revolucionin islamik më 1979, demokracia u bë e pamundur; kleriku u shndërrua në një diktator".

Nga Ian Buruma

Dikur gjatë viteve 80’, kur regjimi komunist në Poloni po përballej me sfida serioze nga masat jobesnike, zëdhënësi zyrtar i regjimit, Jerzy Urban, u kishte thënë gazetarëve të huaj se ishin vetëm dy mundësi në Poloni: komunizmi apo dominimi nga Kisha Katolike. “Pra ose ne, - tha ai, - ose Madonna e zezë e Czestochowas”.
Paralajmërime të ngjashme janë përsëritur herë pas here edhe nga sundues tiranë në Lindje të Mesme, së fundmi nga Hosni Mubaraku i Egjiptit: ose shtet sekular policor, ose islamikët; që do të thotë ose Mubaraku, ose Vëllazëria Myslimane.

Ky mesazh ishte mjaft bindës për qeveritë perëndimore, veçanërisht për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që të vazhdojnë të derdhin para dhe armë për Mubarakun dhe “aleatët” e tjerë arabë.
Për ata që përkrahin përhapjen e demokracisë në botë, kjo gjë paraqet një dilemë të pakëndshme. Islami, thonë shumica, është një kërcënim për demokracinë. Perëndimi thuhet të jetë “në luftë me islamin”, për të cituar në këtë rast aktivistin somalez, Ayaan Hirsi Ali. Mirëpo, a do të thotë kjo se ne do të duhej të hiqnim dorë nga demokracia, në rast se partitë islamike fitojnë shansin për të triumfuar në zgjedhje?
Kjo ishte politikë franceze, pasi Fronti Islamik i Shpëtimit (FIS) fitoi në raundin e parë të zgjedhjeve në Algjeri, në dhjetorin e vitit 1991. Franca mbështeti puçin ushtarak një vit më vonë. Ishte kjo edhe politika e SHBA-së, pasi “Hamasi” fitoi zgjedhjet palestineze më 2006. “Hamasi” nuk u njoh kurrë.

SHBA-ja mbështeti shtetet policore në Egjipt, Arabinë Saudite dhe në Azinë Qendrore, për shkak se alternativat besohej të ishin më të këqija.
Nga kjo zgjedhje e vështirë lind një tjetër dilemë. Masat e dhunshme energjike rrallëherë rezultojnë me modernizim. Sa më e madhe që të jetë shtypja me të cilën përballen partitë fetare në shtetet sekulare policore, aq më ekstreme rrezikojnë të bëhen politikat e tyre. Pa marrë parasysh se çfarë e nxit ekstremizmin e Osama bin Ladenit, ai nuk do të gjente kaq shumë rekrutë vullnetarë për veprat e tij të vrasjeve masive sikur regjimet në Egjipt, Arabinë Saudite apo Algjeri të ishin më pak shtypëse dhe të korruptuara.

Politikat fetare apo politikat e bazuara në besimet fetare, jo domosdoshmërish janë të dhunshme, madje edhe në botën islamike. E as myslimanët nuk janë të vetmit që rebelohen kundër regjimeve sekulare në emër të besimeve të tyre. Deklarata e Urbanit përmbante një të vërtetë thelbësore: Kisha katolike luajti rol kyç në rebelimin kundër komunizmit. Kjo e vërtetë vlen edhe për budistët në Birmani, të cilët kundërshtojnë juntën ushtarake. Organizatat fetare mund të mobilizojnë njerëz në kundërshtim të sunduesve të korruptuar dhe shtypës. Shumica e rebelimeve, mbi të gjitha, janë morale para se të jenë politike.

E vërtetë është se kur institucionet fetare marrin pushtetin politik, ato kurrë nuk janë demokratike. Nuk mund të jenë, për shkak se autoriteti fetar kërkon bindje ndaj pushtetit hyjnor, i cili për nga definicioni nuk është i hapur karshi sfidave racionale. Kur Ayatollah Ruhollah Khomeini dhe ithtarët e tij e nisën revolucionin islamik më 1979, demokracia u bë e pamundur; kleriku u shndërrua në një diktator. 
Por, kjo nuk do të thotë se partitë politike, programet e të cilave janë të bazuara në besimin fetar, nuk mund të jenë demokratike. Demokristianët nuk paraqesin rrezik për demokracitë në Europë.
Partia turke e Drejtësisë dhe Zhvillimit, e themeluar nga reformatorët islamikë, nuk është jodemokratike, po ashtu (por, çështja është nëse është liberale).
Në të vërtetë, një prej hollësive më interesante të kryengritjeve në Tunizi dhe në Egjipt – dhe mbase edhe në të gjitha të tjerat pasuese – është roli tejet minor i luajtur nga islamikët. Në Tunizi, partia e ndaluar islamike Ennahdha (Renesanca) mungoi.
Në Egjipt, Vëllazëria Myslimane po ashtu e ndaluar, por ende një forcë madhore në aspektin e mbështetjes publike, ka qëndruar dukshëm në prapaskenë.
Nuk ekziston ndonjë figurë në ndonjërin prej këtyre shteteve që krahasohet me Khomeinin. Nuk ka pasur retorikë të dhunshme xhihadiste. Ajo që duket të ketë nxitur kaq shumë njerëz të dalin nëpër rrugë, është një ndjenjë e përbashkët e zemërimit ekonomik, pakënaqësisë me zyrtarët e korruptuar dhe e turpit të të qenit të shtypur.

Këto ndjenja mund të inspirojnë besimin fetar, apo madje edhe dhunë të tmerrshme të ushtruar në emër të fesë. Një rezultat i tillë mbetet i mundshëm, veçanërisht në rast se rebelimet dështojnë dhe shtypje të tjera pasojnë. Mirëpo, edhe në rastin më të mirë, nëse zgjedhjet e lira do të mbaheshin, ndoshta pas qeverive të përkohshme të udhëhequra nga figura atërore si Mohammed El Baradei, partitë islamike mund ende të luajnë një rol madhor. Vëllazëria Islamike në Egjipt, përkundër faktit se është e ndaluar, është një organizatë me ndikim.
Ka shumë arsye pse duhet të jemi të shqetësuar për këtë, më pak për shkak për asaj se islamikët janë jodemokratikë sesa për shkak të tendencave të tyre joliberale. Disa forma të qeverisë autoritare mund të lënë shumë për të dëshiruar në aspektin e lirisë ekonomike dhe lirive të tjera, dhe si pasojë mund të duket më e lehtë të jetohet me një populizëm demokratik joliberal. Mirëpo, autoritarizmi liberal shihet si një rezultat i padëshiruar për revoltat e tanishme. Si një rezultat i kësaj, pasojat e dështimit për të mbajtur zgjedhje, i masave të dhunshme energjike apo i një gllabërimi nga një tjetër regjim autoritar, padyshim se do të ishin më të këqija sesa një shans për demokraci.

Egjipti nuk është Iran apo Algjeri, prandaj dhe nuk do të duhej të brengosej për tërheqjen e paraleleve. Mirëpo, ne kemi parë se çfarë mund të ndodhë kur aspiratat demokratike pengohen nga frika për radikalizëm fetar.
Puçi ushtarak algjerian më 1993 rrëzoi islamikët, shumica e të cilëve, duhet pranuar, nuk ishin as liberalë dhe as të përkushtuar sa duhet për demokraci. Mirëpo, lufta e gabuar civile që pasoi – dhe që ende nuk ka përfunduar plotësisht – ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 200 000 personave.
Deri më tani turmat në Kajro, Aleksandri dhe Suez as nuk kanë qenë të dhunshme, dhe as të ndezura nga zjarri fetar. Luftimet serioze shpërthyen vetëm pasi mbështetësit e Mubarakut filluan të sulmojnë turmat. Çfarë do të ndodhë, është ende e pamundur që të parashikohet. 
Ndoshta Vëllazëria Myslimane do të fitojë në zgjedhjet e përgjithshme. Por, ndoshta edhe jo.
Egjiptianëve duhet t’u lejohet që ta bëjnë vetë këtë zgjedhje. Mohimi i kësaj lirie, padyshim se do t’i përkeqësojë edhe më shumë gjërat, duke çuar mbase në një lloj ekstremizmi fetar nga i cili shumë njerëz druajnë me të drejtë.

*Autori është Profesor i demokracisë dhe i të drejtave njerëzore në Kolegjin Bard. Libri i tij i fundit është “Zbutja e Zotave: Feja dhe demokracia në tri kontinente”. Ky koment është shkruar për rrjetin e gazetarisë hulumtuese “Project Syndicate”

KOMENTE