Fier, 12 shkurt 2011, NOA- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta zhvilloi sot disa takime në komunat e rrethit të Fierit më strukturat dhe elektoratin e LSI-së.
Në këto takime kreu i LSI-së, ka kërkuar angazhimin e gjithë anëtarëve dhe mbështetësve të LSI-së për të arritur objektivat e kësaj force politike në zgjedhjet e 8 majit.
Në fjalën e tij, Meta tha se, zgjedhjet vendore, kanë një rëndësi të veçantë për vet qytetarët. Ai theksoi se ata kanë mundësi që të zgjedhin drejtuesit më të mirë dhe më të besueshëm për të drejtuar pushtetin vendor.
Ndër të tjera, ai theksoi se “zgjedhjet e 8 majit janë të rëndësishme për komunitetin dhe jetën e banorëve”.
Ai u ndal edhe në programin konkret të LSI-së, duke vënë thekson në aspektin e investimeve për fermerët në komuna. Ai tha se “subvencionet do të rriten në masën 30%’, për tu ardhur në ndihmë fermerëve dhe sipërmarrësve.
Më tej Meta shtoi se një mbështetje e veçantë do t’i jepet bujqësisë.
Ndërsa duke folur për qëllimet e LSI-së, Meta kërkoi nga drejtuesit e LSI-së në këtë komunë, anëtarët dhe simpatizantët që të punojnë duke shtuar se “duhet mobilizim për të arritur objektivin e 2-fishimit të rezultatit zgjedhor”. Ai shtoi se “LSI-ja është gati për fitoren”.
Kryetari i LSI-së u ndal edhe në situatën politike në vend duke theksuar se alternativat ku do të zgjedhin qytetarët janë të përcaktuara qartë mes demokracisë dhe dhunës. “Vlera e demokracisë është vota, jo dhuna”, tha Meta duke ju referuar ngjarjeve të fundit.
Ai shtoi se “opozita e dhunës është kundër votës së qytetarëve”. Kreu i LSI-së
Meta u shpreh se koalicioni qeverisës vjen në këtë fushatë me një bilanc mjaft pozitiv dhe të prekshëm nga gjithë shqiptarët. “Koalicioni i integrimit u dha qytetareve dinjitet në Evropë”, tha Meta duke theksuar rëndësinë që ka liberalizimi i vizave.
Nga ana tjetër, duke u ndalur në rëndësinë që kanë zgjedhjet vendore, Meta, u shpreh se taksat dhe buxhetet e pushtetit vendor kanë si qëllim kryesor ndihmesën dhe zgjidhjen e problemeve të qytetarëve dhe jo financimin e dhunës, siç ka ndodhur me demonstratat e PS-së. “Komunat dhe bashkitë në shërbim të qytetareve, jo pagatorë e dhunës”.
Meta dhe drejtues të LSI-së së Fierit kanë qenë fillimisht në komunën Frakull të këtij qyteti dhe më pas në komunën Portëz dhe Zharrë.
a.y/NOA