Tiranë, 12 shkurt, NOA Update – “Sot rreth orës 08.00, në rrugën e “Ali Visha” në Tiranë pranë qytetit Studenti, ka gjetur vdekjen me armë zjarri 26-vjeçari Alfred Musabelliu, me banim në Tiranë”.
Kështu e ka nisur raportimin e saj zyrtar mbi vrasjen e sotme në qytetin Studenti, policia e Tiranës, përmes një deklarate të posaçme për shtyp.
Duke vijuar me faktin, se në vendngjarje shkuan menjëherë oficerë të policisë për hetimin e krimeve të rënda, ekspertë kriminalistë, të cilët bënë të mundur sigurimin dhe këqyrjen e vendit të ngjarjes, duke mbledhur dhe administruar provat.
Si edhe atë që për hetimin e kësaj ngjarje, u ngrit një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e prokurorisë së Tiranës si dhe drejtuesve të policisë së kryeqytetit, ndërkohë që vazhdon puna intensive për dokumentimin e plotë të motiveve të kësaj ngjarje.
Nga hetimet e kryera deri më tani, u konkludua se autorë dhe bashkëpunëtorë në këtë vrasje janë Albi Zela, 23 vjeç dhe Donald Ymeri, 22 vjeç; që të dy me banim në Tiranë. Ndërkohë që është shpallur në kërkim edhe autori i tjetër i kësaj vrasje me armë.
Aktualisht, nga grupi hetimor në vendngjarje po punohet intensivisht për zbardhjen e rrethanave, motiveve të kësaj ngjarje të rëndë, ndërsa po punohet për kapjen
e autorit tjetër në këtë vrasje, i cili tashmë është identifikuar.
n.e/NOA