Tiranë, 12 shkurt, NOA – Partia Socialiste ka sjellë në vëmendje të opinionit protestat që po ndodhin në vendet e Lindjes së Mesme për largimin e qeverive. Deputeti i PS-së, Eduard Shalsi ka bërë tha sot në një deklaratë për medita, se largimi i qeverive që abuzojnë me pushtetin është i pashmangshëm.
“Kemi parë këto kohë se çfarë po ndodh në vende ku qeveritë nuk përfaqësojnë vullnetin e popullit. Historia na jep plot shembuj të tjerë se çfarë fati i pret qeveritarët që mendojnë për interesat e tyre private dhe jo për interesat e popullit. Damkosja dhe largimi i këtyre lloj qeverisjesh, është i pashmangshëm dhe sado të këmbëngulin dhe sado të përpëliten në përpjekjet e tyre të dështuara për të qëndruar me çdo kusht në pushtet, fundi i tyre është i paevitueshëm”, tha ai.
Shalsi u ndal në vendimin e qeverisë për privatizimin e 1280 pasurive publike, duke theksuar se ky proces është i paargumentuar nga mazhoranca dhe po bëhet në mënyrë të shpejtë.
“Mësuam këto ditë se 1280 pasuri të popullit, të të gjithë shqiptarëve, Saliu kërkon ti privatizojë me shpejtësi para zgjedhjeve lokale. Përse pikërisht tani ? Ç’është ky nxitim?
Një pushtet që parandien fundin e tij kërkon të vjedhë e të marrë sa më shumë në ditët që i kanë mbetur. Ja pse më 18 shkurt shqiptarët do të jenë në bulevardin e Tiranës, më të shumtë se kurrë për ti thënë ndal kësaj kusarie me pasuritë e përbashkëta”, tha sot Shalsi.
Ai ka theksuar se duke bërë këto privatizime qeveria ka dëmtuar dhe interesin publik të qyetarëve.
“Ndërkohë që prisnim të ndërtonim një shkollë 9-vjeçare dhe të mesme në bregun e lumit, mësuam se truallin krejt papritmas e kishte privatizuar Genc Ruli duke i rrëmbyer të ardhmen fëmijëve të asaj zone. Ndërkohë që komuniteti i Kodër-Kamzës po priste me padurim një shkollë të re, ministri pa din e imam, dikur si rebel në majë të tankeve, sot si shashkë në duart e Saliut, e nxori në shitje”, tha Shali.
Ai ka bërë thirrje se për këto abuzime do të protestohet paqësisht kundër kësaj vjedhjeje të organizuar të pasurisë publike.
Nga ana tjetër ai ka theksuar se me ardhjen në pushtet të PS-së, këto vjedhje do të marrin përgjigjen e merituar.
Deputeti i PS-së u ndal në shitjen e pasurive publike duke theksuar se ato nuk mund të përdoren për interes të kreut të qeverisë, duke theksuar se kjo do të jetë një tjetër arsye e protestës në 18 shkurt. “Në 18 Shkurt do t’i themi JO: të gjithë aferave të bllokut qeveritar, vjedhjeve, manipulimeve, grabitjes, korrupsionit e vrasjes si vegla të një pushteti që nuk buron nga populli dhe ndaj nuk do të përgjigjet para tij”, tha Shalsi.
Ai shtoi se “Në 18 Shkurt do të vazhdojmë rrugëtimin tonë si komb, për të larguar hajdutërinë dhe korrupsionin si sistem qeverisës dhe për të hapur një kapitull të ri, me një zgjidhje të re demokratike, si një mundësie për një të ardhme më të mirë”.
a.k/NOA